E ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn ka mbërritur ditën e sotme, 17 shkurt, në Kuvendin e Shqipërisë, ku është pritur në takim nga kryetari i Parlamentit Niko Peleshi.
Burime bëjnë me dije se ditën e nesërme, Nancy VanHorn do të zhvillojë gjithashtu dhe një takim me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Takimi i Van Horn vjen një ditë pas takimit të Grupit Parlamentar të PS-së ku është propozuar dhe ndryshimi ligjor në Nenin 242.
Socialistët, me në krye kryeministrin Rama, bënë me dije se do të ndryshonin nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, duke i hequr të drejtën gjykatave që të marrin vendime pezullimi ndaj kryeministrit, ministrave, Presidentit, Avokatit të Popullit dhe kreut të KLSH-së.
Ndryshimet ligjore të propozuara, vijnë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi për mungesë kuorumi pretendimet e Ramës se pezullimi i Belinda Ballukut nga Gjykata e Posaçme ishte shkelje e kushtetutës.
Megjithatë, gjatë takimit të grupit parlamentar, Rama tha se propozimi nuk kishte të bënte me rastin konkret.
© Panorama.al












