
Socialistët nisin sulmin ndaj LSI-së pas zgjedhjes së Presidentit, harrohen drekat.
Balla: U këmbye me Albpetrolin, Doda: Statusi, peng i PS.
Partia Socialiste ka rinisur sulmin ndaj LSI-së, duke e akuzuar atë se ka bërë pazar me votat e saj për interesa ekonomike. Gjatë debatit të lirë dje në Parlament, sekretari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, tha dje se gjatë zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës u shkëmbyen votat në Kuvend për të përfituar nga kompania shtetërore e naftës. “Politika e pazarit të pisët bëri të mundur shkëmbimin e votave për Presidentin, në këmbim të “Albpetrol”-it, duke dëmtuar rëndë aspiratën tonë kombëtare për integrim europian. Çështja e madhe, më e madhja çështje e Shqipërisë sot, çështja e bashkimit tonë me Europën, mori një goditje të rëndë. Europa sot është më larg se një javë më parë. Shqipëria sot është më larg se një javë më parë nga familja europiane”, tha Balla gjatë fjalës së tij. Sipas tij, me zgjedhjen e Presidentit të ri nga maxhoranca, vendi ka vënë në pikëpyetje çështjen e statusit të vendit kandidat. “Eduard Kukan, kreu i Delegacionit Europarlamentar për Ballkanin, e cilësoi procesin e zgjedhjes së Presidentit si një shans tjetër të humbur nga Shqipëria në rrugën e vendit drejt Bashkimit Europian. Peter Stano, zëdhënësi i komisionerit për Zgjerim Stefan Fyle, tha se nuk ka sinjale pozitive për statusin”, tha Balla.
Dade
Edhe anëtarja e Kryesisë socialiste, Arta Dade, akuzoi maxhorancën se injoroi PS-në për të zgjedhur një President konsensual, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e statusit. “Ja perse opozita kërkoi e bëri përpjekje maksimale që Shqipëria duhej të kishte një President konsensual, por loja e Berishës dhe aleatëve të tij ishte e qartë, ata u tallën me kandidaturat që konsumuan në publik, por edhe me ato që formalizuan për të ardhur te versioni i kahershëm, President-ushtar i Saliut. Problemi është se Berisha vazhdon të tallet me shqiptarët e partnerët ndërkombëtarë dhe kjo duhet e do të marrë fund me largimin e tij e vënien përpara Drejtësisë që pas pak muajsh nuk do të mund ta kontrollojë dot as me Bujarin që vuri në krye të shtetit”, u shpreh Dade.
Doda
Por, akuzave të Ballës dhe Dades iu përgjigj dje në sallën e Kuvendit deputetja demokrate Mesila Doda. Sipas saj, opozita gjatë gjithë këtyre viteve është përpjekur vetëm të bllokojë integrimin e vendit. Ju keni kryer aksione politike që e kanë bllokuar si kurrë më parë këtë vend, ju keni marrë peng çdo vit procesin e statusit me një kusht të ri, ju kërkoni që ne të përmbysim çdo raport demokracie në këtë vend, ju kërkoni të instaloni në raportet politike një mentalitet prej tregtarësh të vegjël, të shisni e të blini çdo vit miratimin tuaj për statusin, miratim, i cili për fat të keq është kthyer si një lojë trilleri, një zvarritje që nuk mbaron kurrë”, u shpreh Doda. Sipas saj, “është në dorën e opozitës të zgjedhë të besojë se mund të jeni ju që i vendosni Shqipërisë murin e izolimit dhe është po ashtu në zgjedhjen tuaj të bëheni realistë, të tregoheni politikanë profesionistë e mbi të gjitha të tregoheni shqiptarë të mirë”.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











