Partia Socialiste zhvilloi dje paradite një protestë pranë Ministrisë së Brendshme për listat e zgjedhësve, të cilat ende nuk janë gati. Partia Socialiste dha alarmin për manipulimin me listat e zgjedhësve nga ana e qeverisë, nëpërmjet shtimit të emrave në Tiranë. Deputeti socialist Namik Dokle tha dje se “Lulzim Basha u ka dhënë urdhër të gjithë punonjësve të Ministrisë së Brendshme, të cilët banojnë jashtë Tiranës, që urgjentisht të bëjnë regjistrimin në Tiranë, vetëm për të shtuar ca vota”. “Por, zotëri, nuk mund ta fitoni as Tiranën, as Shqipërinë me manipulime. Ka marrë fund koha e manipulimeve. Ka marrë fund që në 2009-n dhe Partia Socialiste, Opozita e Bashkuar dhe populli shqiptar që do demokracinë, do votën e lirë, nuk lejon më manipulime”, u shpreh Dokle.
Ndërsa kryetarja e Minibashkisë Nr. 1 në kryeqytet, Lindita Nikolli, theksoi se PS-ja ka prova se po shkelet Kodi Zgjedhur duke regjistruar në Tiranë persona që vijnë nga qytete të tjera. “Në shumë minibashki po bëhen regjistrime të personave që vijnë nga qytete të tjera, me qëllimin për të vjedhur zgjedhjet dhe s`ka asnjë pengesë nga sistemi i Gjendjes Civile që të mos i lejuar ata”, deklaroi para protestuesve Lindita Nikolli.











