PS mbyll fushatën te Pallati i Sportit

May 6, 2011 | 10:35

Partitë politike përmbyllin sot fushatën elektorale dhe nga dita e shtunë nis heshtja. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, socialistët kanë vendosur që mbylljen e kësaj fushate ta bëjnë në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.Burime pranë selisë rozë thanë dje se mitingu përmbyllës i fushatës do të zhvillohet në pallatin e sportit për shkak se dy ambientet e tjera, sheshi “Nënë Tereza” dhe Pallati i Kongreseve janë zënë respektivisht nga Partia Demokratike dhe LSI. Duke ditur këtë itinerar, selia rozë nuk i ka kërkuar Policisë së Tiranës leje për shesh dhe garantim të hapësirave publike në kryeqytet. Socialistët e bënë çeljen e fushatë në Pallatin e Kongreseve, ku prezantuan, përveç Edi Ramës dhe platformës së tij për Tiranën, edhe kandidatët kryesorë të PS në të gjithë vendin. Në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-s, PS e hapi fushatën zgjedhore në Qytetin Studenti, aty ku 20 vjet më parë kishin nisur lëvizjet demokratike të studentëve dhe e mbylli atë në sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë. Policia e Tiranës garanton mitingjet përmbyllëse të fushatës zgjedhore për subjektet politike, duke marrë masat e nevojshme për zhvillimin normal dhe pa incidente të tubimeve. Pas kërkesave përkatëse për dhënie lejeje nga dy subjekte politike, Partia Demokratike dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, drejtori i Policisë së Tiranës ka firmosur lejet përkatëse dhe ka njoftuar për kufizimet në qarkullim. Ashtu siç ishte lajmëruar në polici dje, nga ora 18:00 deri në orën 20:00, PDIU zhvilloi mitingun përmbyllës të fushatës zgjedhore në sheshin “Nënë Tereza”. Policia e Tiranës, për të siguruar zhvillimin normal të tubimit paqësore për të cilin ishte njoftuar tri ditë më parë, mori masat e nevojshme dhe bllokoi qarkullimin nga ura e madhe e Lanës, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri në sheshin “Nënë Tereza”, nga ora 16:00 deri në orën 21:00. Pas përfundimit të mitingut, Policia e kryeqytetit njoftoi se gjithçka përfundoi pa asnjë incident dhe nuk është evidentuar asnjë ngjarje. Ndërsa sot, Policia e kryeqytetit do të sigurojë edhe mitingun përmbyllës të Partisë Demokratike, që do të zhvillohet në sheshin “Nënë Tereza”, nga ora 19:00 deri në orën 21:00. Policia njoftoi se ka marrë të gjitha masat e nevojshme, si dhe do të bllokojë qarkullimin e mjeteve përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e madhe e Lanës, deri në sheshin ku do të zhvillohet tubimi, prej orës 17:00 deri në orën 22:00. Fushata zgjedhore për 8 majin, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, është shoqëruar me shumë incidente mes militantëve të dy partive kryesore, por dhe atyre mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Incidentet kanë pasur të plagosur, por jo rrezik për jetën, ndërsa objekt i sulmeve të militantëve janë bërë shpeshherë zyrat elektorale. Për të shmangur çdo incident në ditën e fundit të fushatës, Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për të izoluar dhe bllokuar çdo tentativë që do të krijonte incidente. E vetmja pikë ku mund të përballë mbështetësit e PD-së sot është çadra elektorale e të rinjve të PS-së, e ngritur një muaj më parë në sheshin e vëllezërve Frashëri, ndërsa socialistët do të jenë duke zhvilluar ceremoninë e tyre në Pallatin e Sportit.

Meta: Koalicioni ynë është fitues
Kreu i LSI-së zhvilloi dje në Çorovodë mitingun përmbyllës të fushatës së 8 majit.  Meta, së bashku me përfaqësues të partive të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, kërkuan votë për Nesim Spahiun. “Më 8 maj ka kandidatë që vijnë në emër të Aleancës për Qytetarin, të cilët kërkojnë votat tuaja bazuar mbi projekte konkrete, bazuar mbi një program konkret që zgjidh problemet dhe shqetësimet më jetike të përditshme të komunitetit tuaj dhe kudo tjetër. Nga ana tjetër, vijnë kandidatë në emër të një koalicioni, i cili quhet i rrugës së vetme, një emër i denjë për një koalicion të para 30 viteve në Shqipëri”, u shpreh Meta.

Milo: Vlorës i duhet qeverisje e konsoliduar
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale zhvilloi takim me simpatizantë në qytetin e Vlorës duke kërkuar mbështetjen e tyre për kandidatin e majtë, Shpëtim Gjika. Sipas tij, për një mirëfunksionim të Bashkisë, kërkohet një shumicë e majtë në Këshillin Bashkiak. “Vlorës i duhet një qeverisje e fortë, solide. Një maxhorancë që të jetë e plotë, e padiskutueshme në këshillat bashkiakë dhe komuna. Të miratojnë buxhetin që të mos vihet më në pikëpyetje”, tha Milo.

Padia e Edi Ramës për shpifje, Gjykata e Lartë shtyn gjyqin

TIRANE – Gjykata e Lartë shtyu për një datë tjetër seancën e djeshme gjyqësore, ku do të “përballeshin” kreu i opozitës, Edi Rama me Kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Shqyrtimi i kërkesës së kreut të Partisë Socialiste në lidhje me shfuqizimin e urdhrit të Prokurorisë së Përgjithshme për mosfillim procedimi penal ndaj kreut të qeverisë Sali Berisha, do të zhvillohet më 26 maj. Seanca e paracaktuar nuk mundi të zhvillohej për shkak të mosformimit të Kolegjit Penal prej pesë anëtarësh. Nga kryesuesja e seancës u bë e ditur se një nga anëtarët e Kolegjit, gjyqtarja Ariana Fullani, e kishte të pamundur të paraqitej në seancë për arsye objektive. Në seancën e djeshme nuk ishin të pranishëm as përfaqësuesit ligjorë të kryeopozitarit Rama. Me anë të dy kërkesave drejtuar Gjykatës, ata kërkonin shtyrjen e seancës. Avokati Agim Hysi pretendonte në kërkesën për shtyrje, pamundësi për të marrë pjesë në seancë për shkak të arsyeve objektive familjare. Ndërkohë, në kërkesën e avokatit tjetër, Arjan Salahu, mbrojtësi pohonte se kishte probleme shëndetësore. E ndodhur në të tilla kushte, Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për në datën 26 maj, ora 10:00. Gjykata e Lartë shtyu për dje seancën e 18 prillit 2010 për shkak të disa paqartësive të “servirura” nga palët. ar.ba

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura