Deputetët socialistë do të depozitojnë këto ditë në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për minierat e Bulqizës.Burime pranë selisë rozë pohuan dje se po përgatitet kërkesa për ngritjen e këtij komisioni, ndërsa do të thirren të dëshmojnë në të që nga ministri Genc Ruli e deri tek administratorët e kompanisë ACR, për të cilën socialistët kanë akuzuar se pas saj qëndron ish-ministri i METE, Ruli. Gjithashtu, pjesë e hetimit parlamentar do të jenë dhe të zgjedhurit lokalë në Bulqizë, për të cilët u adresuan mjaft akuza si kontrollorë të tregut mineral të kromit në këtë zonë. Ky do të jetë komisioni i parë hetimor parlamentar, që kërkohet nga grupi i deputetëve socialistë në këtë legjislaturë, për shkak të mosnjohjes së këtij Parlamenti dhe bojkotit thuajse dyvjeçar prej tyre. Ende nuk dihet nëse socialistët do të kërkojnë më parë ndryshimin e rregullores së Kuvendit e më pas ngritjen e komisionit hetimor, pasi në ato pika që ata kërkojnë ndryshim të rregullores, propozohen dhe disa përmirësime të funksionimit të komisioneve hetimore parlamentare.
Debati
Një javë më parë, deputeti socialist Sajmir Tahiri zhvilloi një interpelancë me ministrin aktual të Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, duke i kërkuar atij të ndërhyjë për të kontrolluar të gjithë veprimtarinë koncesionare në zonën e Bulqizës. Sipas Tahirit, në Bulqizë po zhvillohet një korrupsion po aq i madh sa dhe në Gërdec, ndërsa nuk hezitoi të akuzojë dhe emra konkretë të lidhur me afera minerare. Tahiri akuzoi zyrtarë të lartë të PD-së, por dhe zv.drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Agron Kuliçaj, për korrupsion me minierat e Bulqizës. Këtë deklaratë Tahiri e bëri gjatë interpelancës me ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço. “Pasuritë minerare në Bulqizë shfrytëzohen nga 130 kompani të licencuara, prej të cilave 90 janë licencuar në kohën e Genc Rulit. Vetëm në Bulqizë janë 40 kompani, shumica e tyre fshihet pas emrave anonimë dhe pas tyre fshihen njerëz të pushtetshëm. Shtetasi Eduard Keta, vëllai i kryetarit të Bashkisë dhe kryetarit të degës së PD-së në Bulqizë, Roland Ketës, zotëron të ashtuquajturën Zonë D në Bulqizë dhe 4 leje për shfrytëzim dhe stok materiali. Ju thatë që ia keni pezulluar, zoti ministër. Më e pakta është që gënjeni ose nuk dini se çfarë ndodh në Ministrinë tuaj. E gjithë kjo situatë nuk është nga papërgjegjshmëria, por edhe nga korrupsioni. Komanda e korrupsionit, ai që mbahet me gangsterë e polici, pushtet e ryshfete, kalon nga Roland Keta, kryetari i Bashkisë. Kontrabanda shkon dhe më lart, te të paprekshmit e familjes Berisha. Emri i Agron Kuliçajt lidhet drejtpërdrejt me kontrabandën e mineraleve”, u shpreh Tahiri.
Paditë
Pas këtyre akuzave të bëra nga foltorja e Parlamentit, deputeti socialist Sajmir Tahiri mori dy padi, e para nga zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj e, një ditë më pas, edhe nga ministri aktual i Bujqësisë, Genc Ruli. Të dy paditësit depozituan në Gjykatë padi për shpifje. “Policia e Shtetit i konsideron këto akuza presione të papranueshme kundër punës së Policisë së Shtetit, në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, është shprehur zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit.
Bulqizë, rinis sot greva e urisë në minierë
BULQIZE – Mëngjesi i sotëm do t’i gjejë minatorët e Bulqizës në një tjetër grevë urie. Ky është paralajmërimi i sindikatës së minatorëve, bërë javën e shkuar dhe konfirmuar sërish dje, për shkak se mungoi një reagim nga firma ACR. Megjithëse forca të shumta policie vazhdojnë të mbajnë situatën nën kontroll në territorin e ACR-së, të paktën 10 minatorë do të ngujohen, duke kërkuar zgjidhjen e kërkesave të tyre, tërësisht ekonomike. Komisioni i grevës ka hartuar listën e minatorëve grevistë, të cilët kanë shprehur dëshirën të futen në grevë urie. “Kemi pasur shumë kërkesa,- tha dje kryetari i këshillit sindikal të minatorëve të Bulqizës, Dilaver Përkoxha, – por kushtet nuk na lejojnë të zhvillojmë një tjetër grevë urie me pjesëmarrje më të madhe. Ne kemi rënë dakord, vijoi ai, që grevistët e parë të mos hyjnë sërish në grevë urie”. Organizatorët thuhet se kanë përcaktuar edhe vendin ku do të ngujohen minatorët grevistë, por ai nuk bëhet i njohur, pasi policia mund t’i pengojë në realizimin e qëllimit të tyre. Prej 10 ditësh, ACR ka ndërprerë çdo komunikim me minatorët e Bulqizës. “Për herë të fundit ACR u kërkoi minatorëve të hynin në galeri me 12 shtator, ndryshe ata nuk do të konsideroheshin punëtorë të kësaj kompanie. Minatorët nuk iu bindën kësaj kërkese të ACR-së dhe firma e huaj heshti. Po dje, këshilli sindikal i është drejtuar me një letër Ministrisë së Brendshme, ku i kërkon largimin e forcave të shumta të policisë nga territori i ACR-së dhe qyteti i Bulqizës. h.p
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











