PS kërkoi informacione nga SHISH, Hoxha jep dorëheqjen

Jun 12, 2012 | 13:16

Artan Hoxha i shoqëruar nga punonjësi i Gardës

Berisha konfirmon në Grupin e PD arsyet e tërheqjes së kandidatit.

Tahiri: Do ta verifikojmë, të mos jetë i shantazhueshëm.

Partia Socialiste hodhi dyshime në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve mbi të shkuarën e kandidatit të maxhorancës për President, Artan Hoxha. Deputeti socialist Sajmir Tahiri tha se Parlamenti duhet të kërkojë informacione shtesë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi Informativ Shtetëror lidhur me kandidaturën. Sipas tij, në këtë mënyrë do të shmangen shantazhet që atij mund t’i bëhen në të ardhmen si President. “E konsideroj të pamjaftueshëm informacionin që kemi përpara në lidhje me kandidatin për President. Në këtë fazë doja të kërkoja nga relatori të thoshte procedurën e verifikimit në lidhje jo me kriteret, por edhe me këto që janë shkruar. Na duhet informacion për ato që mbase nuk janë pasqyruar këtu. Mbase duhet të marrim të dhëna edhe nga Prokuroria dhe SHISH për të kaluarën e tij dhe nga institucione të tjera, të cilat kanë shumë rëndësi jo vetëm në momentin procedural të miratimit të Presidentit, por edhe nesër, kur zotëria, nëse merr votat e maxhorancës, të ushtrojë detyrën dhe duhet të jemi të qetë që të mos jetë i shantazhueshëm nga histori të tjera që t’i verifikojmë”, u shpreh Tahiri. Në përgjigje të kësaj kërkese, relatori Viktor Gumi theksoi se “në rastin e shqyrtimit të kandidaturës së Presidentit nga Komisioni, detyra e tij është ngushtësisht e përcaktuar vetëm në vlerësimin e atyre kritereve që kanë të bëjnë me respektimin e normës kushtetuese, dhe kjo është një çështje që s’do të ketë debat”. Pas akuzave të opozitës, kandidati i koalicionit të djathtë, Artan Hoxha, dha dorëheqjen duke e akuzuar PS-në për shpifje dhe shantazh. “Kam vazhduar të shpresoj se procesi presidencial premtonte ende mirëkuptim dhe konsensus, por duke parë qëndrimet e eksponentëve socialistë dhe pranë tyre, të cilët filluan të përdorin me agresivitet dhe egërsi të gjitha llojet e akuzave të bajatosura në këto 22 vite, përfshi shpifje dhe shantazhe, arritën në përfundimin se procesi presidencial nuk mund të ketë as minimumin e civilizimit dhe aq më pak të vullnetit të mirë për zgjidhje të arsyeshme dhe konsensuale”, thuhet në deklaratën e Hoxhës. Qëndrimin e PS-së lidhur me kandidimin e ish-ministrit të Ekonomisë e përforcoi edhe Edi Rama në emisionin “Top Story”, i cili hodhi dyshime mbi të kaluarën e tij, por pa dhënë më shumë detaje, duke qenë se ai kishte dhënë dorëheqjen. Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme të Grupit të PD-së, Kryeministri Berisha ka konfirmuar se dorëheqja e Artan Hoxhës ka ardhur pas shantazheve dhe akuzave nga PS për të kaluarën e tij.

Deputetët që firmosën për Artan Hoxhën
1. Astrit Patozi
2. Fatmir Mediu
3. Dashamir Tahiri
4. Ilir Meta
5. Vangjel Tavo
6. Shpëtim Idrizi
7. Albana Vokshi
8. Kosta Barka
9. Sokol Olldashi
10. Ndue Paluca
11. Edi Paloka
12. Gerd Bogdani
13. Fatos Hoxha
14. Luan Skuqi
15. Ridvan Bode
16. Genc Ruli
17. Edmond Spaho
18. Igli Cara
19. Aldo Bumci
20. Majlinda Bregu
21. Mesila Doda
22. Fatbardh Kadilli
23. Lajla Pernaska
24. Besnik Dushaj
25. Lefter Maliqi
26. Arben imami
27. Adriana Gjonaj
28. Tritan Shehu
29. Myqerem Tafaj
30. Gjergji Papa
31. Lediana Aliolli
32. Spiro Ksera
33. Ramiz Cobaj
34. Bujar Nishani
35. Vasillaq Ngresi
36. Ilir Bano
37. Osman Metalla
38. Ismail Hoxha
39. Rrajmond Hoxhaj
40. Rrahim Çota

Garda mori në mbrojtje Hoxhën
Për rreth 12 orë, Artan Hoxha është ruajtur nga Garda e Republikës si President i Shqipërisë. Mbrëmjen e së dielës, kur maxhoranca ka zyrtarizuar emrin e kandidatit për kreun e shtetit, efektivë të Gardës kanë marrë në mbrojtje Hoxhën. Në të njëjtën kohë ai është filmuar mëngjesin e djeshëm duke dalë nga zyra te Instituti i Studimeve Bashkëkohore i shoqëruar nga një truprojë.

Artan Hoxha: Pse tërhiqem nga kandidimi
“Deri pas mbledhjes se mbrëmshme kam shpresuar se procesi presidencial do të mbante frymën minimale të mirëkuptimit dhe konsensualitetit, madje dhe sot në mëngjes pasi kam marrë me qindra e qindra mesazhe urimi, një pjesë e mirë e të cilave më kanë ardhur nga individë brenda dhe pranë Partisë Socialiste, kam vazhduar të shpresoj se procesi presidencial premtonte ende mirëkuptim dhe konsensus, por duke parë qëndrimet e eksponentëve socialistë dhe pranë tyre, të cilët filluan të përdorin me agresivitet dhe egërsi të gjitha llojet e akuzave të bajatosura në këto 22 vite, përfshi shpifje dhe shantazhe, arritën në përfundimin se procesi presidencial nuk mund të ketë as minimumin e civilizimit, dhe aq më pak të vullnetit të mirë për zgjidhje të arsyeshme dhe konsensuale. Arrita të kuptoj se në procesin presidencial, për shkak të interesave politike, nuk lejohet të kontribuojnë faktorët civilë. Unë e kam ndjekur nga shumë pranë procesin presidencial, kam komentuar dhe pak shkuar në favor të zgjidhjes së arsyeshme dhe konsensuale. Mendova të kontribuoj në instancën e fundit për të njëjtin qëllim, por për gjithçka çfarë shpjegova më lart, deklaroj se nuk mund të jem më pjesë e vazhdimit të këtij procesi, i cili, me sa duket, paralajmëron furtune”, deklaroi Hoxha.

Deputetët
Mesditën e djeshme deputetët kanë qëndruar për rreth 60 minuta në sallën e Parlamentit, pa e ditur që pak momente më vonë do të largoheshin pa votuar Presidentin e ri të vendit. Në përfundim të mbledhjes së Grupit të PD-së, rreth orës 09:50, shumica e deputetëve u nisën për në seancën parlamentare, ndërsa një pjesë e tyre morën pjesë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, e cila zgjati 10 minuta. Në orën 10:30 thuajse të gjithë deputetët ishin mbledhur në Parlament. Por aty ata kanë qëndruar për një kohë të gjatë, duke dalë edhe disa herë jashtë sallës, në pamundësi për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Pas 60 minutash, në televizion doli lajmi se Artan Hoxha ishte tërhequr, çka bëri që deputetët të linin Parlamentin, por jo të largoheshin shumë, pasi një pjesë e tyre do të firmosnin për Bujar Nishanin.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura