Partia Socialiste do të dorëzojë sot në Prokurorinë e Përgji-thshme kallëzim penal ndaj KQZ-së për falsifikim rezultati zgjedhor.Burime pranë selisë rozë thanë dje se tashmë dosja e denoncimit penal është gati me të gjitha tabelat që dëshmojnë sipas tyre shtimin e fletëve të votimit në disa kuti votimi në Tiranë, pas përfundimit të numërimit të kutisë së fundit. Sipas socialistëve, janë 357 fletë votimi tepër të gjetura në 117 kuti votimi, të cilat u hapën nga KQZ për të numëruar fletët e votimit të hedhura gabim. Duke analizuar këtë skemë, sipas kreut të grupit socialist, Gramoz Ruçi, KQZ kërkoi të prishë procesin zgjedhor dhe me fletët e gjetura më tepër në kutitë e votimit të provokojë përsëritje të zgjedhjeve në Tiranë. KQZ është autore e drejtpërdrejtë e shkatërrimit të procesit zgjedhor, në këtë përfundim ka arritur kreu i grupit parlamentar të deputetëve të PS, Gramoz Ruçi, njëherësh dhe Kryetar i Asamblesë Kombëtare. Duke shqyrtuar rast pas rasti tabelat e të 117 qendrave të votimit, në të cilat sipas logjikës së KQZ janë gjetur fletë të hedhura gabim, Ruçi tha se krimi elektoral është kryer duke shtuar fletë votimi dhe duke mos u kujdesur fare për faktin që numrat nuk korrespondojnë dhe krimi i kryer duket me aritmetikë të thjeshtë. “Nga 117 qendra votimi të marra në shqyrtim nga KQZ, me një shumatore të thjeshtë dalin 357 fletë votimi më shumë se votues”, është shprehur Ruçi, duke treguar për mediat çdo tabelë të çdo qendre votimi përmes një videoprojektori. Kjo është padia e dytë penale që Partia Socialiste adreson ndaj shumicës së KQZ-së dhe kryetarit të saj, Ristani. Një javë më parë, Partia Socialiste dorëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal ndaj kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, dhe tre anëtarëve të tjerë të shumicës në këtë komision.
Sipas socialistëve, katër zyrtarët e KQZ-së kanë konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve në bashkëpunim, shkelje këto të parashikuara në disa nene të Kodit Penal. Sipas kallëzimit të dorëzuar nga PS, në datë 14 maj, ditë kur kreu i Bashkisë, Rama, fitoi zgjedhjet me 10 vota diferencë, KQZ në të kundërt të detyrimit për të publikuar listat e rezultateve hartoi një skemë manipulative për të deformuar këtë rezultat. Në mbështetje të kësaj skeme, sipas PS, erdhën edhe strukturat elektorale të kandidatit Basha, të cilat, siç shkruhet në kallëzim, krijuan dhe shpikën prova të paqena në KZAZ e Tiranës, me qëllim rivlerësimin e votave të pavlefshme, si e vetmja rrugë për të përmbysur rezultatin e vendosur nga shqiptarët.
PS: Kolegji të vendosë drejtësi
Anëtarja e Asamblesë së Partisë Socialiste, Megi Ajtyresa, në një reagim ndaj deklaratës së LSI-së tha se PS ka prova që zgjedhjet u manipuluan në tavolinën e Ristanit, ndërsa theksoi se këto prova do të dorëzohen në Prokurori. “Shqiptarët panë me shifra, dhe jo me fjalë vjedhjen e organizuar nga Saliu në tavolinën e Ristanit. Çdo ditë ne do të hedhim dritë mbi kutitë e manipuluara, për të përmbysur fitoren tonë në Tiranë. Që nesër edhe Prokuroria do të disponojë të gjithë të vërtetën e këtij kanibalizmi elektoral”, tha Ajtyresa. Ajo i kërkoi Kolegjit Zgjedhor të vendosë drejtësi, ashtu siç ligji e parashikon, ndërsa nga Prokuroria kërkoi ndëshkimin e falsifikatorëve të zgjedhjeve.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











