Partia Socialiste publikoi dje disa fakte, të cilat sipas saj tregojnë se janë falsifikuar kartat e identitetit, me qëllimin për të manipuluar procesin zgjedhor.Deputetët e kësaj force politike, Paulin Sterkaj dhe Tom Doshi, kanë nxjerrë para mediave disa karta false, të cilat janë të ndryshme nga ato origjinalet. Ata thanë se kanë informacion për një numër të madh të këtyre dokumenteve me të cilat po pajisen qytetarët për të marrë pjesë në zgjedhjet e 8 majit. “Ne kemi pesë karta në dorë. Është e njëjta firmë. Po ta kapim kartën origjinale dhe ta rrotullojmë në pozicione të ndryshme merr disa ngjyra. Tek karta origjinale kemi edhe shqiponjën që shkuan ‘Albania’. Tek karta falso është thuajse mat e plastifikuar dhe ngjyra nuk ndryshon”, deklaroi Paulin Stërkaj. Nga ana e tij, deputeti tjetër i PS-së, Tom Doshi, theksoi se shumë nga personat që i kanë bërë kartat e identitetit false janë në Itali, ndërkohë që janë përgatitur letrat për t’i deklaruar ata si shtetas që kanë hyrë në Shqipëri për të votuar dhe kanë dalë pas dy ditësh. “Personat nuk e dinë se i disponojnë këto karta. Ata janë në Itali dhe kështu është bërë për të gjitha këto karta falso. Janë marrë masa që të regjistrohen edhe në Rinas që gjoja kanë hyrë në Shqipëri dhe kanë dalë pas dy ditësh. Këta kanë bërë në mendje t’i vjedhin sërish zgjedhjet. I vodhën në 2009-n dhe duan t’i vjedhin sërish”, deklaroi Tom Doshi. Bëhet e ditur gjithashtu se komisionerët e opozitës janë trajnuar për të verifikuar kartat e identitetit, të cilat janë falsifikuar me qëllimin për t’u përdorur në zgjedhjet që do të mbahen sot.
Reagimi i Ministrisë
I menjëhershëm ishte reagimi i Ministrisë së Brendshme lidhur me akuzat e dy deputetëve të Partisë Socialiste. Në një deklaratë për shtyp të kësaj Ministrie, thuhet se “Ministria e Brendshme ndjek me shqetësim deklaratat publike të deputetëve të Partisë Socialiste Z. Paulin Sterkaj dhe Z. Tom Doshi, për ekzistencën e kartave të identitetit të falsifikuara, duke e konsideruar këtë si një tentativë për të dëmtuar procesin zgjedhor. Ministria e Brendshme vlerëson reagimin e menjëhershëm të Policisë së Shtetit për të marrë faktet e pretenduara nga deputetët e Partisë Socialiste, si procesi më korrekt ligjor për sqarimin e çdo pretendimi”. Në të njëjtën kohë, Ministria e Brendshme i kërkon dy deputetëve të PS-së që të bashkëpunojnë me policinë për t’i dhënë kësaj të fundit të gjitha provat që disponojnë. Ky dikaster siguroi qytetarët se janë marrë të gjitha masat për të ushtruar të lirë të drejtën e tyre për të zgjedhur. “Deputetët Sterkaj dhe Doshi kanë detyrimin ligjor të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë për hetimin e rasteve të pretenduara, duke dorëzuar të gjitha provat dhe informacionet që ata disponojnë. Dokumentet shqiptare të identitetit janë të standardeve më të larta europiane. Ministria e Brendshme garanton qytetarët shqiptarë se e tërë infrastruktura zgjedhore, përfshirë edhe dokumentet e identitetit, përmbush standardet e kërkuara dhe garanton ushtrimin e lirë të së drejtës së votës”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.
Shenjat e kartës së falsifikuar
Karta origjinale dhe ajo e falsifikuar, megjithëse duken të njëjta nga larg, kanë disa elementë që i dallojnë. Kështu, karta origjinale te çipi duke e parë nga e majta janë katër gishta, ndërsa nga e djathta janë tre gishta. Karta false ka dy gishta nga e majta, dy gishta nga e djathta një katror në mes dhe dy trekëndësha poshtë dhe lart. Çipi në kartën origjinale është brenda kartës, ndërsa në kartës false është mbi sipërfaqen e saj. në të njëjtën kohë nga ajo që provohet kur i shikon nga afër dy kartat e identitetit, rezulton se karta origjinale është elastike, e hollë, mund të paloset dhe rikthehet pranë në vend. Ndërsa karta e falsifikuar nëse paloset prishet dhe nuk drejtohet më.
Ruçi akuzoi Berishën për kartat
Rreth një vit më parë kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, duke folur në Parlament tha se kartat e identitetit janë falsifikuar. “Kam 2 karta të një zonje, me të njëjtën fytyrë, ku mbiemri është i njëjtë, emri ndryshon. Kjo mund të ketë votuar tre herë, një herë me kartën origjinale, njëherë me emrin e motrës së madhe, me mbiemrin e saj dhe të motrës së vogël, me mbiemrin e saj. Një shtetas me tre karta identiteti dhe një tjetër me katër. Dy herë në Korçë, dy herë në Tiranë. Çfarë del nga kjo? Del ajo me të cilën është mburrur deri më sot mazhoranca: lista perfekte. Ky person e ka pasur emrin dy herë në Tiranë dhe dy herë në Korçë. Në listën e zgjedhësve, njëherë 1452 dhe njëherë 1453. Ka kartat dhe është informuar ku do të votojë”, tha Ruçi. Këto akuza u hodhën poshtë nga kryeministri Berisha gjatë asaj seance.
Policia: Kartat të pafalsifikueshme
Policia e Shtetit reagoi dje në lidhje me akuzat e Partisë Socialiste për kartat e identitetit. Policia tha se nga verifikimet rezulton se: Shtetasi Sidrit Mehmet Gali, i datëlindjes 14.07.1989, me banim në Dobraç Shkodër, është pajisur me kartë identiteti, dokument i cili është lëshuar me datë 29.05.2009 nga Komuna Rrethina në Shkodër, shtetasi Ylli Emin Gjata, i datëlindjes 30.11.1985, me banim në Dobraç Shkodër, është i pajisur me kartë identiteti dhe pasaportë biometrike, me datë 17.09.2009. Sipas Policisë, kartat e identitetit janë të pafalsifikueshme.
Votim i reduktuar në disa burgje
TIRANE – Një numër i konsiderueshëm personash të dënuar, që mbahen në burgje të ndryshme të vendit, do të jenë të privuar sot për ushtrimin e të drejtës së votës. Kështu, administrata e burgjeve, pasi ka analizuar të dhënat për personat që mbahen në qeli, ka vendosur të marrë në dorëzim bazën materiale dhe të organizojë procesin e votimit vetëm në burgjet e Beratit, Bajram Currit në Tropojë dhe në Durrës. Kjo, për shkak se sipas ligjit shtetasit shqiptarë nuk mund të votojnë në një lokalitet ku nuk janë të regjistruar. Numri më i madh i të dënuarve dhe të burgosurve janë persona që mbahen në qelitë e burgjeve në qytete të tjera nga vendbanimi i tyre. Për një numër të vogël të burgosurish që përmbushin kriterin e vendbanimit, është menduar që të shoqërohen në qendrat e votimit, por më pas kjo ide është anuluar.
Tiranë, Policia merr në ruajtje 878 qendra votimi
TIRANE – Një numër prej 878 qendrash votimi dhe 16 ambiente ku do të veprojnë KZAZ-të, u morën dje në ruajtje nga Policia e Tiranës. Lajmi është njoftuar nga Drejtoria e Policisë së kryeqytetit, e cila tha se pas mbërritjes së bazës materiale, punonjësit e policisë morën në ruajtje 878 qendra votimi. Ruajtja me policë e këtyre ambienteve ka nisur nga momenti i mbërritjes së materialeve zgjedhore në Komisionin e Qendrës së Votimit. Policia njoftoi gjithashtu se nga uniformat blu do të ruhen edhe 16 KZAZ, duke nisur nga ora 20:00 e ditës së djeshme deri në ora 08:00 të ditës së sotme. Pas vendosjes në pozicione të efektivave të policisë që ruajnë qendrat e votimit dhe KZAZ-të, largimi i forcave të rendit do të bëhet më 8 maj 2011, kur Komisionet e Qendrave të Votimit të fillojnë veprimet paraprake për hapjen e votimit. Policia më pas do të vendoset në komisariate ose në stacionet e saj apo në vendet e grumbullimit sipas planifikimit paraprak. Policia e Tiranës tha dje se baza materiale është shpërndarë dje pa incidente dhe probleme të krijuara. Ditën e djeshme, zv.drejtori i përgjithshëm i policisë, Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë për median deklaroi edhe masat e marra deri tani nga policia, si dhe veprimet që do të kryhen për garantimin e procesit zgjedhor në vazhdim. Rrumbullaku tha se qendrat e votimit dhe KZAZ do të ruhen nga 5.160 efektiva policie, ndërsa për lëvizjen e tyre si dhe garantimin e të drejtës për të votuar në bashkëpunimin me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë janë vënë në dispozicion 26 mjete transporti. Për ditët në vazhdim, Policia e Shtetit ka kaluar në shërbim të përforcuar për të bërë të mundur përballimin me sukses të procesit zgjedhor. Në vazhdim policia do të veprojë në ruajtjen e rregullit dhe rendit në qendrat e votimit në rastet e kërkesës së ligjshme të Komisioneve të Qendrave të Votimit, si dhe në shoqërimin e materialeve të votimit nga Qendrat e Votimit për në Vendet e Numërimit të Votave, të cilat do të ruhen me efektiva policie.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











