
Kryesia e Partisë Socialiste mban qëndrim lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë
“Gjyqësori, nën kontrollin e pushtetit politik të Berishës”
Kryesia socialiste miratoi një deklaratë politike lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë për pafajësinë e Ilir Metës. Ende pa mbaruar mbledhjen e Kryesisë, zyra e shtypit e PS-së shpërndau një deklaratë ku dënohej vendimi i Gjykatës, ndërsa ajo cilësohet krejtësisht e varur politikisht. “Partia Socialiste e Shqipërisë e konsideron vendimin e djeshëm të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë: Dëshminë më alarmante të rënies së rendit ligjor dhe shtetit të së drejtës; Faktin më tronditës të thërrmimit të parimit kushtetues “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”;
Provën e përsëritur dhe më të padiskutueshme të kapjes përfundimtare të Gjykatës së Lartë e të vendosjes së pushtetit gjyqësor nën kontrollin e pushtetit politik të Sali Berishës”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Kryesisë socialiste. Sipas selisë rozë, vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë tregoi konsolidimin e mëtejshëm të kulturës së pandëshkueshmërisë. PS e konsideron vendimin e Gjykatës konsolidim të “kulturës së pandëshkueshmërisë”, pas tri vendimeve të njëpasnjëshme të së njëjtës Gjykatë për tri raste flagrante të korrupsionit në nivelin më të lartë qeveritar; Konfirmim të lidhjes së shkurtër mes aktivitetit kriminal të politikës në pushtet dhe drejtësisë si garante e kësaj të fundit”, thuhet në deklaratën e Kryesisë së selisë rozë. Për Partinë Socialiste, shkelja e këtyre parimeve dhe dhënia e pafajësisë Ilir Metës nga Gjykata e Lartë rrezikon proceset integruese të vendit. “Partia Socialiste e Shqipërisë e konsideron gjithashtu me shqetësim të thellë këtë vendim si një refuzim i drejtpërdrejtë i tri prioriteteve kyçe të vendosura nga Bashkimi Europian për Shqipërinë: një drejtësi e pavarur e profesionale; luftë kundër korrupsionit në nivelet e larta; luftë kundër krimit të organizuar”, thuhet në deklaratën e miratuar nga Kryesia socialiste. Duke mirëkuptuar ndjesitë e krijuara nga ky vendim, Kryesia socialiste i siguron qytetarët se programi i ri i PS-së do të jetë dalja nga situata aktuale në të cilën ndodhet vendi. “Ne socialistët dhe progresistët shqiptarë jemi sot edhe më të motivuar e të angazhuar se dje, për të vënë në jetë programin tonë të ri “Për një Rilindje Shqiptare” duke theksuar fort çka kemi miratuar solemnisht në këtë program; Çmontimin e regjimit të padrejtësisë; Vendosjen e barazisë para ligjit dhe shtetit të së drejtës; Çrrënjosjen e pandëshkueshmërisë si kulturë e këtij regjimi”, thuhet në deklaratën e Kryesisë socialiste. Sipas saj, një nga vendimet e para që PS do të marrë, do të jetë heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë. “Heqja e imunitetit kushtetues si pengesë për të hetuar e ndëshkuar krimin dhe korrupsionin në nivelet e larta të pushteteve kushtetuese dhe ndalim të politikës për t’u përdorur në shërbim të korrupsionit; Transparencë e plotë e të gjitha vendimeve e akteve të shumicës së sotme, të bëra me qëllim përvetësimin e paligjshëm të pasurive kombëtare e publike apo pasurimin e paligjshëm, dhe marrje e hapave kushtetues e ligjorë për ndëshkimin e këtij fenomeni shkatërrues për ligjshmërinë e për ekonominë kombëtare”, thuhet në deklaratë. PS premton rihetim dhe rigjykim të çështjeve të korrupsion, që janë mbyllur nga gjykatat dhe Prokuroria. “Nxitje me fakte e prova të rihetimit dhe gjykimit të çdo çështjeje gjyqësore me objekt korrupsionin e nivelit më të lartë qeveritar, mbyllur arbitrarisht nga gjykata në refuzim të qartë të fakteve të njohura botërisht, ekspertimeve profesionale kombëtare e ndërkombëtare”, përfundon deklarata e Kryesisë socialiste.
Të dielën mblidhet Asambleja Kombëtare
PS nuk do të marrë pjesë në komisionin hetimor për Spahiun
Partia Socialiste nuk do të marrë pjesë në komisionin hetimor parlamentar për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Burime pranë Kryesisë socialiste pohuan dje se kjo çështje u diskutua në fund të mbledhjes që zgjati rreth tri orë e gjysmë, ndërsa deputetët Xhafaj, Gjiknuri dhe Subashi kanë argumentuar se kërkesa e PD për shkarkim është antikushtetuese. Duket se PS nuk do të përfshihet politikisht në debatin e PD për shkarkimin e Spahiut, ndërsa do të mbajë qëndrimin e saj për këtë komision, kërkesën e PD-së dhe rëndësinë që ka përmirësimi i sistemit gjyqësor, dhe jo vetëm shkarkimi i Spahiut si individ. Por, para fillimit të komisionit, sot në mëngjes, anëtarët e Komisionit të Ligjeve pritet të mblidhen sërish për të finalizuar qëndrimin që do të mbajnë në nisje nga puna të tij. Kryesia socialiste vendosi dje mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ditën e diel, në orën 11:00, ku do të miratojë axhendat politike dhe atë të Grupit Parlamentar deri në muajin qershor të këtij viti, ndarjen e anëtarëve të Kryesisë, Asamblesë dhe Grupit Parlamentar socialist në rrethe dhe qarqe, që të merren drejtpërdrejt me punët e partisë, fushatat, pushtetin vendor. Mbledhja e Kryesisë socialiste pranoi në parim se do të ketë lëvizje të anëtarëve të saj si të deleguar në qarqe. Pritet që të gjithë anëtarët e Kryesisë të lëvizin nga qarqet e tyre, në të cilat kanë ndjekur punët e partisë, por kanë qenë dhe kryesues të listave për deputetë në këto qarqe. Kryesia gjithashtu miratoi çregjistrimin e Kastriot Islamit nga Grupi i PS dhe nga partia, vendim i marrë nga Grupi Parlamentar. Në fund të mbledhjes, sekretari Organizativ, Blendi Klosi, i cili mbushi 41 vjeç, ndau një tortë me Kryesinë e re të PS dhe shampanjë, ndërsa pas tri orë diskutimesh, torta duket se ishte mbyllja më e mirë e saj.
FRESSH
Forumi Rinor Eurosocialist do të zhvillojë sot një protestë para Kryeministrisë. Në orën 11:00, FRESSH Tirana ka lajmëruar për një protestë kundër vendimit të Gjykatës së Lartë për pafajësinë e ish-zv.kryeministrit Ilir Meta. Në adresën e saj në Facebook, koordinatorja kombëtare e Forumit Rinor, Elisa Spiropali, njofton se “nesër, në orën 11:00, protestë te Kryeministria! Drejtësia është kthyer në një turp kombëtar. Sistemi ynë i Drejtësisë dënon ata që s’kanë, por asnjëherë ata që i kanë vjedhur të gjitha! Nuk dënon njerëzit me pushtet. T’u kërkojmë llogari atyre që drejtësinë e kanë asgjësuar”.
Martin Schultz: Edi Rama, letër urimi Presidentit të ri të PE

Martin Schultz u zgjodh President i Parlamentit Europian me 387 vota pro nga 670 të regjistruara në një seancë plenare në Strasburg, gjatë së martës. Sipas marrëveshjes mes dy grupimeve kryesore politike, i majti Schultz zëvendëson të djathin Jerzy Buzek, në drejtimin e njërit prej tri institucioneve më të rëndësishme europiane gjatë gjysmës së dytë, deri në përfundimin e legjislaturës aktuale. Socialdemokrati gjerman Martin Schultz, eurodeputet prej vitit 1994, drejtonte grupimin e majtë në Parlamentin Europian që prej vitit 2004. Për europianët, Schultz mbahet mend për përplasjen me Kryeministrin Berluskoni ndërsa kritikonte Presidencën italiane të BE së në vitin 2003. Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama i ka dërguar një letër Martin Schultz-it me rastin e zgjedhjes se tij në postin e Presidentit të Parlamentit Europian.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al












