Partia Socialiste ka fituar 12 bashki në rang vendi, kundrejt 11 të fituara nga Partia Demokratike.Një ditë pas nisjes së numërimit të votave, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur informacionet për një pjesë të madhe të bashkive dhe komunave, nga ku rezulton se socialistët kanë fituar ose janë në avantazh në disa bastione të PD-së. Socialistët janë në avantazh në 14 bashki, kundrejt 5 të PD-së. Kështu, PS-ja është përpara me rreth 500 vota në Bashkinë e Kavajës, një bastion prej rreth 20 vjetësh i PD-së, ndërkohë që ka fituar Bashkinë e Krumës, ku demokratët kishin tre mandate radhazi. Në të njëjtën kohë, socialistët kanë rritur numrin e votave të tyre në disa bashki në Jug të vendit, të cilat deri tani mbaheshin nga PD-ja. Konkretisht, PS ka fituar pas 6 vjetësh Bashkinë e Sarandës me ish-deputetin e saj, Stefan Çipa, si dhe ka rimarrë Tepelenën, Memaliajn dhe Përmetin. Përsa u përket bashkive që janë konfirmuar tashmë, rezulton se PS do të qeverisë për katër vitet e ardhshme me pushtetin lokal edhe në Ballsh, Gjirokastër, në Urën Vajgurore, Ersekë dhe Burrel. Në këtë listë, ajo që bie në sy është pikërisht fakti që PS-ja ka fituar në Bashkinë e Himarës, ku prej dy mandatesh drejtonte Vasil Bollano, aq i kritikuar nga opinioni për deklaratat e tij pro Vorio-Epirit. Në të njëjtën kohë, PS-ja është në avantazh edhe në Fier, Lushnjë, Berat, Vlorë, Korçë dhe Elbasan.
Bashkitë e PD
Përsa i përket Partisë Demokratike, ajo ka siguruar deri tani 11 bashki në të gjithë vendin. Demokratët kanë ruajtur fitoren në Kukës, Bajram Curri, Bilisht, Peshkopi, Leskovik, Delvinë dhe Bulqizë. Së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim, PD-ja ka ruajtur edhe Bashkinë e Lezhës, ndërkohë që në ndryshim nga zgjedhjet e vitit 2007, kjo forcë ka fituar Bashkinë e Pukës dhe atë të Librazhdit. Në të njëjtën kohë, Partia Demokratike është në avantazh edhe në pesë bashki të tjera, dy prej të cilave janë qendër qarku. Konkretisht, Lorenc Luka, i koalicionit të djathtë, vazhdon të kryesojë në Shkodër me rreth 1700 vota më shumë se kundërshtari i tij, kur janë numëruar 18 kuti nga 95 që janë gjithsej. Gjithashtu, PD-ja e sheh veten në avantazh edhe në qytetin e Durrësit. Megjithëse gjatë gjithë paradites së djeshme Vangjush Dako ishte në avantazh, në mbrëmje, Ferdinand Xhaferaj kaloi me rreth 70 vota përpara. Gjithashtu, PD-ja është në avantazh edhe në Bashkitë Kamzë, Sukth dhe Cërrik.
11 bashki
Në total, në të gjithë vendin, pas ditës së parë të numërimit, Partia Demokratike ka fituar 11 bashki, mes të cilave Librazhdi, Puka, Kukësi, Bajram Curri dhe Delvina, ndërsa PS-ja ka marrë 14 bashki, mes të cilave Gjirokastra, Saranda, Përmeti dhe Himara.
12 bashki
Nga rezultatet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PS-ja kryeson në 12 bashki në rang vendi, ku përfshihen Korça, Vlora, Elbasani, Fieri dhe Berati, ndërsa PD-ja kryeson në Shkodër, Durrës, Sukth, Cërrik dhe me 500 vota në Kamzë.
Rezultatet e KQZ
Bashkitë që ka
fituar PD
Lezhë
Bilisht
Kukës
Bajram Curri
Peshkopi
Fushë Arrëz
Pukë
Leskovik
Delvinë
Bulqizë
Librazhd
Bashkitë që
ka fituar PS
Ballsh
Gjirokastër
Memaliaj
Tepelenë
Përmet
Ura Vajgurore
Krumë
Rubik
Ersekë
Himarë
Sarandë
Burrel
Bashkitë ku PD
është në avantazh
Shkodër
Kamëz
Durrës
Sukth
Cerrik
Bashkitë ku
PS është në avantazh
Patos
Kuçovë
Lushnje
Poliçan
Korçë
Pogradec
Rrëshen
Laç
Kavajë
Vlorë
Fushë Krujë
Elbasan
Fier
Berat
Tiranë
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











