PS e Gjirokastrës humb njësitë vendore, zgjodhi kandidatë anonimë

May 12, 2011 | 9:53

GJIROKASTER – Përfundon në Gjirokastër procesi i numërimit të votave, ku nga 13 njësi vendore, 2 prej tyre i ka fituar koalicioni “Aleanca për të ardhmen”, 4 PBDNJ, dhe 7 koalicioni “Aleanca për qytetarin”. Sipas sekretarit të KZAZ-së, Belul Hila, procesi i numërimit të votave në mesditë përfundoi plotësisht dhe tashmë shtatë anëtarët e KZAZ-së do të përpilojnë raportin përfundimtar për ta dërguar pranë Komisionit Qendror Zgjedhor. Të gjithë kandidatët kanë pranuar verdiktin e zgjedhësve, përveç kandidatit të majtë Krenar Kulla, për komunën Qendër Libohovë. Ai humbi me katër vota ndaj rivalit të tij Gentian Koçi, i “Aleancës për qytetarin”. Në orët e vona të natës, komisionerët e numërimit të PS-së, ndërprenë në mënyrë të njëanshme numërimin sapo identifikuan një avantazh të lehtë të kandidatit demokrat, karshi Kullës. Ky i fundit nuk ka pranuar rezultatin përfundimtar ku humbi me katër vota diferencë. Sipas Kodit Zgjedhor, edhe gjatë rivlerësimit të votave, ka rezultuar se përfaqësuesi i PD-së, Gentian Koçi, ka fituar 580 vota, përkundrejt 576 votave të përfaqësuesit socialist Krenar Kulla, prej 11 vitesh kryetar i kësaj njësie vendore. “Tre anëtarët e KZAZ nr. 25, nuk pranuan rezultatin dhe tashmë vendimi përfundimtar do të merret nga KQZ”, bënë të ditur burime pranë kësaj KZAZ-je. Në fund, janë numëruar edhe kutitë e votimit në Komunën Zagorie, ku kandidati i “Aleancës për qytetarin”, ka fituar me 70 vota më tepër ndaj kandidatit të koalicionit të majtë Ilir Kuro. Në KZAZ nr. 25, që përfshin rrethin e Gjirokastrës, u thirrën për të votuar në zgjedhjet e 8 majit 66.630 zgjedhës, prej të cilëve 55.3 përqind e tyre ushtruan të drejtën e votës. Pas këtyre rezultateve, mund të thuhet se banorët e rrethit të Gjirokastrës, ndryshe nga zonat e tjera të vendit, u kanë besuar drejtimin njësive vendore, përfaqësuesve të maxhorancës qeverisëse. Kjo për meritë të kandidaturave më përfaqësuese qw ishin hedhur nga ana e PD-së në raport me ato të PS-së të cilat në shumicën e rasteve, ishin individë anonimë që nuk njiheshin për kontribute të veçantë në zonë. Ndërkaq, në Tepelenë numërimi ka ngelur në vend. Shkak është bërë pretendimi i numëruesve demokratë për një kuti të kontestueshme që i përket fshatit Bylysh ku 35 vota, sipas tyre dalin me probleme. Është pothuajse e njëjta skemë e përdorur nga socialistët në Gjirokastër për rastin e komunës Qendër Libohovë. Lavdije Hadëri kryetare e kësaj komune prej katër vjetësh nga PD-ja, nuk pranon rezultatin momental ç’ka e nxjerr atë humbëse përballë kandidatit socialist Munir Mehmeti. Në KZAZ e Tepelenës, kanë shkuar edhe përfaqësues të OSBE-ODIHR, por deri në orët e mbasdites, numërimi nuk kishte filluar duke e mbajtur të bllokuar për gati 16 orë numërimin e kutive të votimit. Deri tani në Tepelenë, PD ka fituar në komunën e Luftinjës, në Krahës ka fituar kandidati i pavarur dhe komuna Qendër Tepelenë, ku ka fituar PS. Edhe në Përmet procesi ecën ngadalë ku janë numëruar tre komuna prej të cilave dy të fituara nga PD dhe një PS-ja.                  p.n

Gjirokaster

.    Bashkia Gjirokastër, fiton PS
.    Bashkia Tepelenë, fiton PS
.    Bashkia Memaliaj, fiton PS
.    Bashkia Përmet, fiton PS
.    Bashkia Këlcyrë, fiton PS
.    Bashkia Libohovë, fiton PD
.    Komuna Qendër Libohovë, PD
.    Komuna Zagorie, fiton PD
.    Komuna Luftinjë, fiton PD
.    Komuna Krahës, kandidati i pavarur
.    Komuna Qendër Tepelenë, fiton PS
.    Komuna Dropull i Sipërm, fiton PBDNJ
.    Komuna Dropull i Poshtëm, fiton PBDNJ
.    Komuna Pogon, fiton PBDNJ

© Panorama.al

Te lidhura