PS: E dimë se në çfarë zyrash i bënë pazaret gjyqtarët e Kolegjit

Jul 15, 2011 | 11:03

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, akuzoi dje gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor se janë paguar për të dhënë vendime në favor të kandidatit të PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Në një prononcim për mediat, ai tha se selia rozë ka informacione të sakta se në çfarë zyre i kanë bërë pazaret gjyqtarët, duke filluar nga Tom Ndreca deri te Sashenka Jonuzi. “Ne e dimë fare mirë se kush është zyra avokatore familjare në të cilën u thirrën anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, nga Toma te Sashenka, për të bërë pazarin. Këta gjyqtarë të korruptuar kemi prova të qarta se në cilën zyrë janë ftuar, se me kë janë takuar dhe sa janë paguar”, tha Balla. Sipas tij, “kemi prova të qarta, të pakontestueshme, të provueshme që Sali dhe Lulzim Berisha kanë harxhuar për qëllime manipulimi zgjedhjesh në Tiranë, për këtë fushatë që i ktheu zgjedhjet në një kasaphanë elektorale, 40 milionë euro”. Deputeti socialist akuzoi dy zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme, zv.ministrin Ferdinand Poni dhe drejtorin e Gjendjes Civile, Armand Teliti, për manipulime me listat e votuesve. “10 mijë zgjedhës me banim në Tiranë kanë votuar në mënyrë të dyfishtë për shkak se në gjeneralitetet e tyre, më së shumti në vitin, datën apo muajin e lindjes, kanë ndryshime, të cilat kanë shmangur kapjen e dublimit nga sistemi kompjuterik. Na rezulton se banorë të rrethinave të njësive të tjera vendore që rrethojnë Tiranën kanë votuar dy herë përmes këtij sistemi manipulativ. Shkon në 40 mijë numri i votuesve të sjellë në Tiranë apo votues dy herë në Tiranë, për të arritur në atë numër”, tha Balla.

© Panorama.al

Te lidhura