PS e akuzon, Imami: Nuk i kemi shitur armë Libisë

Mar 22, 2011 | 9:58

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, raportoi dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Parlament mbi tregtinë e armëve të Shqipërisë me vendet e tjera.I pyetur nga deputetët socialistë, nëse armë shqiptare janë shitur në vendet e Lindjes së Mesme, të cilat janë në konflikt, Imami deklaroi se Shqipëria nuk ka bërë tregti të paligjshme siç pretendohet. Ai tha se vendi ynë nuk ka asnjë marrëveshje për tregtinë e armëve dhe municioneve me Jemenin dhe Libinë. “Mund të them me bindje se Shqipëria, në këto 5-6 vitet e fundit, i ka parë me vëmendje maksimale të gjitha procedurat e kërkuara në drejtim të import-eksportit të mallrave dhe municioneve luftarake. Të jeni të bindur se nuk kemi dërguar kurrë armë në Libi. Në përfundim do të përgjigjesha, se përveç kritereve ligjore dhe atyre politike për të mos furnizuar me armë vendet që nuk janë mike apo janë armiqësore ndaj Shqipërisë dhe NATO-s, besoj që është zbatuar edhe një kriter moral për të mos çuar armatime atje ku ka konflikte të ndezura midis shteteve, pra ku ka luftra”, deklaroi Imami. Nga ana tjetër, nënkryetari i Komisionit, Ilir Gjoni, kërkoi informacion nëse armët shqiptare kanë përfunduar në këto vende nëpërmjet ndërmjetësve apo vendeve të tjera ku Shqipëria ka shitur armë. “Fakti që ne ju kërkuam sqarime, ka të bëjë me atë që ne kemi dyshime të forta që baruti i importuar nga Serbia dhe Irani është përdorur për të rimbushur predhat, të cilat janë importuar në Mal të Zi, por që në fakt nuk kanë shkuar atje, por kanë përfunduar në portet e Libisë. Ju keni një agjenci në Durrës, e cila kontrollon të gjitha lëvizjet jo vetëm brenda territorit tonë, por në tërë Mesdheun. Duam të dimë dhe të na sqaroni se në çfarë destinacioni ka përfunduar anija e cila ka pasur në bordin e saj 150 mijë predha mortajë?”, tha Gjoni. Ministri Imami dorëzoi në komision një përmbledhje të armëve që ka shitur vendi ynë. Shqipëria i ka shitur armë në tri vitet e fundit Burundit, Çekisë dhe Malit të Zi. Edhe pse ka pasur kontrata të tjera, ato nuk janë realizuar. Edhe pse Jemeni ka bërë kërkesë për 4 milionë fishekë dhe 20 mijë predha, nuk arriti t’i blejë dot në Shqipëri. “Mali i Zi është në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në NATO, ndërsa i bindet të gjitha rregullave të tregtisë së këtyre mallrave dhe përdorimit ushtarak si një vend që zbaton në këtë drejtim standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian. I merr, i demonton, i rregullon dhe i rishet. Pasi bën një proces industrial, i rishet. Për çfarë ndodh në Malin e Zi, ne nuk mund të përgjigjemi”, shtoi Imami.

Gjoni: Dyshime mbi tregtinë e armëve

Deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, në pyetjet për ministrin Imami, hodhi dyshime në lidhje me tregtinë e ramëve që ka bërë vendi ynë. Sipas tij, ende nuk janë të qarta nëse ndërmjetësit e këtyre kontratave janë persona të autorizuar, dhe jo në listën e zëzë. Gjoni shtoi se nuk ka ende sqarim se si armët shqiptare kanë përfunduar në Libi. “Në kërkesën tonë ne kishim kërkuar informacion mbi eksportet në Jemen dhe na keni dhënë një përgjigje shterues. Gjithsesi, dëshiroja të dija pse është rinovuar licenca me Jemenin në dhjetor të 2010, në një kohë kur ne të gjithë dimë që Jemeni ka qenë përfshirë nga një valë revoltash të brendshme. Rezulton po ashtu, që në eksportet me Malin e Zi, ndërmjetësi është kompani malteze në mos gaboj. Desha të di nëse ndërmjetësit dhe përfaqësuesit e kompanisë që kanë ndërmjetësuar me MEICO, është personi i cili nuk është i përfshirë në listat e zeza apo jo”, tha Gjoni.

Debati në Komisionin e Sigurisë

Arben Imami: Nëse unë apo ndonjë ministër tjetër ka bërë një veprimtari të paligjshme, kjo është kriminale. Por edhe nëse kjo nuk është e vërtetë dhe shpifin, atëherë edhe kjo është kriminale. O njëra o tjetra.
Ilir Gjoni: Ju përfaqësoni një nga institucionet më të rëndësishme të këtij shteti. Por ju nuk mund të thoni dot që tregtia është e ligjshme dhe këtu mbyllet historia. Ne jemi dëshmitarë të një fakti shumë tronditës, që e dimë të gjithë që këtu ishte Gërdeci. Edhe aty çmontim, transportim, eksport i ligjshëm bëhej, por ama ka mekanizma të tjerë që dalin jashtë mekanizmave ligjore për përfitime të ngushta njerëzish.
Arben Imami: Gërdeci është nën shqyrtim dhe drejtësia do të thotë fjalën e saj. Çdo ministri dhe çdo institucion tjetër shtetëror duhet të zbatojë detyrën dhe ne besoj e kemi kryer detyrën sipas ligjit. Unë punoj në një punë është tërësisht transparente dhe tregtia e armëve është si tregtia e çdo malli tjetër, por sigurisht në disa kushte të tjera.
Gazmend Oketa: Personalisht, mendoj se ministri theksoi se bëhet fjalë për tregti të ligjshme. Në rast se ndonjë nga kolegët, nga cilado anë e tavolinës të qëndrojë, ka një informacion për tregti të paligjshme, do të donim të na bëhej me dije ky informacion. Pastaj, hamendësimet se ky produkt i çuar në Mal të Zi për të çuar predha, janë hamendësime personale.
Arben Imami: Kjo Ministri nuk i ka shitur armë dhe municione një vendi nën embargo. Nuk i ka shitur ndonjë vendi terrorist apo që mbështet terrorizmin.
Gazmir Bizhga: Dëgjova ministrin duke thënë se kemi siguri në dogana shqiptare dhe s’mund të dalë ndonjë anije kontrabandë nga ky vend. Kjo nuk është e vërtetë, sepse rezulton se gati 100 mijë tonë naftë që ka humbur në dy vite në doganat shqiptare, iu shit shqiptarëve si naftë e pastër. Ajo që më shqetëson është se pavarësisht se shitja e armëve duhet të bëhet sipas dokumenteve, por prisja një përgjigje nga ata që njihen si ndërmjetësit. Kjo, sepse ne nuk kemi një histori të mirë me ta, sepse ndonjëri prej tyre ka rezultuar në listat e zeza të OKB-së. Do të doja të dija si i verifikon Ministria këta?
Arben Imami: Lidhur me kompanitë të cilat blejnë e sheshin për end user-t të caktuara, është një proces nga agjencia me ligj. Edhe shërbimet sekrete e bëjnë këtë.
Asllan Dogjani: Një media shfaqi ministrin e Mbrojtjes në një kafe të Tiranës me Damir Fazlliç dhe një javë më pas gazeta “New Jork Times” botoi shkrimin për armët në Libi. Do të doja të dija, nëse ky biznesmen ka lidhje me tregtinë e armëve. Do të doja të dija, nëse ka informacione nga shërbime të tjera nëse ka informacion për trafik armësh? Dhe a u janë shitur armë trafikantëve serbë dhe këto të kenë mbërritur në këto vende si Libia etj.
Arben Imami: Nuk ka trafik armësh dhe gjithçka është transparente dhe raportet tona botohet edhe nga OKB-ja. Për sa i përket njohjeve të mia personale për më tej kur jam 100 metra nga Parlamenti në një kafene, është turp që fotografohem nga ato media dhe që përdorem nga gazeta e partisë suaj dhe është e palejueshme etnikisht nga ju të më shtroni këtë pyetje.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura