Partia Socialiste ka shfrytëzuar limitet kohore për të depozituar në Komisionin Qendror të Zgje-dhjeve dy kërkesa ankimore për Bashkinë e Tiranës.Mbrëmë, në orën 22:00, një orë përpara përfundimit të afatit treditor të së drejtës për t’u ankuar për një vendim të KZAZ-së, socialistët kanë depozituar në KQZ dy kërkesa ankimore. Kërkesa e parë ka të bëjë me Vendimin Nr. 710 që ka marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me miratimin e tabelës së KZAZ-së Nr. 49, që i përket Njësisë Bashkiake Nr. 5. Në objektin e kësaj kërkese ankimore kërkohet që tabela përmbledhëse e kësaj zone të dalë nga tabelat e hartuara nga grupet e numërimit të votave, të cilat kanë numëruar 65 kutitë. “Kërkojmë pavlefshmërinë e vendimeve të marra nga KQZ për ndryshimin e tabelave të rezultateve të QV-ve të ZAZ-së Nr. 49. Kërkojmë ndryshimin e Vendimit Nr. 710, datë 23.05.2011 të KQZ ‘Për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit të votimit për kryetar të Zonës së Administrimit Zgjedhor Nr. 49, qarku Tiranë’, duke u nxjerrë e miratuar tabela përmbledhëse e rezultatit për KZAZ-në Nr. 49 në bazë të tabelave të rezultateve të hartuara nga GNV-të e KZAZ-së 49 për çdo QV e të transmetuara në bazën e të dhënave të KQZ-së nga VNV-të”, thuhet në kërkesën e parë ankimore të paraqitur mbrëmë nga Partia Socialiste.
Kërkesa e dytë ka të bëjë me tabelën përfundimtare të Tiranës, e cila, pas numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar, ka nxjerrë fitues kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Lulzim Basha, me 81 vota më shumë se Edi Rama. Edhe për këtë kërkesë ankimore socialistët kërkojnë nxjerrjen e rezultatit në bazë të tabelave të grupeve të numërimit, sipas të cilave, Rama del me 10 vota më shumë se Basha. “Kundërshtojmë Vendimin Nr. 711, datë 23.05.2011 të KQZ-së ‘Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për kryetar për Zonën Zgjedhore Bashkia Tiranë’. Kërkojmë pavlefshmërinë e vendimeve të marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për ndryshimin e tabelave të rezultateve të qendrave të votimit të ZAZ-ve të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë”, thuhet në kërkesën ankimore. “Kërkojmë ndryshimin e Vendimit Nr. 711, datë 23.05.2011 të KQZ-së ‘Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për kryetar të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë’, duke u nxjerrë dhe miratuar tabela përmbledhëse e rezultatit për zonën Zgjedhore Bashkia Tiranë në bazë të tabelave të rezultateve të miratuara nga KZAZ-të dhe ato të transmetuara në bazën e të dhënave të KQZ-së nga VNV-të dhe duke u shpallur fitues z. Edi Kristaq Rama, propozuar nga koalicioni ‘Aleanca për të ardhmen'”, përfundon objekti i kërkesës së dytë ankimore të socialistëve. Sipas socialistëve, “Vendimi Nr. 711, datë 23.05.2011 i KQZ-së është marrë në shkelje flagrante të ligjit dhe në tejkalim të kompetencave të KQZ-së. Kjo pasi neni 123 i Kodit Zgjedhor parashikon shprehimisht se KQZ, në përfundim të procesit të numërimit të votave nga KZAZ-të dhe pas hartimit të tabelave përmbledhëse prej tyre, nxjerr rezultatet e votimit për zonën zgjedhore duke plotësuar e miratuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për këtë zonë zgjedhore brenda 48 orëve nga mbërritja e të gjitha tabelave përmbledhëse të KZAZ-ve. E vetmja ndërhyrje që mund të bëjë KQZ është korrigjimi i ndonjë gabimi të mundshëm material në tabelën e hartuar nga KZAZ, e krahasuar kjo me atë të hartuar nga GNV për QV përkatëse”.
KQZ shpall pavlefshmëri në
Dibër, s’u votua në një qendër
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jep vendimin e parë për pavlefshmëri të zgjedhjeve në një komunë. Vendimi me gjashtë vota pro erdhi pas një kërkese ankimore të Partisë Demokratike për komunën e Zall Dardhës, në qarkun e Dibrës, ku megjithëse janë gjashtë qendra, votimi është zhvilluar në pesë prej tyre. Gjatë parashtrimit të provave, përfaqësuesi i PD-së tha se “në një qendër votimi nuk janë zhvilluar zgjedhjet, sepse nuk është hapur qendra e votimit. Kjo sepse nuk është paraqitur sekretari i PS-së. Megjithëse u zëvendësua tri herë sekretari, nuk u paraqit asnjëherë dhe nënkryetari, që i përket PS-së, nuk pranoi të merrte funksionin e sekretarit. Ne kërkojmë që të shpallet zona e pavlefshme”. Nga ana e tyre socialistët kërkuan që përpara se të merret vendim, duhet të thirret KZAZ-ja për të shpjeguar se cila ka qenë arsyeja përse nuk është hapur qendra e votimit. Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, tha se bllokimi i kësaj qendre nga socialistët është i qëllimshëm, pasi në këtë zonë, në vitin 2007, PD ka fituar me 60 vota më shumë dhe në 2009-n, me 54 vota më shumë. Pas numërimit të pesë qendrave të votimit, diferenca mes kandidatëve është 41 vota në favor të kandidatit socialist. Në mbledhjen e mbrëmshme u vendos gjithashtu të hapen kutitë e Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Belshit, pas një kërkese të Partisë Bashkimi Demokratik, pjesë e koalicionit të djathtë. Kandidati për këshilltar i kësaj partie, Hamit Kasa, tha se në qendrën ku ai ka votuar së bashku me familjen, PBD rezulton me zero vota. Vendimi për këtë qendër u mor me katër votat e të djathtëve.
PS tërhiqet për Lezhën
Partia Socialiste është tërhequr nga kërkesa e saj ankimore për Bashkinë e Lezhës. Gjatë ditës së djeshme, kur ishte programuar shqyrtimi i kësaj kërkese, socialistët vendosën ta tërhiqnin atë, duke lënë në fuqi vendimin e KZAZ-së për të shpallur fitues kandidatin e koalicionit të djathtë, Viktor Tushaj. Në kërkesën e socialistëve thuhej se “në këtë zonë zgjedhore, në listën e zgjedhësve, vetëm në muajin e fundit janë shtuar 225 zgjedhës, të cilët kanë votuar për zgjedhjet vendore të datës 8 maj 2011. Këta zgjedhës nuk banojnë në këtë njësi zgjedhore dhe, si të tillë, në bazë të ligjit, nuk kanë të drejtë të jenë në listën e kësaj njësie”, thuhej në kërkesën e PS.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











