PS: Duam Rregulloren e 2009-s

Sep 17, 2011 | 11:38
Ditmir Bushati

Partia Socialiste do të depozitojë ditën e hënë në Kuvend draftin e saj për një reformë të plotë parlamentare.Në thelb të këtij drafti, socialistët kërkojnë kthimin e Rregullores së Kuvendit ashtu siç ishte para vitit 2009, kur ajo u ndryshua me votat e maxhorancës. Gazeta ka mundur të zbardhë draftin e përgatitur nga selia rozë, përmes të cilit kërkohet rikthim te Rregullorja e vjetër, e ku jepen momentet që kanë dëmtuar jetën dhe klimën parlamentare. E konceptuar në dy faza, reforma e propozuar nga socialistët kërkon një rregullim të shpejtë të funksionimit të Parlamentit, kryesisht në seancat plenare në fazën e parë dhe adresim të të gjitha vërejtjeve dhe mangësive që janë evidentuar në raportin analitik të Komisionit Europian. Në propozimet e tyre për të përmbushur një mirëfunksionim të seancave plenare, por dhe të komisioneve, socialistët kërkojnë një rregullim më të mirë të votimit të fshehtë, veçanërisht për shkarkimin e anëtarëve të organeve kushtetuese si Gjykata Kushtetuese, Gjykatë e Lartë, prokurori i Përgjithshëm. Gjithashtu ata kërkojnë që dhënia e pëlqimit të Kuvendit për dekretet e Presidentit të Republikës për emërime në Gjykatën Kushtetuese ose në Gjykatën e Lartë, votimi të mos jetë nominal, siç veprohet sot pas ndryshimeve në Rregulloren e vitit 2009. Nisur nga disa seanca të zjarrta në debate, por dhe incidente në Parlament, socialistët kërkojnë që t’i hiqet e drejtat kryetarit të Kuvendit për të përjashtuar nga seancat dhe komisionet deputetët kur ata shkelin Rregulloren, e drejtë e shfrytëzuar deri tani vetëm për opozitën. Ata kërkojnë gjithashtu dhe një rregullim më të mirë të kohës që përdoret nga Kryeministri dhe anëtarët e qeverisë dhe përgjigjes që duhet të vijë nga opozita. Në propozimet e PS kërkohet kthimi i debatit 60 minutësh në fillim të seancës plenare, dhe jo në fund të saj, siç është sot.
Bushati
Deputeti socialist, Ditmir Bushati, prezantoi dje qëllimin e këtyre propozimeve që do të depozitohen në Kuvend të hënën. “Përmes një konsensusi minimal kërkojmë sjelljen e Rregullores aty ku ka qenë në vitin 2009, për të evituar të gjitha ato ndryshime të njëanshme që kanë asfiksuar rolin e opozitës në Kuvend dhe që e bëjnë menaxhimin e jetës parlamentare larg së qeni të standardeve të BE-së. Duke rishikuar pjesën e ndryshimeve të njëanshme përmes propozimit tonë, ne synojmë që në Parlament të rikthehet vota e fshehtë, të garantohen të drejtat themelore të opozitës, të garantohet delegimi i atributeve të Kuvendit në instanca të tjera dhe të sigurohet transparenca e buxhetimit të veprimtarisë parlamentare. Ky është vetëm hapi i parë, si hap të dytë ne do të propozojmë adresimin e të gjitha mangësive të evidentuara nga raporti analitik së bashku me përfaqësuesit e maxhorancës përmes një komisioni ose grupi pune të përbashkët, mundësisht me asistencën e OSBE-së, e cila, gjatë gjithë këtyre viteve ka asistuar Parlamentin shqiptar në mënyrë që në një afat tjetër të mëvonshëm ne të përmbushim të gjitha detyrimet që burojnë nga prioriteti numër një i identifikuar nga KE”, u shpreh Bushati. Sipas tij, problematikat e mënyrës se si funksionon Parlamenti sipas Komisionit Europian, kanë të bëjnë me mosfunksionimin e Parlamentit mbi konsensus, me keqpërdorimin e postit të kryetares së Kuvendit, me cilësinë e dobët të legjislacionit, një trysni kohore me të cilën përballen komisionet parlamentare me vendime afatshkurta dhe jo konsesuale të Konferencës së Kryetarëve.

Paketa e PS
.Kërkohet ndryshimi i Rregullores për votimin e fshehtë për shkarkimin e anëtarëve të organeve Kushtetuese (Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm etj.).

.Dhënia e pëlqimit të Kuvendit për dekretet e Presidentit të Republikës për emërim në Gjykatën Kushtetuese ose në Gjykatën e Lartë votimi të mos jetë nominal.

.Propozimet e bëra (kryesisht nga Presidenti i Republikës për anëtarë të organeve kushtetuese të Drejtësisë), komisioni përkatës, i cili harton raportin, ai duhet t’i kalojë Kuvendit dhe të mos i japë kompetencë kryetarit të Kuvendit të njoftojë organin propozues për këtë raport.

.Debati i lirë prej 60 minutash të zhvillohet, ashtu siç ka qenë, në fillim të seancën plenare dhe jo në fund të saj, siç është sot.

.Të hiqen të drejtat e kryetarit të Kuvendit për të përjashtuar nga seancat dhe komisionet deputetët kur ata shkelin Rregulloren, e drejtë e shfrytëzuar deri tani vetëm për opozitën.

.Të qartësohet kuadri normativ i marrëdhënieve të komisioneve dhe të deputetëve me institucionet e tjera dhe grupet e interesit. Të ketë përcaktime të qarta, pa ekuivok, që të shmanget çdo pengesë  administrative ndaj procesit ligjbërës dhe kontrollit parlamentar.

.Të përcaktohet qartë në Rregullore një ekuilibrim të së drejtës qeveri-opozitë, bazuar në parimet demokratike europiane gjatë debateve dhe diskutimeve, mes kohës së maxhorancës dhe opozitës.

Rregullorja e re, kusht për ligjet me 3/5
Partia Socialiste i ka vendosur një kusht maxhorancës: miratimin e Rregullores së re të Kuvendit për të votuar ligjet me shumicë të cilësuar që kërkojnë votën e deputetëve të PS. Përmes këtij kushti, socialistët kërkojnë rregullimin e jetës së Parlamentit, të cilin e shohin jofunksional me Rregulloren e miratuar pa praninë e tyre vetëm me votat e maxhorancës. Ligji për Gjykatat Administrative nuk mori votat e PS, duke u tërhequr sërish për rishqyrtim, pasi ishte vetëm Edi Rama që u shpreh pas vizitës me dy ministrat e Jashtëm, grek dhe italian, se deputetët socialistë nuk do të ngrenë kartonin jeshil vetëm për t’i bërë qejfin Brukselit.

Gjiknuri: Propozimet e PS për reformën zgjedhore
Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, në një intervistë për News 24, zbuloi pikat ku do të fokusohet reforma zgjedhore. “Parti të ndryshme kanë këndvështrime të ndryshme sa i përket sistemit zgjedhor. Nuk ka ndonjë sistem zgjedhor të përkryer. Problemet më të mëdha janë ato me listat dhe identifikimin e zgjedhësve për të eliminuar përfundimisht problemin e votave fiktive, apo njerëzve hije që na rezultojnë votues. Problem tjetër janë dhe mënyra e trajtimit të animimeve, rolit të KQZ-së, e cila sugjerohet forcërisht nga ndërkombëtarët se duhet riparë forma e kompozimit për të përforcuar pavarësinë e këtij institucioni“, u shpreh deputeti socialist. Sipas tij, reforma zgjedhore është imediate dhe për mendimin tim duhet të përfundojë në pranverën e vitit tjetër.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura