
Klosi: Të mos jetë pjesë e klaneve dhe familjes kryeministrore.
Partia Socialiste përforcon idenë për një president konsensual. Sekretari Organizativ i selisë rozë, Blendi Klosi, tha dje në një prononcim për mediat se kreu i ardhshëm i shtetit që do të zgjidhet në Parlament në muajin korrik, nuk duhet t’i shërbejë uzurpimit të institucioneve nga Kryeministri. Deklarata nga PS-ja vjen pak ditë pasi Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se do të jetë maxhoranca ajo që do të zgjedhë Presidentin e ri falë nenit 86 të Kushtetutës, ku thuhet se në raundin e katërt kreut të shtetit i duhen vetëm 71 vota. “Të kemi një rrugë konsensuale, një rrugë të debatuar, një rrugë të miraprovuar nga faktorët e brendshëm dhe nga partnerët ndërkombëtarë, veprime dhe vendimmarrje të cilat i shërbejnë së ardhmes europiane të Shqipërisë, mos t’i shërbejë ndarjes në kampe politike dhe mos t’i shërbejë uzurpimit të çdo institucioni nga Sali Berisha. Presidenti i Shqipërisë apo Presidenti i një republike parlamentare duhet të jetë një burrë apo grua, ç’rëndësi ka, që duhet të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e të gjithëve. Mos të jetë pjesë e familjes kryeministrore, mos të jetë pjesë e klaneve, të cilat mbajnë në këmbë jetën luksoze të Kryeministrit”, u shpreh Klosi.
Kuvendi
Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste foli gjithashtu edhe për qëndrimin që do të mbajë opozita pas rifillimit të Parlamentit lidhur me ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Në rendin e ditës pritet të futen për diskutim ngritja e Gjykatës Administrative dhe Kodi Penal e ai Civil, që nuk janë miratuar ende. Për këto pika të axhendës së Kuvendit, Klosi thotë se opozita është duke përpunuar qëndrimet e saj, të cilat do t’i parashtrojë në mbledhjet e komisioneve. “Këto janë kode që kanë problematikën e tyre konkrete përsa u përket neneve të caktuara apo frymës që ato përçojnë. Po punojmë për të afruar dhe kanë afruar propozime konkrete, do të jenë pjesë e diskutimeve parlamentare në komisione e pastaj në Parlament, për të miratuar jo vetëm ligje, sepse duhen miratuar me tre të pestat, por edhe ligje që do t’i shërbejnë forcimit të shtetit, pasi ligjet me tre të pestat nuk janë ligje për forcat politike, por janë ligje për forcimin e shtetit në Shqipëri”, u shpreh Klosi.
Rama: Duhet proces europian
Gjatë muajit dhjetor, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka folur për një proces europian sa i takon votimit që do të bëhet në muajin korrik në Parlament, ku do të zgjidhet Presidenti i ri i vendit. “Unë mendoj që ky është një proces që duhet parë përsëri dhe unë e shoh përsëri në funksion të interesit kombëtar, që sot është i njehsuar me interesin e integrimit sa më të shpejtë në BE. Na duhet një proces europian. Në radhë të parë ne dëshirojmë të ndërtojmë profilin e Presidentit që i duhet sot vendit, pa paragjykuar asnjë emër, por pa u nisur nga asnjë emër”, ka deklaruar lideri i opozitës.
Abdiu: Duhen 84 vota në raundet e para

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, shprehet se deputetët e PS duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 87, pika 3 e Kushtetutës për zgjedhjen e Presidentit. “Fakti që dispozita kërkon që tri herë radhazi të bëhen përpjekje për të votuar Presidentin me kërkesën për të plotësuar tri të pestat e votave të deputetëve, të jep përshtypjen se tregon domosdoshmërinë që partitë politike të ulen dhe të arrijnë këtë kërkesë dhe numër votash”, u shpreh Abdiu për “Panorama”.
© Panorama.al












