Partia Socialiste iu drejtua dje Kolegjit Zgjedhor për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë. Sekretari Ligjor në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, përmes një kërkesë-padie, i kërkon Kolegjit ta detyrojë KQZ të zbatojë ligjin zgjedhor dhe të hartojë tabelën përmbledhëse të rezultatit të KZAZ-së Nr. 49 dhe më pas të shpallë rezultatin dhe fituesin për Bashkinë e Tiranës. Sekretari socialist sqaron në kërkesën e tij se i është drejtuar më parë KQZ-së për të bërë shpalljen e rezultatit sipas detyrimit që i jep ligji, por ky institucion e ka lënë në heshtje këtë kërkesë deri në përfundim të hapësirës kohore që i lejon ligji. “Në përfundim të procesit të numërimit të votave për kandidatët për kryetar të Bashkisë Tiranë dhe Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë, nga dhjetë KZAZ të kësaj zone zgjedhore janë miratuar tabelat përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit, ndërsa KZAZ Nr.49 nuk e ka miratuar këtë tabelë, duke marrë Vendimin Nr.37, datë 16.05.2011 për mosmiratimin e saj. Proces numërimi i përcaktuar në bazë të nenit 120 të Kodit Zgjedhor”, thuhet në kërkesën e Partisë Socialiste. Sipas kësaj kërkese, në pamundësi të shpalljes së rezultatit nga KQZ, selia rozë i është drejtuar KQZ me një kërkesë që nuk mori përgjigje asnjëherë. Socialistët i kërkojnë Kolegjit të detyrojë KQZ-në të nxjerrë rezultatin e zgjedhjeve. “Në këto kushte, është ligjërisht e detyrueshme të urdhërohet KQZ që së bashku me miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për KZAZ Nr.49, të marrë vendim edhe
për nxjerrjen e rezultatit dhe miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe shpalljen e kandidatit fitues për këtë Bashki në bazë të rezultateve të miratuara. Është e tillë pasi neni 123 i Kodit Zgjedhor nuk kërkon asnjë kusht tjetër paraprak, veç sa shprehim e kërkohet me këtë kërkesë-padi”, shprehet në kërkesë sekretari socialist për Çështjet Ligjore.











