Partia Socialiste i është drejtuar Kol-egjit Zgjedhor me një kërkesë të re.Sekretari Ligjor i PS-së, Fatmir Xhafaj, ka depozituar kërkesën e dytë, e cila kërkon rrëzimin e aktit të KQZ-së, të miratuar në parim për mosnxjerrjen e rezultatit të Tiranës.
Socialistët kërkojnë rrëzimin e aktit, i cili i hap rrugë numërimit të fletëve të votimit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që janë gjetur në kutitë e tjera. Sipas tyre, ky akt krijon një procedurë ekstraligjore, duke e pozicionuar KQZ-në në mënyrë të njëanshme. Kjo kërkesë do të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor ditën e premte, ndërsa të enjten do të shqyrtohet kërkesa e parë e depozituar nga socialistët, që kërkon nxjerrjen e rezultatit të Tiranës. Akti i miratuar nga KQZ kërkon numërimin e fletëve të votimit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që janë gjetur në kutitë për kryetarë të minibashkive dhe për këshillat bashkiakë. “Nisur nga fakti se KZAZ, në këtë fazë të procesit nuk mund të bëjnë një rishikim të tabelave të rezultateve, kërkojnë të vlerësohen nga KQZ këto vota si të vlefshme dhe të pasqyrohen në tabelën përmbledhëse të rezultateve për kandidatë dhe për Këshillin e Bashkisë Tiranë, e cila hartohet nga KQZ. Aktualisht këto fletë votimi janë konsideruar si të kontestueshme nga këto komisione”, thuhet në aktin e hartuar nga KQZ. Gjithashtu, në këtë dokument thuhet se KQZ duhet të marrë në shqyrtim të gjitha kërkesat e KZAZ-ve, të cilat kërkojnë vlerësimin e fletëve të votimit të gjetura në kutinë e gabuar. “KQZ duhet t’i vlerësojë këto fletë votimi dhe të vendosë se për cilin prej kandidatëve apo subjekteve për Bashkinë Tiranë do të llogariten këto fletë votimi. Ky proces mund të bëhet vetëm pasi të ketë përfunduar procesi i numërimit të votave për njësitë bashkiake, në mënyrë që të evidentohen të gjitha fletët e votimit që janë hedhur në kutinë e gabuar”, thuhet në vendim. Miratimi i këtij akti pezulloi procesin e nxjerrjes së rezultatit për Bashkinë e Tiranës deri në përfundim të numërimit të të gjitha kutive të minibashkive dhe këshillave të këtyre njësive vendore ku u gjetën fletë votimi të hedhura gabim. “Pranë KQZ-së kanë ardhur tabelat përmbledhëse nga KZAZ-të dhe KQZ duhet të hartonte tabelën përmbledhëse për njësinë zgjedhore ‘Bashkia Tiranë’, por tashmë ky proces nuk mund të bëhet pa u vlerësuar edhe këto vota. Në këto kushte, KQZ duhet të pezullojë procesin e hartimit dhe miratimit të tabelës përmbledhëse për Bashkinë e Tiranës deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave nga KZAZ-të për kryetarin dhe këshillin e njësive bashkiake”.
Gjithashtu, socialistët ankimojnë dhe mosnxjerrjen e rezultatit të Njësisë Bashkiake Nr. 5, e cila, për shkak të mungesës së kuorumit, iu dërgua KQZ-së për vendimmarrje. Partisë Socialiste i ngelen edhe dy ditë kohë për të ankimuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vendimin më të fundit të KZAZ-së së madhe të Tiranës për rezultatin e Bashkisë së Tiranës, ku Lulzim Basha rezulton me 81 vota më shumë. Sipas vendimit të KQZ-së, në pozicionin e KZAZ-së, partitë kishin tri ditë kohë për t’u ankimuar. Në mbledhjen e mbrëmshme, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj, kërkoi nga administrata të marrë sa më shpejt vendimin e miratuar të hënën në mbrëmje për të kapur limitet kohore të ankimimit. Sipas kreut të KQZ-së, Arben Ristani, i gjithë dokumentacioni do t’u vihet në dispozicion partive në një kohë të shpejtë.
Kodi zgjedhor per ankimimet ne kolegj
Neni 145
E drejta e ankimit në gjykatë
1. Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm brenda afatit të përcaktuar në nenin 152 të këtij Kodi.
2. Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja. Në këtë rast Kolegji Zgjedhor nuk e gjykon çështjen në themel dhe, kur pranon kërkesën, vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim.
Neni 152
Afati i ankimit në gjykatë
1. Ankimet, sipas këtij Kodi, paraqiten në Gjykatën e Apelit, Tiranë, e cila ia kalon ato Kolegjit Zgjedhor.
2. Ankimi për të gjitha vendimet që KQZ-ja merr në periudhën, e cila fillon 48 orë pas dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme ose të përgjithshme deri në përfundim të shqyrtimit administrativ të ankimeve zgjedhore ose të kalimit të afateve të ankimit për zgjedhje, bëhet brenda 5 ditëve nga shpallja e tyre. Për vendimet që KQZ-ja merr jashtë kësaj periudhe, afati i ankimit në Kolegjin Zgjedhor është 30 ditë.
Protesta e deputetëve të PS shtyu vendimin e KQZ
Vendimi për t’i hapur rrugë numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar u shty me një ditë për shkak të zbarkimit të deputetëve të Partisë Socialiste në sallën e mbledhjeve të KQZ-së. Për shkak të numrit të madh të deputetëve të pranishëm në KQZ, përfaqësuesit e partive politike kishin ngelur pa karrige dhe pas replikave në distancë mes deputetëve dhe kreut të KQZ-së, Arben Ristani, mbledhja u shtyp për një ditë më vonë.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











