PS bojkoton Kuvendin, por nuk do dorëzohen mandatet

May 24, 2011 | 10:41
Nga protestat e opozites para KQZ

Deputetët socialistë bojkotuan dje nisjen e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë.Në dy komisionet parlamentare që zhvilluan aktivitetin e tyre dje, Komisioni i Ekonomisë dhe Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese u mblodhën vetëm me deputetët e maxhorancës. Deputetët socialistë nuk ishin prezentë. Burime pranë Partisë socialiste thanë dje se vendimi për të bojkotuar Kuvendin është marrë pak ditë më parë, duke e rikthyer opozitën jashtë institucioneve. Mësohet se të gjithë të mandatarit e PS-së do të bojkotojnë të gjitha institucionet ku ata janë zgjedhur, që nga Kuvendi e deri te pushteti vendor ku ata drejtojnë. Burime pranë Grupit Parlamentar socialist pohuan gjithashtu dje se deputetët socialistë kanë hequr dorë nga propozimi për lënien e mandatit të deputetit, por dhe të të zgjedhurve vendorë socialistë, të bërë ditët e para të numërimit të votave nga KQZ. Kjo masë radikale, që do ta çonte vendin në kolaps, duket se është hedhur poshtë dhe nga faktori ndërkombëtar në Tiranë, të cilët ditët e fundit kanë negociuar në mënyrë intensive që të ulin në maksimum tensionet në vend. Refuzimi i opozitës, menjëherë pas nxjerrjes së aktit që do të bllokonte nxjerrjen e rezultatit të Tiranës dhe i hapte rrugë numërimit të votave të hedhura gabim në kutitë e tjera, nisi me mosbindjen civile në të gjithë vendin. Mbështetësit e opozitës, me në krye deputetët e qarqeve respektive, bllokuan rrugët kombëtare me goma makinash e duke i ndezur më pas ato. Në këtë mënyrë ata bllokuan për disa orë qarkullimin rrugor, duke sjellë dhe çrregullime në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave. Në Tiranë, para godinës së KQZ-së, deputetët socialistë, të mbështetur dhe nga simpatizantët e tyre, u përplasën me policinë në tentativë për të çarë kordonin e saj për të hyrë brenda ambienteve ku KQZ zhvillonte mbledhjet e saj. Kjo situatë vuri në alarm faktorin ndërkombëtar, i cili i jep shumë rëndësi ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë, ndërsa opozita gradualisht nisi të tërhiqet nga veprimet ekstreme të saj. Rrugët nuk vazhduan të bllokohen, ndërsa tubimet e simpatizantëve dhe deputetëve të PS-së u bënë më të qeta para godinës së KQZ-së. Tri ditët e fundit, ndërsa KQZ vijonte mbledhjet e saj, deputetët socialistë kanë vijuar tubimet, të shoqëruara me fjalime patetike përpara mbështetësve. Këto tubime janë mbështetur dhe nga simpatizantë të ardhur nga qytetet kryesore të vendit. Sipas një grafiku, simpatizantë dhe mbështetës të opozitës kanë ardhur tri ditët e fundit nga Elbasani, Korça, Fieri dhe Durrësi, duke qëndruar disa orë para godinës së KQZ-së. Por, socialistë paralajmërojnë se nxjerrja e rezultatit të Tiranës, duke përfshirë dhe votat e hedhura gabim, do të përshkallëzojnë protestën e tyre, të cilën një javë më parë, përmes Gramoz Ruçit dhe Edi Ramës, e cilësuan revoltë popullore.

Çuko: Të gjithë e panë fituesin

Deputeti i qarkut të Fierit, Arben Çuko, tha dje se Berisha kërkon të vjedhë zgjedhjet. “Sali Berisha gjithmonë i ka vjedhur zgjedhjet. Këtë herë po bën aktin më të fundit të poshtërsisë, po i vjedh në tavolinë me Ristanin dhe me bandën e tij. Është shumë e qartë në sytë e miliona shqiptarëve dhe në sytë e të gjithë botës demokratike që shteti i së drejtës, shteti demokratik që shqiptarët kanë 20 vjet që kërkojnë, ka rënë me aktin kriminal që ka nxjerrë Ristani”, u shpreh Çuko.

© Panorama.al

Te lidhura