Protestë ndaj Tadicit, pranga 6 aktivistëve të VV

Jan 6, 2012 | 12:03

Gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë arrestuar në rrugën Prishtinë-Besianë.

Sipas zëdhënësit të kësaj lëvizjeje, Erzen Vraniqi, personat e arrestuar janë: Frashër Krasniqi, Blerim Maçastena, Astrit Dehari, Egzon Balaj, Zgjim Hyseni dhe Fidan Vllasaliu.

“Aktivistët u arrestuan sot rreth orës 10 e 30 në magjistralen Prishtinë-Besianë”, tha për “Zërin”, Erzen Vraniqi.

Ndërkaq, Dardan Mulliqaj nga po kjo lëvizje, ka thënë për “Zërin” se arrestimi i këtyre gjashtë aktivistëve është bërë pasi Vetëvendosje kishte organizuar bllokimin e rrugës Prishtinë-Merdare, në shenjë proteste ndaj vizitës së Presidentit serb, Boris Tadic, ambasadorit rus dhe atij bjellorus, që po i bëjnë Kosovës.

“Pushteti është organizuar në shërbim të tij (presidentit Tadic) dhe në këtë mënyrë janë arrestuar gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë qenë në një kombi-bus”, ka thënë Mulliqaj, duke shtuar se aktivistët tjerë, të vendosur në pika tjera, nuk janë prekur.

Sipas tij, në këtë organizim po marrin pjesë me dhjetëra aktivistë të kësaj lëvizjeje, pa përcaktuar numrin e saktë të tyre, ndërkaq ka thënë se aktivistët janë të pozicionuar në lokacione të ndryshme dhe, sipas Mulliqajt, pjesa tjetër e aktivistëve do të qëndrojnë në pikat e tyre në pritje të ardhjes së presidentit Tadic, me ç’rast do të tentojnë të bllokojnë eskortën e tij. /Zëri/

© Panorama.al

Te lidhura