“Protestë jo për pushtet, por për dinjitet!” – Tomor Alizoti: Të dalim në shesh e t’u themi s’jemi si ju! Fundi i trafikantëve dhe hajdutëve po vjen

Dec 21, 2025 | 18:48

Një ditë para protestës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike para Kryeministrisë, deputeti Tomor Alizoti ka bërë thirrje për pjesëmarrje.

tomorr-alizoti

Në një reagim në rrjete sociale, deputeti demokrat shprehet se protesta e nesërme nuk është për pushtet por për dinjitet. Në thirrjen që ai adreson qytetarëve, ai thotë se të gjithë e dinë se “Edi Rama është një hajdut ordiner” dhe se “lideri i “Rilindjes” është përfaqësuesi i fundit i sojit më të ndyrë që ka prodhuar ky vend”.

Një koment bën edhe për daljen e fundit mediatike të kreut të qeverisë, duke iu referuar episodit të sotëm të podkastit “Flasim”, teksa thotë se ai tregoi se nuk do të tërhiqet por do të tërheqë zvarrë edhe partinë në “hendekun e turpit ku është zhytur vetë”.

“Dalja e tij e fundit mediatike, në një ligjëratë të vetmuar dhe të pështirë, e tregoi qartë: ai nuk do të tërhiqet. Përkundrazi, është gati ta tërheqë zvarrë edhe partinë e tij në hendekun e turpit ku është zhytur vetë.”, shkruan Alizoti.

Ai iu bën thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë kundër qeverisë.

“Ndaj nesër është dita e protestës, jo për pushtetin e opozitës, por për dinjitetin tonë. Për t’i treguar Edi Ramës se vetëm ai dhe shpura e tij e ndyrë janë përfituesit e trafikut, korrupsionit dhe hajdutërisë. Shqipëria është e varfër, po, por nuk duhet të jetë kurrë e përdhunuar nga kartelet e kokainës dhe e nënshtruar ndaj dhunës së korrupsionit galopant.”, shton ai.

Reagimi i plotë:

Sot nuk ka asnjë shqiptar dhe asnjë i huaj që informohet për Shqipërinë, që nuk e di se Edi Rama është një hajdut ordiner, kreu i një karteli të mirëorganizuar, që vjedh si një derr i pangopur. Sot nuk ka asnjë njeri të arsyeshëm, të papërfshirë financiarisht, që të mos e ketë të qartë si drita e diellit se lideri i “Rilindjes” është përfaqësuesi i fundit i sojit më të ndyrë që ka prodhuar ky vend.

Edhe pse i rrëzuar nën rrenojat e korrupsionit galopant, edhe pse i kapur gafil si hajdut ordiner që grabit popullin më të varfër të Europës, ai vazhdon të rezistojë, të mbijetojë si një vemje e neveritshme. Dalja e tij e fundit mediatike, në një ligjëratë të vetmuar dhe të pështirë, e tregoi qartë: ai nuk do të tërhiqet. Përkundrazi, është gati ta tërheqë zvarrë edhe partinë e tij në hendekun e turpit ku është zhytur vetë.

Bashkëqytetarë, protesta e nesërme nuk ka të bëjë me pushtetin. Ka të bëjë me dinjitetin. Ky kryeministër mafioz po e sfidon hapur vendin. Po përpiqet të tregojë se Shqipëria është një territor i kalbur, ku qytetarët janë aq të varfër sa pranojnë vjedhjen e tij. Po përpiqet të na barazojë të gjithëve me veten e tij, të na quajë hajdutë, pjesë të ingranazhit të tij mafioz.

Ai kërkon të provojë se “jemi të gjithë njësoj”. Nuk jemi.

Ndaj nesër është dita e protestës, jo për pushtetin e opozitës, por për dinjitetin tonë. Për t’i treguar Edi Ramës se vetëm ai dhe shpura e tij e ndyrë janë përfituesit e trafikut, korrupsionit dhe hajdutërisë. Shqipëria është e varfër, po, por nuk duhet të jetë kurrë e përdhunuar nga kartelet e kokainës dhe e nënshtruar ndaj dhunës së korrupsionit galopant.

Nesër është dita e dinjitetit. Dita për të dalë në shesh dhe për t’u thënë qartë: nuk jemi si ju. Nuk pranojmë të na shkelni. Fundi i trafikantëve dhe hajdutëve po vjen.

© Panorama.al

Te lidhura