Protestat masive në Rusi, të cilat kanë nisur prej një jave, kanë detyruar Presidentin e Rusisë, Dimitri Medvedev, që të urdhërojë hetimin në lidhje me akuzat e opozitës për manipulim gjatë zgjedhjeve parlamentare të 4 dhjetorit. Për herë të parë pas një jave protestash, Medvedev ka shkruar në adresën e tij në Facebook mbi protestat, duke deklaruar se është kundër kërkesave të tyre dhe sloganeve që ata hedhin për manipulim apo vjedhje votash, por për të përmbushur kërkesat e tyre ai i ka dhënë urdhër qeverisë që të hetojë të gjitha pretendimet e opozitës, sipas AP. Dhjetëra-mijëra njerëz pushtuan rrugët e Moskës dhe 80 qyteteve të tjera ruse, duke kundërshtuar rezultatet zgjedhore, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve, si dhe dorëheqjen e Kryeministrit Putin dhe kryetarit të Komisionit Qendror Zgjedhor. Protesta e madhe, për të cilën demonstruesit thanë se ishin më shumë se 150 mijë veta, u realizua të shtunën. Një ditë më parë, autoritetet ruse më në fund vendosën t’i bëjnë të ligjshme demonstratat deri tani ilegale, me kushtin që të jenë paqësore. Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën e 4 dhjetorit, partia “Rusia e Bashkuar” e Vladimir Putinit dhe Dimitri Medvedevit ka fituar shumicën e votave për të katërtin mandat radhazi. Dje protestave iu shtuan edhe nacionalistët, të cilët kërkonin më shumë hapësira në politikat shtetërore për rusët etnikë. Zyrtarë të Rusisë pranuan pakënaqësinë e qytetarëve rusë në zgjedhjet e fundit dhe thanë se kanë të drejtë të shprehin opinionin e tyre në mënyrë ligjore e paqësore.











