Protesta, përleshje me policinë para KQZ

May 20, 2011 | 9:59

Me tentativa për të depërtuar në ambientet e KQZ-së ka vijuar edhe dje protesta e mbështetësve të Partisë Socialiste, por ka ndryshuar strategjia e organizimit.Për shkak të delegimit të deputetëve nëpër rrethe, me qëllim përshkallëzimin masiv të protestave, në rreshtin e parë të “shtetrrethimit” të forcave të rendit janë shfaqur më së shumti militantët. Megjithatë, sipër kurrizit të tyre janë parë sërish deputetët Taulant Balla, Sajmir Tahiri, Fatmir Toçi, Ditmir Bushati, Eduard Shalsi, Fatmir Xhafaj, Ilir Gjoni etj., por pa mundur të kapërcejnë kangjellat e oborrit të KQZ-së.
Mbledhja e parë e mbështetësve të PS-së jashtë KQZ-së është bërë njëkohësisht me mbledhjen brenda të komisionerëve, që nisën rivlerësimin e votave të kontestuara rreth orës 10:00. Por acarimi i tyre ka ardhur gjysmë ore më vonë, pasi nga salla e KQZ-së erdhën informacione se kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës po avanconte me vota ndaj rivalit socialist, Edi Rama. Në këtë kohë nisën thirrjet e para të protestuesve dhe konfrontimi trup më trup me forcat e rendit. Në krye të tyre ishin Taulant Balla, Sajmir Tahiri dhe Fatmir Toçi, të cilët, duke marrë skafandrat e policisë, tentuan të çajnë kordonin e trefishtë të tyre, duke u shtyrë dhe goditur me ta. Ora 11:30 e deri 12:30 ka qenë më e tensionuara për paraditen e djeshme dhe me skema të ngjashme përleshje, ndërsa pati edhe të plagosur që u çuan me urgjencë drejt spitalit. Më pas, situata u qetësua disi dhe deputetët morën rrugën drejt ambienteve të “Sheraton”, “streha” e preferuar e tyre gjatë këtyre ditëve proteste, ndërsa simpatizantët u drejtuan nëpër lokalet përballë KQZ-së. Kur gjithçka u duk sikur u qetësua, në ekranet e mëdha të këtyre lokaleve nisën të shfaqen pamje nga protestat nëpër rrethe. Kaq u desh që ata të dilnin prapë jashtë dhe për një orë tjetër. Edhe pse më qetë, ata tentuan kalimin e policëve, por kësaj here pa deputetët. Në orën 14:00 protestuesit u shpërndanë të gjithë dhe qetësia para KQZ-së zgjati deri në orën 18:00. Kthimi i tyre u bë me megafon, me thirrje kundër qeverisë dhe kryekomisionerit të KQZ-së, por edhe me më shumë dhunë. Teksa ora shkonte 20:00, turma u shtua me qindra protestues që tentuan seriozisht për të pestën herë gjatë ditës së djeshme thyerjen e kordonit të policisë, por, për të pestën herë sërish, nuk ia dolën dhe protesta u ndërpre. Megjithatë, herë të tjera pritet që të ketë sot gjatë gjithë ditës, pas paralajmërimit nga Partia Socialiste.

Policët, me bukë me vete

Policë me bukë me vete. Të lodhur nga shërbimi 3-ditor pranë KQZ-së, dje forcat e rendit janë detyruar që të hanë drekën në oborr, por edhe të dremisin aty. Këtë ua mundësoi “ekskluzivisht” largimi i përkohshëm i militantëve socialistë nga KQZ-ja, rreth orës 14:00, për t’u rikthyer sërish në 16:00. Edhe pse vetëm 2 orë, ky pushim u duk si luks për policët, të cilët u ulën grupe-grupe në barin e lagur të oborrit të KQZ-së. Duke hapur letra kartëpeceta ose gazeta, që njomeshin ende pa i shtruar mirë, ata vunë mbi to disa tasa plastikë të bardhë dhe shishe uji. Nga kangjellat vinin herë pas herë qese të tjera me ushqim, por edhe cigare. Si një familje e madhe, efektivët ndërronin ushqimin me njëri-tjetrin, ndërsa kishte prej atyre që shkonin te “tavolinat” ngjitur për të parë nëse kishte ndonjë gjë më të mirë. Pavarësisht urisë, më shumë se sa ushqimin, policët shihnin nga kangjellat. Pas drekës, siç ishin të ulur, policët u shtrinë mbi bar dhe nisën të dremisnin. Për fat, patën edhe diell edhe pse fati nuk u zgjati më shumë se 30 minuta. Në orën 16:00 nisën të vinin drejt KQZ-së protestuesit e parë për pasditen e bashkë me ta edhe shiu…

 

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura