Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka reaguar pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së sotme para Kuvendit, ku u shoqëruan në komisariat gjashtë protestues, mes tyre edhe Dritan Goxhaj.
Përmes një deklarate publike, KShH shpreh shqetësimin për mënyrën se si ndërhyri Policia e Shtetit gjatë protestës, duke iu referuar pamjeve të publikuara në media, ku shfaqen episode të përdorimit të forcës fizike dhe tërheqjes zvarrë të protestuesve.
Sipas Komitetit, këto pamje kanë elementë të ngjashëm me ato të protestës së zhvilluar në Zvernec rreth një muaj më parë, ku një protestues u tërhoq zvarrë nga dy shtetas civilë.
KShH thekson se e drejta për tubim paqësor garantohet nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa çdo kufizim duhet të jetë i parashikuar me ligj, i domosdoshëm dhe proporcional.
“E drejta për tubim paqësor garantohet nga neni 47 i Kushtetutës dhe neni 11 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Çdo kufizim i kësaj të drejte duhet të jetë i parashikuar me ligj, i domosdoshëm dhe proporcional, referuar nenit 17/1 të Kushtetutës dhe nuk duhet të cenojnë thelbin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe as të tejkalojë kufizimet e KEDNJ-së, referuar nenit 17/2 të Kushtetutës”, thuhet në reagim.
Sipas Komitetit, tërheqja zvarrë dhe përdorimi i forcës fizike ndaj protestuesve ngrenë shqetësime në raport me mbrojtjen e dinjitetit dhe integritetit të personit, të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Duke qenë se protestat e zhvilluara gjatë muajit të fundit kanë qenë paqësore, Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerëson se çdo përdorim force nga policia duhej të ishte masë e fundit dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit.
“KShH vlerëson se duke qenë se protesta prej rreth një muaji është zhvilluar në përgjithësi paqësisht, sikurse është pasqyruar gjerësisht edhe në median vendase e ndërkombëtare, çdo përdorim force duhej të ishte masë e fundit dhe rreptësisht proporcional, në përputhje me ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit“”, thotë KShN, ndërsa shton se autoritetet duhet të garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës për protestë paqësore, të respektojnë standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për përdorimin e forcës, si dhe i kërkon organit të prokurorisë të hetojë në mënyrë të pavarur dhe efektive çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës.
Njëkohësisht, KShH apelon edhe ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protestë që të ushtrojnë të drejtën e tyre në mënyrë paqësore dhe të shmangin çdo veprim që mund të përshkallëzojë situatën.
Reagimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit:
Bazuar në pamjet e bëra publikë ne media , Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpreh shqetësim për incidentet e datës së sotshme në protestën e mbajtur, përpara Kuvendit të RSH, ku ndërhyrja e policisë u shoqërua me përdorim force fizike, shoqërim protestuesish në komisariat dhe pamje që tregojnë tërheqjen zvarrë të protestuesve, me elementë të ngjashëm nga pamjet e protestës së Zvernecit të një muaji më parë, ku një protestues u tërhoq zvarrë nga dy shtetas civilë.
E drejta për tubim paqësor garantohet nga neni 47 i Kushtetutës dhe neni 11 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Çdo kufizim i kësaj të drejte duhet të jetë i parashikuar me ligj, i domosdoshëm dhe proporcional, referuar nenit 17/1 të Kushtetutës dhe nuk duhet të cenojnë thelbin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe as të tejkalojë kufizimet e KEDNJ-së, referuar nenit 17/2 të Kushtetutës.
KShH vëren se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNJ) ka theksuar vazhdimisht se autoritetet shtetërore duhet të tregojnë një shkallë tolerance ndaj tubimeve paqësore dhe se forca është mjeti i fundit (Kudrevičius dhe të tjerë k. Lituanisë [DhM], 2015; Oya Ataman k. Turqisë, 2006). Tërheqja zvarrë dhe forca fizike ndaj protestuesve ngrenë shqetësime në raport me nenin 25 të Kushtetutës dhe nenin 3 të KEDNJ, të cilët mbrojnë dinjitetin dhe integritetin e personit. GJEDNJ ka ritheksuar se respektimi i dinjitetit njerëzor është thelbësor edhe në mënyrën se si autoritetet policore sillen me qytetarët (Bouyid k. Belgjikës [DhM], 2015).
KShH vlerëson se duke qenë se protesta prej rreth një muaji është zhvilluar në përgjithësi paqësisht, sikurse është pasqyruar gjerësisht edhe në median vendase e ndërkombëtare, çdo përdorim force duhej të ishte masë e fundit dhe rreptësisht proporcional, në përputhje me ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.
KShH u bën thirrje autoriteteve të garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës për protestë paqësore, të respektojnë standardet konventore dhe kushtetuese për përdorimin e forcës, të shmangen format e kufizimit të lirisë, dhe atëherë kur ato zbatohen si masa e fundit proporcinale, të sigurohet për çdo person të shoqëruar respektimi i garnacive ligjore procedurale. KShH i bën thirrje organit të prokurorisë të hetojë në mënyrë të pavarur e efektive çdo pretendim për përdorim të tepruar force nga protestuesit.
Njëkohësisht, KShH u bën thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të ushtrojnë të drejtën e tyre paqësisht dhe të shmangin çdo veprim që përshkallëzon situatën.
© Panorama.al












