Shefi i Urgjencës së Traumës, ka dhënë detaje për gjendjen e të plagosurve në aksin Tiranë-Durrës ku u përmbys një autobus i linjës Berat-Tiranë.
Siç bëri me dije mjeku shoferi 36-vjeçar, Redion Hasimi, ka mbërritur në spital pa shenja jete. Ndërsa të plagosur kanë mbetur disa persona, mes të civilëve edhe dy fëmijë, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.
Mjeku u shpreh për mediat se pesë të lënduar të tjerë janë futur në operim, mes tyre dy turistë të cilët ende nuk janë identifikuar.
“Janë 2 të mitur, një i moshën 8-9 në gjendje të rëndë, një tjetër 14 vjeç në repartin e observimit. 5 pacientë 30-50 vjeç po i nënshtrohen operacionit. 2 prej tyre janë shtetas të huaj, identiteti i të cilëve nuk janë konfirmuar ende.
Ndodhen në gjendje të rëndë. 5 të tjerë janë në gjendje të stabilizuar në urgjencë. Këta të pesë nuk paraqesin rrezik për jetën. Ekipi mjekësor po ndjek nga afër ecurinë klinike të çdo pacienti”, tha ai.
Policia e Shtetit më herët ka saktësuar bilancin e aksidentit të rëndë të ndodhur rreth orës 15:00, duke bërë të ditur se aksidenti ka shkaktuar një viktimë.
Policia shpjegon se konfuzioni në informacionet e para u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të lënduarve në disa spitale. Një fëmijë, i cili mbërriti në një spital privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë falë ndërhyrjes së ekipit mjekësor. Më pas ai u transportua në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet nën kujdes intensiv.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Përditësim informacioni dhe saktësim i të dhënave për aksidentin e rëndë rrugor, të ndodhur rreth orës 15:00, në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia.
Në vijim të deklaratës për media të dhënë nga Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, në të cilën u deklarua se si pasojë e aksidentit kishin humbur jetën dy shtetas dhe 15 shtetas të tjerë po merrnin ndihmë mjekësore, pas saktësimit të informacionit rezulton se:
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.
Gjithashtu, janë dëmtuar 12 shtetas, pasagjerë në autobus, dhe jo 15 shtetas.
Nga të dëmtuarit, 7 shtetas janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Konfuzioni në raportimin fillestar u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve si në spitalin shtetëror, ashtu edhe në një spital privat. Një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas, fëmija është transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.
Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
© Panorama.al












