Eurodeputetja italiane e Grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Europian, Cristina Guarda, ka kërkuar nga kryeministri Edi Rama të zhvillojë dialog me qytetarët dhe të tregojë respekt ndaj protestave, duke theksuar se një mobilizim i gjerë qytetar nuk mund të injorohet.
Gjatë një interviste për News24, Guarda u ndal te reagimi që, sipas saj, duhet të ketë politika përballë protestave. Ajo tha se drejtuesit e një vendi duhet të jenë të hapur për komunikim me qytetarët, veçanërisht kur ata kërkojnë të dëgjohen.
“Kam parë disa video për reagimin e tij dhe, siç shoh, më duhet të them se do të doja të shihja një politikan që, edhe nëse është dikush që konteston diçka, të jetë i gatshëm, të jetë i hapur për dialog. Mendoj se mbase, po të largohesh nga përvoja e menaxhimit të pushtetit, mund të humbasësh veten. Unë mendoj se kur njerëzit kërkojnë me ngulm që të dëgjohen, atëherë është shumë e rëndësishme të bëjmë një hap prapa dhe të zbresim e të bisedojmë drejtpërdrejt me njerëzit, duke respektuar protestën e tyre dhe duke respektuar rolin e saj”, tha ajo.
Eurodeputetja foli edhe për përshtypjet që do të ndajë në Parlamentin Europian pas vizitës në Shqipëri. Sipas saj, aspirata evropiane e shqiptarëve duhet të shoqërohet me përmirësime të prekshme në jetën e përditshme, duke përfshirë shërbimet publike, arsimin, punësimin dhe cilësinë e jetesës.
“Se ka njerëz shqiptarë që janë gati të jenë evropianë, por ata duan të shohin rezultate, sepse të qenit evropian nuk është vetëm një rezultat në letër. Ne duhet të garantojmë që qeveria të vazhdojë të punojë për të garantuar ndryshime praktike në jetën shqiptare. Jo vetëm në anën mjedisore, kjo është vërtet e rëndësishme sepse është e ardhmja e fëmijëve tanë, por edhe në kujdesin shëndetësor, në arsim, në mundësitë e punësimit këtu, në cilësinë e jetës. Kështu që ata të mos ndihen të përjashtuar nga progresi dhe nga hapi përpara i këtij vendi, sepse vendi është bërë nga njerëzit dhe këta njerëz duhet të jenë në qendër të idesë dhe qëllimeve tona të mirëqenies”, u shpreh Guarda.
© Panorama.al












