Protesta, limfa e kulturës dhe dinjitetit të një populli

Dec 7, 2011 | 11:40

NESTOR KRAJA

Një të diel me diell po shëtisnim nëpër qytetin e vogël europian, ku na kishin ftuar.  Ishim tri shokë që ecnim qetë dhe bisedonim mbi tema të ndryshme që ishin hapur në seminarin e atyre ditëve. Pa menduar, arritëm në një semafor. Dy nga ne ndaluan instinktivisht, i treti, siç duket, nuk e kishte mendjen dhe vazhdoi. Kur vajti në mes të rrugës, megjithëse u kujtua se kishte kaluar gabimisht, nxitoi ta kalonte edhe atë pjesë të rrugës që mbeti. Tani mos prisni t’ju tregoj se në atë moment kaloi me shpejtësi një biçikletë dhe e tërhoqi zvarrë. Jo. Edhe më keq, mos prisni gjithashtu as që t’ju tregoj se një “Mercedes” i zi kaloi me shpejtësi dhe bëri të fluturojë në ajër shokun tonë aty para syve tanë. Përsëri jo. Edhe më keq. Në anën tjetër të trotuarit, një grua e bukur bionde me një fëmijë 6-7 vjeç në dorë i turret:
-Më falni zotëri, por ku e merrni ju të drejtën të thyeni rregullat e qarkullimit? Ku e merrni ju të drejtën të rrezikoni jetën tuaj në këtë mënyrë dhe, mbi të gjitha, ku e merrni ju të drejtën që me këtë veprim të edukoni keq tim bir? Këto ishin vetëm fjalët e para, pas të cilave erdhi një batare e tërë, megjithëse të gjitha të drejta brenda edukatës e po aq dërmuese për ne sa përplasja e biçikletës apo e “Mercedes”-it imagjinar. Nuk kishte njeri tjetër afër, pasi me siguri do t’i bashkoheshin protestës së vendosur dhe të rreptë të gruas, bukuria e së cilës tani mund të quhej “bukuria që vret”. Shoku ynë shtangu dhe vazhdoi të kërkonte ndjesë pa e qetësuar dot me fjalët “më fal” gruan. Pas disa momentesh, që na u dukën orë, gruaja u largua së bashku me revoltën e saj.
Ne vazhduam të ecnim, megjithëse mendërisht kishim mbetur po aty. Nuk flisnim dhe dukej sikur prisnim të kalonte kohë që të na mbylleshin plagët. Mendimi i përplasur nga goditjet e gruas së bukur shkoi kudo, por më tepër ai fluturoi në vendin tonë, në Shqipëri: tek ne kurrë nuk kishim protestuar në atë mënyrë, edhe kur kishim parë gabime shumë më të mëdha. Nuk kishim protestuar as kur një makinë e madhe luksoze e lënë në mes të rrugës të kishte bllokuar të gjithë trafikun, as kur drejtori apo shefi na kanë mbajtur një pjesë apo të gjithë pagesën pa arsye, as kur një koleg yni merr para nga studentët që t’i përgatisë temën e diplomës, as kur një këngëtare ka vjedhur një këngë të huaj, por përkundrazi mundohemi ta justifikojmë atë, as kur vërejmë se drejtori e ka paracaktuar personin që do të marrë në punë (apo viktimën e radhës) dhe  thur “kriteret e vlerësimit” në bazë të karakteristikave të tij. Nuk kemi protestuar as edhe kur me pafytyrësi polici na kërkon një “kafe” për të na falur gjobën, e cila shpesh është shumë më pak në vlerë se “kafja”. Madje nuk kemi protestuar asnjëherë edhe për pazaret e fëlliqura të mjekëve me të afërmit e të sëmurëve rëndë, “kafja” e të cilëve i kalon qindra-mijëra lekë, dhe kur shpesh këta janë drejtues klinikash apo me influencë të madhe edhe në politikë. Dhe mungesa e protestës shkon deri në kryesitë e partive të mëdha, duke i kthyer anëtarët e tyre në numra, vetëm për të ngritur dorën kur i urdhërojnë. Faktet e tjera i shtoni vetë.
Duket se protesta ka humbur në këtë vend dhe ky popull nuk e mban mend më atë, megjithëse e dimë se mungesa e saj cenon dinjitetin tonë dhe përdhos kënaqësinë për jetën. Heshtim përpara çdo fenomeni që nuk na prek direkt interesat e ngushtë, pa menduar se rritja e tij, jo më vonë por të nesërmen, do të na përplaset në fytyrë.
Në fillim të viteve ‘90, më duket se kemi protestuar për herë të fundit, në fakt edhe në atë kohë të paorientuar mirë. Mos mendoni se ky është faji i shtetit? Mendoj se po dhe jo. Kryesisht është faji ynë, i kulturës sonë, i integritetit tonë moral. Madje edhe më keq. Protestuesi quhet sherrxhi, grindavec, që pengon punën dhe nuk krijon harmoni në shoqëri. Kështu ka qenë edhe në kohën e xhaxhit. Asgjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë, përderisa askush nuk flet mbi këtë fenomen. Sa më shumë komunikimi lidh më fort njerëzit në këtë kohë të zhvillimeve moderne, aq më tepër ne heshtim dhe kyçim gojën përpara presionit që vjen nga të gjithë drejt të gjithëve.
“Under Pression” titullohet ekspozita e skulptorit të talentuar dhe mendimtar Sadik Spahia, hapur këto ditë, ku ky presion i dikurshëm dhe i tashëm ngjan, pavarësisht nga thërrmijëzimi i tij, pavarësisht se nuk është më i drejtuar por spontan. Është presioni i të keqes mbi të mirën, mbi të drejtën, mbi njerëzoren që ndiehet sa brenda kësaj ekspozite, edhe në jetën e përditshme. Ku do të shkojmë? A do të kalojë kjo gjendje?
Jo! Përderisa po kalçifikojmë një modë të tolerancës përpara çdo të keqeje, përpara çdo thyerjeje të rregullit, përpara çdo thyerjeje të ligjit. Dhe mendoj se ky presion ushtrohet para së gjithash mbi fëmijët tanë, për të cilët megjithëse i duam me shpirt, nuk po dimë si t’i duam, nuk po dimë si t’i edukojmë, nuk po dimë si t’i drejtojmë.
Sigurisht nuk na erdhën plotësisht kështu të gjitha mendimet atje në qytetin e huaj, por gojëkyçësia jonë e gjatë dëshmonte se po mendonim vetëm rreth tyre.
Është e tepërt të pyes në ju ka ngjarë edhe juve ndonjëherë kështu!
*Pedagog në Universitetin e Arteve

© Panorama.al

Te lidhura