Protesta kombëtare e 4 korrikut, aktivisti: Zgjedhje simbolike, ditë e rëndësishme për SHBA dhe Ramën! Festojmë fundin e kryeministrit

Jul 4, 2026 | 10:10

Aktivisti Olgert Rakipllari ka deklaruar në një intervistë për News 24 se data 4 korrik është përzgjedhur për protestën kombëtare për arsye simbolike, duke e lidhur atë me Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ditëlindjen e kryeministrit Edi Rama.

aktivisti rakipllari

“Sot është edhe dita e ditëlindjes së Ramës, festojmë fundin e diçkaje dhe nisjen e bashkëpunimit me Amerikën. Jemi proamerikanë dhe proeuropianë”, u shpreh ai.

Rakipllari theksoi se protesta që shënon sot 35 ditë është pro SHBA-së dhe Bashkimit Europian, por kundër, siç tha ai, veprimeve të paligjshme ndaj Shqipërisë.

“Jemi pro Amerikës, por kundër veprimeve të jashtëligjshme kundër Shqipërisë”, deklaroi ai.

Ai shtoi se protestuesit mirëpresin sinjalet nga ndërkombëtarët dhe mbështetjen e partnerëve europianë.

“Mirëpresim sinjalet nga ndërkombëtarët, të gjithë duhet të na japin një dorë. Në Europë kemi mbështetësit tanë dhe po lobojnë. Çdo ditë është në favorin tonë, duhet qëndresë”, tha Rakipllari.  “Fakti që kemi sinjale nga SPAK-u me intensifikimin e hetimeve, këtë kemi pritur”, u shpreh ai.

© Panorama.al

Te lidhura