
PRISHTINE- Lëvizja Vetëvendosje publikoi sot oraret e nisjes së protestuesve që do të marrin pjesë në aksionin e 14 janarit. Grumbullime do të bëhen në të gjitha qytete e Kosovës, përfshirë edhe Tiranën ku nisja do të bëhet në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”.
Vetëvendosja duke se ka marrë masa për të qëndruar gjatë në këtë aksion, pasi në njoftimin e saj të fundit thuhet se “Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar transportin pa pagesë (për të gjithë ata që nuk kanë një mjet transporti në dispozicion), ushqimin, ndriçimin e përgjithshëm, ekipet mjekësorë, logjistikën dhe një pjesë të ambienteve ku do të kalojmë kohën në protestë ditën dhe natën.”
Vetëvendosja përpos thirrjes për të shpërndarë informacionin sa më shumë, e vë theksin që të gjithë pjesëmarrësit të kenë parasysh arsyen madhore politike të kësaj proteste.
Po sot, qendra “Studim, kritikë, veprim” e Lëvizjes Vetëvendosje në Universitetin e Prishtinës ka ftuar studentët dhe mësimdhënësit e fakulteteve të të gjitha universiteteve, si atij të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Tiranës dhe Tetovës, që më 14 janar të këtij muaji t’i bashkohen bllokimit të mallrave serbe në pikat kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë, në shenjë kundërshtimi për moszbatimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës, për reciprocitet me Serbinë.
© Panorama.al











