Protesta e 26-të, Luçiana Kokaj: Rinia ia ka thyer algoritmin kryeministrit! Kemi arritur në mediat ndërkombëtare! Të shtunën të gjithë në Tiranë

Jun 25, 2026 | 21:14

Aktivistja Luçiana Kokaj ka mbajtur një fjalim gjatë protestës së 26-të radhazi para Kryeministrisë, ku ka deklaruar se pjesëmarrja e qytetarëve ka arritur të “thyejë algoritmin” e komunikimit të kryeministrit Edi Rama dhe të rrisë dukshmërinë e protestës në media.

“Ju keni thyer algoritmin e kryeministrit, për të cilin ai ishte mbret për 13 vite. Por puna jonë dhe e juaja nuk ka mbaruar. Ne duhet të vazhdojmë dhe ta thyejmë algoritmin edhe më shumë, ta çojmë algoritmin te e drejta jonë”, tha ajo, ndërsa shtoi se ata kanë arritur në mediat ndërkombëtare me kreativitet, ndërkohë që pushtetarët paguajnë miliona për të marrë disa minuta.

Ajo bëri thirrje për vazhdimin e protestave dhe theksoi se, sipas saj, askush nuk ka të drejtë të përfaqësojë qytetarët pa vullnetin e tyre.

“Të shtunën të gjithë në Tiranë”, u bëri thirrje ajo shqiptarëve për t’u bashkuar në protestën kombetare.

Luçiana Kokaj: Unë kam vetëm një thirrje për të gjithë të rinjtë që janë bashkuar në protestën që e kanë bërë madhështore. Ju keni thyer algoritmin e kryeministrit, për të cilin ai ishte mbret për 13 vite. Por puna jonë dhe e juaja nuk ka mbaruar. Ne duhet të vazhdojmë dhe ta thyejmë algoritmin edhe më shumë, ta çojmë algoritmin te e drejta jonë.

Ndaj, që ne të bojkotojmë kryeministrin që na ka bojkotuar prej 13 vitesh, të futen të gjithë live, të shpërndajmë pankartat e mrekullueshme në shesh dhe t’i tregojmë se jemi më shumë se ai, më kreativë se ai, më artistë se ai dhe më piktorë se ai.

Ju e keni treguar këtë, sepse me këtë protestë madhështore që keni bërë keni arritur të jeni në të gjitha mediat ndërkombëtare me kreativitetin tuaj, ndërkohë që ata që janë në pushtet paguajnë miliona për të marrë disa minuta në media ndërkombëtare. Ju e keni bërë me kreativitetin dhe energjinë tuaj.

Ndaj të vazhdojmë çdo ditë më shumë, më kreativë, me pankarta më të bukura, që t’i tregojmë se si është e vërteta e Shqipërisë.

Një thirrje shumë e thjeshtë për të gjithë ata që mendojnë se përfaqësojnë protestën, ju përfaqësojnë juve, nuk ka askush të drejtë të flasë në emrin tuaj, të bëjë grupe dhe mbledhje në emrin tuaj, apo të nxjerrë përfaqësues për ju. Ata do t’i nxirrni ju nga sheshi.

© Panorama.al

Te lidhura