Zbardhen “manovrat” e ish-kreut të Sindi-katave të Pavarura të Shqipërisë, Valer Xheka, në përvetësimin e pronave të këtij institucioni. Pak ditë pas bllokimit të 278 mijë dollarëve, 98 mijë eurove, 400 mijë lekëve, tri ndërtesave me sipërfaqe 1800 m2 dhe një trualli me sipërfaqe 6909 m2, hetuesit zbardhin skemën “kriminale” me të cilën u përfituan këto pasuri. Sipas burimeve nga hetimi mësohet se në kohën kur shtetasi Valer Xheka drejtonte Sindikatat, ai i ka mundësuar një punonjësi që të privatizonte ndërtesën 1800 m2, e cila, në fakt, ishte në pronësi të institucionit. Ky person, punonjës në sindikata, disa vite më vonë i ka marrë borxh një shtetasi një shumë prej 100 mijë eurosh. Pas një intervali kohor, punonjësi i sindikatave nuk ka arritur ta kthejë borxhin prej 100 mijë eurosh dhe personi që kishte dhënë paratë ka bërë padi në gjykatë. Ai ka kërkuar që borxhliut t’i verifikoheshin pasuritë dhe t’i bllokoheshin asete me vlerën e borxhit. Dhe kështu ka ndodhur. Gjykata ka gjetur se ndërtesa prej 1800 m2 ishte në pronësi të personit që kishte marrë borxh 100 mijë euro dhe, për rrjedhojë, togat e zeza kanë vendosur konfiskimin e ndërtesës në favor të personit që kishte dhënë shumën e borxhit. Po kush ishte ky person? Sipas hetimeve, personi që i kishte dhënë borxh punonjësit të sindikatave ishte pikërisht vjehrri i Valer Xhekës, kreut të Sindikatave, i akuzuar tashmë për pastrim të produkteve të veprës penale. Vjehrri i ish-kreut të Sindikatave, disa kohë pasi u bë pronar i godinës 1800 m2, vendosi që t`ia dhurojë atë jo vajzës së tij, por dhëndrit. Kështu, Valer Xheka është bërë pronar i ndërtesës 1800 m2 tek ish-shtypshkronja “11 Shkurti”, e cila kishte qenë pronë e Sindikatave, por që tashmë ishte privatizuar në një proces të ndërlikuar juridik. Për shkak të denoncimit me vonesë, Prokuroria e Tiranës filloi hetimet dhe arriti në përfundimin se në këto veprime kishte falsifikim dokumentesh, por kjo vepër penale ishte parashkruar dhe nuk mund t’i atribuohej më shtetasit Valer Xheka, sot 61 vjeç, azilant politik në Zvicër. Për rrjedhojë, bazuar edhe në përmbajtjen e ligjit, prokuroria bllokoi pronën, ndërtesën prej 1800 m2 si dhe llogaritë bankare të krijuara nga dhënia me qira e saj, bashkë me truallin e tokës. Hetimi u krye nga Njësia e specializuar Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës në bashkëpunim me Policinë.
Hetimi
Valer Xheka, 61 vjeç, në hetim për akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale
Sekuestruar
278 823 USD,
98 045 euro
400 000 lekë (të rinj).
Tri ndërtesa me sipërfaqe 1.800 m2
Sipërfaqe trualli 6909 metra katrorë
në Tiranë
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











