Pronat, vritet në arë 58-vjeçari

May 7, 2011 | 10:42
Komisariati i Lezhës

Vritet për pronësi një 58-vjeçar në Lezhë. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 21:00, na fshatin Barbullonjë.Policia e Lezhës bëri të ditur se persona ende të paidentifikuar kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Gjon Toma. Sipas burimeve policore, viktima ka qenë duke punuar në tokën e tij kur edhe është qëlluar me breshëri automatike. Të shtënat e armës kanë terrorizuar banorët e fshatit, ndërsa familjarët gjetën trupin e tij të pajetë në mes të arës. Ata sinjalizuan menjëherë policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet për të identifikuar autorin e këtij krimi. Mësohet se viktima sapo po mbyllte punën ditore në pronën e tij, kur autori e ka qëlluar atë. Bazuar në dëshminë e familjarëve të 58-vjeçarit, i vetmi i dyshuar sipas tyre është një fqinj me të cilin ata kishin prej vitesh konflikte për motive pronësie. Pronat ku viktima ka qenë duke punuar, janë afër bregdetit. Policia e Lezhës bëri të ditur mbrëmë se janë shoqëruar pesë persona të dyshuar, por ende nuk ka të dhëna për arrestimin e ndonjërit prej tyre, duke i adresuar më pas edhe akuzën e vrasjes. Ngjarja e mbrëmshme nuk ka dëshmitarë, për shkak se viktima ka qenë i vetëm. Forca të shumta të policisë kanë nisur kërkimet duke vënë postblloqe në disa pika kyçe, nga ku dyshohet se mund të lëvizë autori. Gjithashtu, është krehur e gjithë zona duke kryer kontrolle edhe në disa banesa, ku dyshohet se mund të fshihet vrasësi. Banorët e fshatit i pohuan grupit të hetimit se kishin dëgjuar të shtëna me breshëri të armës automatike, por për disa minuta askush nuk kishte guxuar të dilte për të parë se çfarë po ndodhte. Vonesa për të shkuar në banesë ka ngjallur dyshimet e familjarëve të 58-vjeçarit, të cilët kanë shkuar për të parë se çfarë kishte ndodhur. Ata e kanë gjetur të vrarë atë dhe sinjalizuan menjëherë policinë. Sipas burimeve, familjarët dhe banorë të tjerë të fshatit kanë pohuar se i vetmi konflikt që ka pasur i ndjeri ka qenë për pronësi, çka bëri që kjo të jetë pista kryesore e hetimit.

VRASJA NE LAÇ

Policia e Lezhës është duke hetuar edhe një tjetër ngjarje të rëndë që ka mbetur ende pa autor. Vrasja e vëllait të deputetit të PS-së për qarkun e Dibrës ka mbetur ende e pazbardhur. Viktima Perjet Abazi u qellua me armë zjarri në Laç, vetëm pak minuta pasi ai kishte dalë nga një kazino ku ai ishte frekuentues i rregullt. Vrasja e biznesmenit është duke u hetuar, por ende nuk ka të arrestuar.

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura