
Rinis konflikti ndërmjet pronarëve të një trualli në zonën e vilave qeveritare dhe Gardës së Republikës. Kjo e fundit nuk njeh as vendimin e Gjykatës, vendim i cili u ka dhënë të drejtë banorëve për pronësinë e sipërfaqes për të cilën palët janë në konflikt prej më shumë se një viti. Situata është acaruar që prej dy ditësh, kur Garda ka nisur të rrethojë me tela sipërfaqen. Banorët kanë kundërshtuar këtë veprim ditën e hënë, por edhe dje. Në ndihmë të Gardës ditën e djeshme mbërritën edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë nga Fieri. Gjatë të gjithë kohës, situata ka qenë e tensionuar dhe banorët kanë kërkuar të njihet vendimi i Gjykatës i dhënë dy muaj më parë, ku u njihet e drejta e pronësisë në një pjesë të zonës së vilave qeveritare. Situata precipitoi edhe me përplasje fizike mes palëve, por Policia pasi shoqëroi disa persona për pak orë, i la ata sërish të lirë. Pronarët e tokës bënë të ditur dje se ata gëzojnë të gjithë dokumentacionin për pronësinë, dokumente që janë njohur së fundmi edhe nga Gjykata. Për këtë shkak, ata pohuan se do të vazhdojnë punën për ndërtimin e një pallati në tokën e tyre. Por Garda nuk lejon punën dhe futjen e tyre në këtë territor, duke pretenduar se është pronë e vilave qeveritare. Banorët ishin grumbulluar dje në mënyrë të organizuar dhe tentuan të pengojnë forcat e Gardës për të rifilluar punën për rrethimin me rrjetë teli të tokës së tyre. Meqenëse përplasjet fizike kanë qenë sporadike dhe vetëm me ndonjë shtyrje të momentit, FNSH-ja e ka ndjekur situatën nga larg pa e pasur të nevojshme ndërhyrjen. Protestuesit pohuan dje se Garda dhe Drejtoria e Vilave po shkel ligjin, pasi Gjykata e Lartë dhe

Përmbarimi u ka dhënë atyre të drejtë. Nga ana tjetër, Drejtoria e Vilave pretendon se ky territor është nën administrimin e rezidencave qeveritare. “Ne kemi fituar betejën ligjore me Gardën në Gjykatën e lartë, e cila na e ka rikthyer para tre muajsh pronën dhe ne kemi filluar punën për ndërtimin e një pallati”, u shprehën dje banorët. Konflikti mes palëve nisi rreth një vit më parë, kur pronarët e tokës nisën të ndërtonin një pallat. Por Garda dhe Policia ndërhynë duke i nxjerrë ata forcërisht nga ky territor, ndërsa rrethuan të gjithë sipërfaqen e pretenduar prej tyre. Përplasjet janë përsëritur disa herë, deri edhe në përleshje fizike e shoqërime të protestuesve. Pak muaj më parë, Gjykata e Lartë ka vendosur në favor të pronarëve të tokës, si dhe ka urdhëruar Përmbarimin të vërë në zbatim vendimin e saj. “Në vitin 1993, kjo pronë është regjistruar në hipotekë dhe në vitin 2008 nisëm investimin për ndërtimin e një objekti. Por kur firma punonte dhe gati e kishte ndërtuar katin e parë të objektit, Garda uzurpoi pronën, duke pretenduar se ishte në territorin e saj. Për 3 vjet me radhë kemi zhvilluar një betejë ligjore, duke fituar edhe në Gjykatën e Lartë, e cila u dha të drejtë pronarëve për këtë pronë”, u shpreh një prej banorëve, Altin Paco.
VLORE/ QEMAL BIRAKU











