
Në qershor të vitit 2013 do të nisë kompensimin fizik i pronarëve nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ky fakt është bërë i ditur dje nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, gjatë prezantimit të drejtorit të ri të AKKP-së, Avenir Peka. Ministri Halimi, gjatë fjalës së tij deklaroi se brenda qershorit të vitit të ardhshëm pritet të përfundojë shqyrtimi i dosjeve në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe më pas do të nisë edhe kompensimi fizik i pronarëve. Halimi premtoi gjithashtu se shqyrtimi i dosjeve do të përshpejtohet dhe do të përmbyllet brenda afateve të programuara. “Ne kemi përgatitur dy elementë shumë të rëndësishëm, të cilët parashikojnë me objektivitet përfundimin e trajtimit të këtyre kërkesave brenda një viti, pra brenda qershorit të vitit të ardhshëm, duke e alternuar qoftë me metodën “prima facie” për t’i dhënë një akselerim shumë më të shpejtë shqyrtimit të të gjitha këtyre dosjeve, qoftë dhe me një riorganizim total të gjithë Agjencisë së Kthimit të Pronave”, u shpreh dje Halimi. Ministri i Drejtësisë theksoi se tani e tutje do të vihet në zbatim regjistri elektronik, i cili do t’u mundësojë qytetarëve edhe hartën e re të vlerave të pronave. “AKKP do të krijojë një regjistër elektronik të të gjitha vendimeve që ka marrë ky institucion, të dala nga viti 1993 deri në ditën e sotme, regjistër që do të përditësohet me të gjitha vendimet e gjykatave që kanë ndryshuar vendimet e AKKP-së. Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim edhe me AKKP, me ekspertë ndërkombëtarë e me shoqatat e ish-pronarëve, po përfundon hartën e re të vlerës. Harta e re e vlerës do të jetë në përputhje të plotë me çmimet e tregut. Miratimi i kësaj harte vlere do të bëhet brenda e javëve që janë në vijim për 10 qarqet e para. Për të vazhduar më pas edhe me qarqet e tjera, duke përfshirë edhe kategori të ndryshme të sipërfaqeve të pronave dhe të natyrës së pronave, që do të plotësojnë të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor, për t’i hapur rrugë fillimit të kompensimit fizik për pronarët. Vitin e ardhshëm do të nisë kompensimi fizik”, theksoi ministri Halimi.
Zëvendësimi i Çefës
Drejtori i ri i AKKP-së, Avenir Peka, zëvendësoi në këtë post Elvis Çefën, që pas votimit të këtij të fundit mori postin e nënkryetarit të KLD-së. Peka më parë ka mbajtur funksionet avokat ahteti pranë Avokaturës së Përgjithshme, këshilltar i Kryeministrit, gjithashtu dhe postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Brendshme.











