
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje rihapjen e shqyrtimit gjyqësor të kërkesës së Prokurorisë për konfiskimin e pasurive në Shqipëri të italianit Angelo Prudentino. Shkak është bërë mungesa si palë e tretë në proces e biznesmenit vlonjat Leonard Bishaj, i cili zotëron aksione në shoqërinë “Casino Italia”, në të cilën ka edhe Prudentino. Angelo Prudentino është djali i Albino Prudentinos, i dyshuar si një nga bosët e organizatës mafioze “Sacra Corona Unita”. Babai i tij, Albino, u arrestua në Shqipëri për llogari të Drejtësisë italiane e më pas u ekstradua drejt Italisë më 11 janar të këtij viti. Riçelja e shqyrtimit gjyqësor u kërkua në seancën e djeshme të këtij gjykimi nga ana e përfaqësuesit të Prokurorisë në proces. Në një kohë kur gjykata priste paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare të organit të akuzës, nga kjo e fundit u bë një kërkesë për riçelje të shqyrtimit. Sipas prokurorit Adnan Xholi, pas verifikimeve në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), rezultonte se në shoqërinë “Casino Italia” zotëron kapital e aksione edhe shtetasi Leonard Bishaj. “Përsa u përket aksioneve të shoqërisë ‘Casino Italia’ rezulton se përveç Angelo Prudentinos, që zotëron 50 për qind të kapitalit dhe aksioneve në para, rezulton se edhe shtetasi Leonard Bishaj është aksioner, i cili zotëron 50 për qind të kapitalit dhe 50 për qind të aksioneve në para. Në këto kushte kërkoj riçeljen e shqyrtimit gjyqësor dhe të thirret në cilësinë e personit të tretë të shtetasit Leonard Bishaj”, pretendoi dje prokurori. Në vijim, trupa gjykuese që po shqyrton këtë dosje pranoi kërkesën e prokurorit. “Vendoset riçelja e shqyrtimit gjyqësor me qëllim thirrjen në cilësinë e personit të tretë të shtetasit Leonard Bishaj, pasi ai rezulton askioner i ‘Casino Italia’, që kërkohet për konfiskim”, u shpreh gjykata me vendim të ndërmjetëm. Palë e tretë në këtë proces gjyqësor është edhe Ervis Gjecaj, kunati i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu. Përveç “Casino Italia”, prokuroria ka kërkuar konfiskimin e një sërë pasurish të tjera, të dyshuara si të ardhura nga veprimtaria kriminale e familjes Prudentino.











