
BULQIZE – Kompania “Albanian Krom” ofron zgjidhje për 11 pika të marrëveshjes me minatorët e Bulqizës, por nuk bie dakord për largimin e administratorit të minierës, Medat Zogu. Lajmi u bë i ditur dje pasdite nga presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj. Ai pohoi për “Panoramën” se dje në mëngjes, teksa minatorët ishin tubuar në afërsi të portës së ACR-së, këshilli sindikal dhe komisioni i protestës kanë zhvilluar një mbledhje urgjente për përcaktimin e veprimeve të mëtejshme sindikaliste. “Pronarja e Decometal, Depichc, i ka dërguar një letër presidentit të Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci, ku pranon zgjidhjen e 11 pikave të marrëveshjes, por nuk pranon largimin e drejtorit të ndërmarrjes”, nënvizoi Nikollaj. Depichc pas dy muajsh pranon që kontrata të nënshkruhet nga kreu i sindikatës së industrisë, Taf Koleci. Kreu i Konfederatës tha se përgjigja e dhënë nga pronarja e ACR-së është pozitive dhe ajo që ndan minatorët me këtë kompani është largimi nga detyra i administratorit Zogu. “Pronarja e ACR-së na propozoi se do të nënshkruajë kontratën, e cila thotë se nuk pranon largimin e administratës. Ajo pranon se do rrisë rrogën për minatorët, pranon të investojë në minierë. Ne kemi për detyrë t’ua propozojmë minatorëve këtë ofertë të re, janë ata që vendosin”, tha Nikollaj. Ai shtoi se administrata e ACR nuk mund të pranohet nga minatorët, pasi është akuzuar për korrupsion dhe tallje të gjatë me 700 minatorët e qytetit të Bulqizës. I pyetur për pagesën e minatorëve për dy muajt e protestës, Nikollaj nënvizoi se kompania ka pranuar të paguajë njërin muaj, ndërkohë do të negociohet për muajin tjetër. Me minatorët janë bashkuar dje në protestë edhe fëmijët e tyre, të cilët nuk kanë blerë ende librat e shkollës, pasi prindërit e tyre nuk kanë firmosur në bordero prej dy muajsh. Në lidhje me këtë çështje, Nikollaj i bëri apel kryetarit të Bashkisë Bulqizë, Roland Keta, të mendojë për fëmijët e këtij qyteti për sigurimin e librave, bazës materiale dhe rrobave. Nga ana e tij, kryebashkiaku Keta priti dje pesë nga minatorët e Bulqizës, ku u shprehu faktin e plotësimit të kërkesave nga ACR. Sipas tij, duhet të nisë puna e më pas të vendoset për largimin ose jo të drejtorit të minierës, Medat Zogu. h.p











