
Prokuroria e Përgji-thshme filloi dje një proces verifikimi për rastet e korrupsionit që përmbajnë kabllogramet e publikuara nga WikiLeaks gjatë muajit gusht.Disa ditë pasi media i ka bërë publike informacionet që ambasadori amerikan në Tiranë dërgonte në Uashington, Prokuroria është vënë në lëvizje. Një sektor i zakonshëm që merret me ndjekjen e informacioneve të publikuara nga shtypi për raste krimesh apo abuzimi, është ngarkuar të verifikojë çdo kabllogram që përmend afera, inkriminime apo korrupsion. Eprori tek i cili do të raportohet çdo “gjetje” e këtij procesi verifikimi, është drejtori i hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Sokol Stojani. Ndërkohë, urdhri për të “lexuar juridikisht” kabllogramet është dhënë nga prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Veprimi i parë që është kryer ditën e djeshme në kuadër të këtij verifikimi ka qenë mbledhja e çdo informacioni, që është publikuar në media në lidhje me rastet e korrupsionit të përmendura nga WikiLeaks. Grupi verifikues ka arkivuar numrat e gazetave që kanë publikuar komentet e Ambasadës Amerikane për rrugën Durrës-Kukës, për çështjen “Gërdeci” apo për dosjen “Dritan Dajti”. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme thanë dje se nuk bëhet fjalë për një hetim të mirëfilltë, por për një fazë verifikuese paraprake. “Do të shqyrtohen informacionet që janë publikuar në media, por duke verifikuar burimin e tyre origjinal. Hetimi mund të fillojë më pas nëse gjenden elementë të veprës penale”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, ditën e djeshme grupi verifikues ka administruar me procesverbal kabllogramet origjinale nga faqja e WikiLeaks. Meqenëse dokumentet janë në gjuhën angleze dhe prokuroria proceduralisht nuk mund të marrë për bazë përkthimet mediatike, grupi verifikues ka nisur dje përkthimin e letrave të ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers.
WikiLeaks, provë e paligjshme?
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe në disa vende të Europës, materialet që po bëhen publike nga WikiLeaks janë konsideruar të paligjshme. Ato në fakt janë dokumente të vjedhura nga arkivat e Departamentit Amerikan të Shtetit. Nga burime të Prokurorisë shqiptare është thënë dje se dokumentet në vetvete nuk mund të përdoren si prova, pasi flasin për çështje që janë hetuar më parë dhe po ashtu, përbëjnë shkresa që nuk janë marrë sipas ligjit. Sipas Prokurorisë, faktet e publikuara përbëjnë indicie për nisjen e hetimit që do të kërkojë më pas gjetjen e provave.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











