
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, theksoi edhe njëherë dje problematikat me të cilat përballet Gjyqësori në vend dhe nevojën e vazhdimësisë të reformës legjislative dhe institucionale.Deklarata e Beçajt u bë gjatë një pritjeje kortezie në Gjykatën e Lartë për ambasadorin e OSBE, Eugen Volfarth dhe drejtuesen e Departamentit të Shtetit Ligjor dhe të Drejtave të Njeriut, Fiorentina Azizi. “Aktualisht, Gjykata e Lartë e organizon veprimtarinë e saj mbi një ligj, i cili nuk u përshtatet kërkesave të kohës dhe zhvillimeve që ka pësuar sistemi ynë i brendshëm juridik. Po kaq imediate janë dhe kërkesat për buxhet të mjaftueshëm dhe infrastrukturë të përshtatshme për ushtrimin me dinjitet të detyrës së gjyqtarit”, u shpreh Beçaj. Në diskutimet gjatë takimit, rëndësi iu kushtua edhe rolit të Prokurorisë dhe të avokatëve në mbarëvajtjen e procesit të rregullt gjyqësor. Sipas numrit një të Gjykatës së Lartë, Beçaj, “për të garantuar këto standarde, është e domosdoshme marrja e masave si nga ana e Prokurorisë për respektimin e kërkesave hetimore procedurale, ashtu dhe nga Dhoma e Avokatisë, për të siguruar pjesëmarrjen efektive të avokatëve në seancat gjyqësore. Një drejtësi e denjë dhe efektive është detyrim ndaj qytetarëve”, pohoi Beçaj.
Nga ana e tij, ambasadori i OSBE-së, Volfarth, përmendi rëndësinë që ka Gjyqësori dhe Drejtësia për besimin e qytetarëve te shteti. “Gjyqësori dhe Drejtësia janë shtyllat kryesore që ndihmojnë qytetarët e një vendi të krijojnë besimin te shteti i vet. Respektimi i pushtetit gjyqësor nga ana e pushteteve të tjera, e transmeton këtë respekt edhe te publiku dhe opinioni i tij mbi drejtësinë dhe anëtarët e Gjyqësorit shqiptar”, u shpreh Vollfart. Njëkohësisht, ambasadori Volfarth shprehu nevojën për reformim të pushtetit gjyqësor. “Legjislativi dhe Gjyqësori duhet të gjejnë një bashkëpunim të ngushtë dhe efektiv, sidomos gjatë procesit konsultativ për përgatitjen e projektligjeve”, pohoi Volfarth.
Kritikat për prokurorinë
“Gjatë takimit, një rëndësi të veçantë iu kushtua edhe rolit të Prokurorisë dhe avokatëve në mbarëvajtjen e procesit të rregullt gjyqësor.
Për të garantuar këto standarde është e domosdoshme marrja e masave si nga ana e Prokurorisë për respektimin e kërkesave hetimore procedurale, ashtu dhe nga Dhoma e Avokatisë, për të siguruar pjesëmarrjen efektive të avokatëve në seancat gjyqësore”, citohet të ketë thënë kryetarja e Gjykatës së Lartë, në fjalën e saj gjatë takimit me ambasadorin e OSBE-së. Shumë çështje janë rikthyer ose janë rrëzuar në Gjykatën e Lartë, me pretendimin e kësaj gjykate për shkelje procedurale nga ana e Prokurorisë në fazën e hetimeve paraprake.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











