Prokuroria pushon hetimin për Griseldën, raporti mjekoligjor

Sep 8, 2011 | 10:13
Griselda Aliaj

Prokuroria për Krimet e Rënda ka pushuar çështjen penale në ngarkim të Griselda Zaimit, ish-bashkëjetueses së kryetarit të Bashkisë së Kavajës, të dyshuar për “kallëzim të rremë të organeve të rendit”.Lajmi mbi pushimin e hetimeve ndaj Zaimit, emri i së cilës u lakua pas denoncimit të rremë të saj për rrëmbim dhe abort të detyruar, u konfirmua nga burime pranë organit të akuzës. Sipas burimeve, vendimi është marrë pas mbërritjes në Prokurori të raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore mbi gjendjen mendore të Zaimit. Referuar raportit, Griselda Zaimi është e shëndoshë mendërisht, por kallëzimi prej saj është bërë në kushtet e tronditjes së rëndë psikike.
RAPORTI
Pas kallëzimit të Griseldës më 1 qershor në polici, se ishte rrëmbyer nga disa persona të panjohur të cilët i kishin hequr fëmijën, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimin për “rrëmbim personi”. Të nesërmen e ngjarjes, nga hetimet rezultoi se kallëzimi ishte i rremë e, po ashtu edhe shtatzënia e Zaimit. Faktet u pranuan prej saj gjatë marrjes në pyetje në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Në këtë moment, organi i akuzës nisi hetim ndaj 27-vjeçares, të dyshuar për akuzën e “njoftimit të rremë të organeve të rendit publik”. Për të provuar përgjegjësinë penale të Griselda Zaimit, Prokuroria i bëri kërkesë Institutit të Mjekësisë Ligjore për kryerjen e një ekspertimi psikik të saj. Kështu, në ditët e para të korrikut, e shoqëruar nga prindërit e saj, Zaimi u paraqit tek Mjekësia Ligjore, ku tre ekspertë e morën në pyetje. Mësohet se pyetjet që ekspertët i kanë drejtuar Griseldës kanë pasur të bëjnë me shtatzëninë e pretenduar prej saj, marrëdhëniet me bashkëjetuesin Elvis Rroshi dhe me çështje të tjera private. Raporti i përpiluar prej tyre është depozituar në Prokurorinë për Krimet e Rënda në ditët e fundit të muajit korrik. Mësohet se në raport thuhet se “Shtetasja Griselda Zaimi nuk ka simptomat e një personi të sëmurë mendor”. Por, sipas raportit, kallëzimi i rremë i saj në polici është bërë në kushtet e një tronditjeje të rëndë psikike dhe e nxituar nga rrethanat e momentit. Po sipas raportit, kjo gjendje e rënduar mendore është krijuar pas kalimit të muajit të nëntë të shtatzënisë së sajuar nga ana e Zaimit.

Denoncimi i Griseldes për rrëmbimin

“Më 1 qershor, rreth orës 10:00, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës është paraqitur shtetasi Saimir Azem Rroshi, 36 vjeç, i cili ka depozituar kallëzim penal se kunata e tij (nusja e vëllait të shtetasit Elvis Rroshi), shtetasja Griselda Zaimi, është rrëmbyer nga disa persona të paidentifikuar në rrugën ‘Komuna e Parisit’ në Tiranë”, ka pohuar policia pas ngjarjes. Ndërsa shtetasi Saimir Rroshi, referuar pohimeve të kunatës së tij, gjatë deklarimit në Polici ka thënë se Griseldën e kanë marrë forcërisht dhe e kanë detyruar të lindë jashtë dëshirës së saj. Po sipas deklarimit, ai ka pohuar se në orën 04:00 të 1 qershorit, Griselda ishte lënë e lirë nga rrëmbyesit, pranë banesës së saj në qytetin e Kavajës.

© Panorama.al

Te lidhura