Prokuroria: Predha e dëmtuar mori jetën e nënoficerit Mekollari

May 4, 2011 | 13:53

BERAT – Nënoficeri Agim Mekollari u vra nga një predhë e dëmtuar gjatë procesit të demontimit në repartin e Bigazit në Skrapari. Ky është versioni i dhënë nga Prokuroria e Beratit, e cila hetoi ngjarjen me mbështetjen e një prokurori të seksionit ushtarak. Pas hetimeve të kryera, grupi që u mor me hetimin e këtij shpërthimi që mori jetën e Mekollarit dhe plagosi rëndë tre punëtorë të tjerë, dolën në rezultatin se ngjarja kishte ndodhur pasi një diagore kishte mbetur e pashpërthyer në procesin e demontimit. Mësohet se demontimi në repartin e Bigazit nuk është kryer me aparatura të ashtuquajtura moderne, ku predhat çaktivizohen në to. Sipas burimeve, predhat demontoheshin duke i futur në një gropë të madhe, ku më pas plaseshin me anë të dinamitit. Por gjatë shpërthimit, njëra prej tyre, pikërisht ajo që mori jetën e nënoficerit, kishte mbetur e paplasur, e dëmtuar.  Sipas burimeve nga Prokuroria, Mekollari i është afruar predhës pa e ditur rrezikun që i kanosej. Sipas edhe dëshmitarëve në vendngjarje, ai e ka parë pak metra më larg vendit ku është ndodhur dhe është afruar për ta marrë predhën. Por sapo e ka marrë në dorë, ajo i ka shpërthyer për shkak se ishte mjaft e dëmtuar dhe gati në të plasur. “Oficeri Agim Mekollari, po bënte një kontroll para se te shpërthente me dinamit një gropë të dytë me predha. Por, gjatë kontrollit, atij i zë syri një diagore, e cila, nga shpërthimet që ishin kryer më parë, kishte mbetur e paçaktivizuar. Nga presioni i shpërthimit të gropës në momentin e demontimit të predhave të tjera, ajo kishte mbetur në një masiv dheu. Pasi e pa në tokë, Mekollari e ka marrë atë në dorë dhe në këtë moment diagorja i ka shpërthyer në duar duke i marrë jetën e menjëhershme dhe duke plagosur tre punëtorët, Jetmir Dedja nga Tirana, Drini Tiko dhe Ilir Kurti nga Çorovoda. Reparti ku ndodhi shpërthimi është kthyer në vendgrumbullim municionesh të kalibrave të ndryshëm prej dy vitesh. Në repartin e Bigazit në rrethin e Skraparit demontimi kryhet me anë të gropave. Sipas burimeve të Prokurorisë, municioni merret nga arkat dhe vendoset në gropa të cilat mbulohen dhe, nëpërmjet një sasie dinamiti, kryhet shpërthimi i tyre. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ditën e ngjarjes ishte kryer procesi i parë i demontimit dhe po përgatitej i dyti.            d.xh

© Panorama.al

Te lidhura