Prokuroria: Ja pse nuk e apeluam dënimin e Xhuvanit

Dec 27, 2011 | 12:57
Kostandin Xhuvani

Ministria e Drejtësisë, në raportin e inspektimit të dosjes së Kostandin Xhuvanit, i dënuar me dy vjet burg për vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes, akuzoi Prokurorinë e Tiranës se nuk e kishte anki-muar vendimin në fjalë. Dënimi me dy vjet burg i Kostandin Xhuvanit, shpallur një muaj më parë nga gjyqtari i Tiranës, Gerd Hoxha, ka futur në sherr Prokurorinë me Ministrinë e Drejtësisë. Megjithatë, organi i akuzës duket se nuk ka preferuar të lëshojë deklarata duke deklaruar se prova e vërtetë e punës së bërë me dosjen është kalimi i çështjes në shkallët e apelimit. Pasi u pyetën dje nga gazeta “Panorama” se përse dënimi i Kostandin Xhuvanit me dy vjet burg nuk ishte apeluar, burimet e Prokurorisë kanë thënë se një apelim i tillë nuk mund të bëhej. “Gjatë fazës së hetimit nga shqyrtimi në kompleks i provave u arrit në përfundimin se vrasja e Alfred Musabelliut në shkurt 2010 ka ndodhur nga një e shtënë e Kostandin Xhuvanit për vetëmbrojtje. Në konflikt e sipër, viktima ka kërcënuar me fjalë dhe i ka drejtuar Xhuvanit një armë për të cilën i pandehuri vetëm pas ngjarjes ka marrë vesh se ka qenë një pistoletë lodër”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, në përfundim të gjykimit, organi i akuzës kërkoi tre vjet burg për Kostandin Xhuvanin dhe gjykata e la në fuqi këtë kërkesë, por me gjykim të shkurtuar, i akuzuari përfitoi uljen e një të tretës dhe dënimi i tij ra në dy vjet burg. Sipas burimeve nga organi i akuzës, prokuroria nuk mund të apelonte lënien në fuqi të kërkesës së saj, pasi kjo jo vetëm që nuk do të kishte kuptim, por edhe do të cilësohej si një kërkesë e pabazuar në gjykatë. Prokuroria, megjithatë, është shprehur se rezultatet e kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë nuk i janë bërë prezente gjatë fazës së inspektimit dhe madje me konkluzionet e arritura është njohur fillimisht përmes medias, pasi dokumentet nuk i janë vënë në kohë në dispozicion.

Policia: Ok. me Prokurorinë
Çështja “Xhuvani”, që është bërë së fundi objekt akuzash të ndërsjella mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, është analizuar edhe nga grupi fillestar i oficerëve të Policisë Gjyqësore që kanë hetuar ngjarjen. Vrasja e kryer nga Kostandin Xhuvani është marrë në shqyrtim gjatë një analize të detajuar, që nga këqyrja e vendit të ngjarjes nga oficerët e policisë, dëshmitë, motivet dhe konsultat me prokurorin e çështjes. Sipas Policisë, mënyra se si ka ndodhur ngjarja, provat e gjetura në vendin e ngjarjes, por edhe fakti i vetëdorëzimit të autorit, përmbushin të gjitha kriteret që prokuroria të ngrinte ndaj Xhuvanit akuzën “vrasje në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme”.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura