Prokuroria italiane “zbardh” darkat e Berluskonit me Ruby-n

Mar 17, 2011 | 10:23

Prokuroria italiane ka siguruar informacionet e duhura për të provuar se marokenia Ruby, kur ishte vetëm 16 vjeç, u seleksionua për karakteristikat që i përkisnin “dragoit” të Arkores. Kështu shkruan në numrin e djeshëm gazeta italianë “La republika, referuar hetimit mbi skandalet seksuale  me minorene dhe prostituta, të Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni. Prokurorët kishin shkruar se kjo minorene “kryente akte seksuale me Silvio Berluskonin, në këmbim të pagesës me para dhe nevoja të tjera”. Zbulimet u bënë në hetimin e gjatë të mbyllur më 15 mars, mbi Emilio Feden, drejtor i “Tg4”, Lele Morës, sipërmarrës i VIP-ave dhe Nicole Minettit, këshilltares së Lombardisë për partinë e Berluskonit, të cilët thuhet se “kanë vepruar së bashku, dhe jo vetëm”, duke “favorizuar aktivitetin e prostitucionit të kryer nga minorenia Karima El Mahroug (Ruby), e cila kryente akte seksuale” me Kryeministrin italian. Sipas prokurorëve, kontakti i parë i vajzës marokene me Feden e Morën daton në shtator 2009 (kur Fede e ka njohur atë në një konkurs bukurie në Sicili, në Taormina), dhe jo në shkurt 2010 siç ka deklaruar deri tani. Në dokument janë shkruar edhe datat e aktit mes tyre: “më 14 shkurt, 20 shkurt, 21 shkurt, 27 shkurt, 28 shkurt, 9 mars, 4 e 5 prill, 24, 25 e 26 prill, 1 dhe 2 maj 2010. Në veçanti minorenia merrte pjesë në mbrëmjet e organizuara, të ndara në tre faza”. Tashmë prokurorët janë të sigurt për akuzat kundër Kryeministrit italian. Janë rreth 50 telefonata, foto, regjistrime në audio të marra nga telefonat “Blackberry” të 33 vajzave të festave në Arkore. Kryeministri italian, 74 vjeç, do të përballet me një betejë të fortë ligjore kur të hapet seanca e parë kundër tij, më 6 prill.

Sondazhi, Berluskoni në rënie

Sondazhi mujor politik në Itali ka treguar rënie të vazhdueshme të besimit te Kryeministri italian, një rënie që ndalet në 33 për qind. Me gjithë manovrat e vazhdueshme të zgjerimit të shumicës parlamentare, me gjithë optimizmin e administratës së Berluskonit, të dhënat flasin qartë. Edhe qeveria e Berluskonit nuk është më e preferuar siç ka qenë tre muaj më parë. Ndërsa në janar besimi tek qeveria ka qenë në shkallën 60 për qind, kësaj radhe vetëm 26 për qind e italianëve i besojnë administratës së tyre.

© Panorama.al

Te lidhura