Breshia-Bolonja është vënë nën shënjestër të Prokurorisë Federale. Për ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të të Kampionatit Italian, që është zhvilluar më 3 prill, janë vënë baste për fitoren e Breshias, shifra të mëdha parash, të cilat kanë detyruar disa pika bastesh t’i pezullojnë ato. Sfida, që ka përfunduar me fitoren e të zotëve të shtëpisë, është marrë nën shqyrtim nga një bashkëpunëtor i Prokurorisë, i cili gjendet aktualisht në Kasteldebole, për të dëgjuar versionin e drejtuesve të dallëndysheve. Federata Italiane e Futbollit, pas anomalive të para, e ka sinjalizuar këtë gjë tek Organet e larta të Drejtësisë. Rezultati final dhe mënyra se si është arritur kanë hedhur edhe më tepër hije dyshimi mbi një ndeshje, që sidoqoftë nuk ua ka garantuar qëndrimin në Serinë A, ekipit të Breshias. Menjëherë, sapo ka përfunduar takimi, lojtarët dhe trajneri i Bolonjës janë shfaqur të mërzitur për faktin se dikush ka dyshuar për profesionalitetin e tyre. Madje edhe sot, në skuadrën kuqeblu, mendojnë që arkivimi i çështjes të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur. Tani, me Breshian që do të luajë në Serinë B sezonin e ardhshëm, edhe Bolonja nuk mund të jetë e fituar. Për Malezanin dhe skuadrën e tij, humbja ndaj dallëndysheve, ka qenë e para e një serie të gjatë. Kuqeblutë me 41 pikë në renditje, nuk e kanë akoma të sigurt qëndrimin në Serinë A. Janë vetëm 5 pikë që kanë në avantazh ndaj Sampdorias, e cila renditet e treta nga fundi i klasifikimit, me 3 përballje direkte në favor të tyre. Dorianët, në këtë fundjavë, do ta kenë me siguri detyrën më të vështirë: duhet të mposhtin Palermon dhe të shpresojnë te Bari, që do përballet me kushërinjtë e Leçes.
Sezoni i shkëlqyer, Hernandezit i dyfishohet rroga
Havier Hernandezit do t’i ofrohet një dyfishim i pagës me një kontratë të re vitin e ardhshëm, pas sezonit të tij të parë të shkëlqyer në “Old Trafford”. Sulmuesi meksikan ka qenë zbulimi i Fergusonit këtë sezon dhe ka arritur të shënojë në total 20 gola me fanellën e skuadrës së re. I njohur me nofkën “Chicharito” (bizelja e vogël), Hernandez erdhi për shumën e 8 milionë eurove nga ekipi meksikan i Çivas Guadalahara. 22-vjeçari firmosi një kontratë 4-vjeçare, prej së cilës për momentin përfiton 28 mijë euro në javë. Vitin tjetër, paga e Hernandezit do të dyfishohet (56 mijë euro), ndërkohë që në marrëveshjen e re do të përfshihen edhe një sërë bonusesh, lidhur me paraqitjet e futbollistit premtues.
Venger: Merson gënjen, s’ka doping te Arsenali
Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, i ka hedhur poshtë pretendimet e ish-sulmuesit të Arsenalit, Pol Merson, se ishte dopuar në kohën kur luante tek “topçinjtë”. Ish-ylli i kësaj skuadre e akuzoi Vengerin se ishte në dijeni të marrjes së lëndëve të ndaluara për futbollistët, e madje se ua jepte ato vetë personalisht. “Nuk i marr seriozisht këto komente. Nuk më kujtohet sesa lojtarë kanë luajtur gjatë 15 viteve që unë qëndroj në stolin e kësaj skuadre. Ndoshta janë rreth 200 dhe disa kanë luajtur në ekip për gati 10 vjet. Pol Merson ka qëndruar nën drejtimin tim vetëm për 4 muaj, prandaj unë mendoj se është më mirë që të pyesni futbollistë që kanë luajtur”.
Gjermani
Java e fundit e Bundesligës nuk përkon thjesht me përfundimin e sezonit, pasi, duke iu referuar kontratave, disa prej lojtarëve kanë vendosur dhe fatin e tyre para kohe duke braktisur ekipin. Një revolucion i tillë ka ndodhur tek Bajerni, të cilët në ndeshjen e fundit, atë kundër Shtutgartit, kanë dhënë zyrtarisht ndarjen me tri lojtarët e tyre. Një ndeshje lamtumire do të jetë për Tomas Kraft, Andreas Otle, të cilët do të transferohen tek Herta e Berlinit, si dhe një lamtumirë e veçantë ka për të qenë ajo e mesfushorit turk, Hamit Altintop, i cili nuk ka preferuar të rinovojë, duke pasur kontakte me Realin e Madridit. “Hamiti ka luajtur vetëm tri ndeshje nga fillimi. Për një lojtar si ai janë pak. Këtë e kuptojmë dhe e respektojmë, pasi ka qenë dëshira e tij që të mos rinovojë me ne”, deklaroi Karl-Hainc Rumenige”.
Angli
Sër Aleks Ferguson pritet të zbresë sot 11-shen më të fortë në fushën e Blekbërnit për të siguruar matematikisht titullin e 19-të kampion. “Djajve të kuq” u duhet vetëm një pikë në “Ewood Park”, për të siguruar kampionatin historik pas fitores së një jave më parë me Çelsin, rivalin që deri atëherë ndahej me vetëm 3 pikë diferencë nga kampionët në fuqi. Megjithatë, Ferguson mbetet i kujdesshëm në përzgjedhjen që i ka bërë ekipit në prag të këtij takimi. “Gjëja më e rëndësishme është qasja e duhur në këtë ndeshje. Është një përballje e madhe, prandaj ne do të hedhim në fushë formacionin më të fortë të mundshëm”, – tha tekniku skocez. Mirëpo, 69-vjeçari, i cili në rast se do të shpallet kampion sot, atëherë do të lërë pas Liverpulin me 18 tituj, duke hyrë kështu në historinë e futbollit anglez, pohoi se e vetmja mungesë në 11-shen e tij do të jetë portieri Edvin Van Der Sar.
© Panorama.al











