Prokuroria, hetim Agim Llupos edhe për 2 vrasje, Prendi:Mbrojta institucionet

Jan 26, 2012 | 10:15

Gardisti, Agim Llupo

“Grupi i zjarrit qëlloi me armë duke vënë në rrezik jetën e turmës”

Vrasja e Dedës dhe Aleks Nikës, hetohet Agim Llupo

Prokuroria: Plumbi i protestuesit nga Lezha ka vjaskat, predha e viktimës nga Dibra përputhet me projeksionin

Ekspertizat e Policisë shkencore shqiptare dhe FBI-së amerikane kanë zbardhur në mënyrë shkencore vrasjen e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, ndërsa ka ende pikëpyetje në lidhje me vrasjet e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës. Dyshimet e Prokurorisë shkojnë te gardisti Agim Llupo për shkak të projeksionit të qitjes dhe ngjashmërisë së shenjave në predha. Agim Llupo, efektiv i Gardës së Republikës, ishte i pari që u arrestua nga Prokuroria pas 21 janarit, për shkak se nga ekspertiza e kryer në Tiranë doli se arma e tij “Automatik MP-5” kishte vrarë Ziver Veizin. Gjatë kohës që LLupo mbahej në arrest me burg, Prokuroria vazhdoi hetimet duke administruar nga Turqia predhën që u gjet në kokën e Aleks Nikës dhe u nxor në spitalin turk. Predha u dërgua në SHBA për ekspertizë dhe, sipas konkluzioneve të FBI-së, ndonëse plumbi i të riut nga Lezha është i dëmtuar, ka një ngjashmëri në shenja dhe në vjaska me armën që mbante efektivi i Gardës, Agim Llupo. Prokuroria nuk ka ngritur akuzë ndaj Llupos për vrasjen e Aleks Nikës, për shkak

Viktima, Hekuran Deda

të ekspertizës së diskutueshme, ndonëse kjo çështje është duke u debatuar ligjërisht nga grupi i hetimit. Vrasja tjetër, që në kuadër të dyshimeve i atribuohet Agim Llupos, sipas Prokurorisë është eliminimi i Hekuran Dedës. Ai ndodhej i hipur në një tavolinë në qoshen e bulevardit, poshtë pemëve, në krah të Piramidës, kur u qëllua me një plumb në kokë dhe gjeti vdekjen, pasi bëri një salto e ra në asfalt. Sipas Prokurorisë, në trupin e Hekuran Dedës nuk është arritur të gjendet predha, pasi plaga ka qenë tejshpuese. Megjithatë, organi i akuzës dyshon se projeksioni i qitjes dhe plaga e krijuar lënë vend për të parë rolin e Agim Llupos në këtë ngjarje. Sipas imazheve filmike të siguruara nga Prokuroria, Llupo ka qenë pikërisht në këtë anë të Kryeministrisë në pozicionimin e trupave të Gardës. Ai ndodhej disa metra larg murit të Kryeministrisë në krahun e Piramidës, në kohën kur kanë ndodhur të shtënat e para me armë, rreth orës 16:00. Me kalimin e kohës, siç tregojnë pamjet filmike por edhe gëzhojat në vendin e ngjarjes, Llupo ka lëvizur nga pozicioni i tij duke iu afruar murit të Kryeministrisë derisa ka hyrë në vendrojën personale, një zgavër në murin e Kryeministrisë, ku është filmuar teksa qëllonte në momentin e vrasjes së Ziver Veizit.
Gardistët e tjerë
Një grup i dytë efektivesh të Gardës së Republikës është në hetim nga Prokuroria, pasi janë gjetur elemente që tregojnë se ata kanë qëlluar drejt turmës. Duke përmendur faktin se në gardhin metalik që rrethon oborrin e Kryeministrisë janë gjetur shenja plumbash, Prokuroria pohon se gardistët kanë qëlluar në lartësi të vogël nga toka, duke rrezikuar kështu jetën e demonstruesve. Sipas hetimeve të Prokurorisë, të shtënat me armë janë kryer nga një grup i përbërë prej kapiten Agron Aliajt, komandant grupi, toger Spartak Zilja, n/oficer, Meleq Zaimi, Mark Nikolli, Sadik Çela dhe Gazmend Ahmetaj. Disa prej këtyre gardistëve u shoqëruan një vit më parë nga Prokuroria, pasi rezultoi se kishin qëlluar me armë në mënyrë të rrezikshme. Burimet nga Prokuroria kanë pohuar se këta efektiva të Gardës rrezikojnë akuzën e shpërdorimit të detyrës ose tejkalimit të kompetencave, si dhe përdorimit të armëve të zjarrit në mënyrë të rrezikshme.
Dëshmitë
Gjatë deklarimeve të tyre në Prokurori, efektivat e Gardës, përfshirë edhe ata të grupit të zjarrit, kanë mohuar të kenë qëlluar me armë drejt turmës. Gardistët kanë pohuar se kanë qëlluar me armë zjarri, por duke kontrolluar këndin e qitjes dhe gjithnjë me drejtim të armës në ajër. Sipas efektivave të Gardës, të shtënat me armë zjarri kanë ndodhur pas sulmeve të përsëritura nga turma, pas hapjes së portës metalike të Kryeministrisë, si dhe pas paralajmërimit me zë dhe me megafon drejtuar grupit të personave që ndodheshin në manifestim.

Ndrea Prendi: Mbrojta institucionet

Gjykata e Tiranës i njofton masën e sigurisë për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj më 21 janar

Komandanti i Gardës në Gjykatë: Do apeloj arrestin e shtëpisë

Ish-komandanti i Gardes, Ndrea Prendi dhe avokati i tij Genc Gjokutaj dje ne gjyq

Ndrea Prendi, ish-kreu i Gardës, i akuzuar nga Prokuroria për vrasjen e Faik Myrtajt në demonstratën e 21 janarit 2011, kurseu dje çdo deklaratë në sallën e gjyqit, duke deklaruar përmes avokatit vetëm faktin se ka qenë në krye të detyrës në ruajtje të institucioneve. Ai u paraqit në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhënë ndaj tij në mungesë. Para gjyqtarit Shkëlqim Mustafa, i dyshuari Prendi shqiptoi me gojën e tij vetëm përgjigjet pohuese për konfirmimin e gjeneraliteteve. Pas përfundimit të seancës, mbrojtësi ligjor i Prendit, avokati Genc Gjokutaj, u shpreh se klienti i tij më 21 janar 2011 mbrojti një institucion kushtetues nga një sulm i padrejtë. “Dua të bëj me dije në emrin e klientit tim, se gjeneral Ndrea Prendi ka qenë në mbrojtje të një institucioni kushtetues, i ngarkuar me ligj për ta mbrojtur, nga një sulm i padrejtë, i cili është i dokumentuar me kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imuniteteve për organizatorët e tyre. E përshëndes këtë vendim të Prokurorisë dhe shpresoj se në një optikë objektiviteti të vazhdojë në këtë rrugë”, u shpreh për gazetarët avokati Gjokutaj, duke konfirmuar se do ta apelojë masën e vendosur nga gjykata me arrest shtëpie.
SEANCAT
Seancat gjyqësore në ngarkim të Ndrea Prendit dhe shoferit të tij, Margarit Kume, në Gjykatën e Tiranës zgjatën vetëm pak minuta. Në orën 15:20, i shoqëruar nga dy punonjës policie në sallë u shfaq Ndrea Prendi. Ai mbante veshur një pallto të zezë, të mbërthyer deri në grykë. Në vijim, i ngritur më këmbë, ai konfirmoi duke iu përgjigjur me “po” pyetjeve e gjykatës lidhur me gjeneralitetet e tij dhe me “jam vënë në dijeni” kur u pyet në lidhje me masën e sigurisë ndaj tij. “Na është komunikuar kopja e vendimit të Gjykatës së Tiranës që ka caktuar në mungesë masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’. Nga ana jonë, qëndrimi si ndaj masës së sigurimit, si dhe për faktet që akuza na atribuon, do të ndjekim hapat e mëtejshëm ligjorë”, u shpreh në vijim avokati Gjokutaj. Në të njëjtat linja ishte më herët edhe seanca për njohjen me masën ndaj të dyshuarit Margarit Kume, shoferit të Prendit. Mbrojtësi i tij ligjor, Erenik Gjonaj, u shpreh para gjykatës se masa ishte zbatuar në personin e duhur dhe se në lidhje me vendimin do të përdorte mjetet ligjore të ankimit. Në të dyja seancat, i ftuar nga gjykata për pretendimet e tij, prokurori Genc Qano u shpreh se të dyshuarit ishin personat ndaj të cilëve ishte caktuar masa e sigurisë. Në lidhje me llojin e masës, prokurori u shpreh se i qëndronte kërkesës së “arrestit me burg”. Në përfundim të seancave, gjykata la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj të dyshuarve Prendi e Kume.
AKUZAT
Ndrea Prendi akuzohet nga organi i akuzës për veprën penale të “vrasjes”. Sipas Prokurorisë, personi në hetim, Ndrea Prendi, gjatë demonstratës së dhunshme të 21 janarit 2011 para Kryeministrisë ka qëlluar 11 herë në drejtim të turmës, me qëllim për të vrarë personat që ndodheshin në turmë. Referuar hetimeve, ai ka qëlluar me armën e tij “Beretta” me kalibër 9 mm dhe më numër P52796Z, që i përket armatimit të tij personal. “Si pasojë e të shtënave prej tij është vrarë me armë shtetasi Faik Myrtaj dhe është rrezikuar jeta e shumë personave të tjerë që kanë qenë pranë viktimës dhe në atë pjesë të bulevardit që ndodhet midis portës së Kryeministrisë dhe ndërtesës së UNHCR-së”, pohonte Prokuroria. Po sipas akuzës, për të shmangur zbulimin e ngjarjes, Prendi, duke përfituar nga detyra që mban, ka ndërruar tytën e pistoletës së tij me tytën e pistoletës së personit në hetim, shtetasit Margarit Kume.

ARMA
Sipas ekspertizës së kryer në datën 5 janar 2012 nga Byroja Federale Amerikane e hetimit, pistoleta “Berettë” 9 mm e Ndrea Prendit ka kryer qitjen e predhës së gjetur në trupin e Faik Myrtajt. Prokuroria ka deklaruar se në vendin e ngjarjes, me armën e komandantit të Gardës janë kryer gjithsej 11 qitje dhe sipas të dhënave të Prokurorisë, të gjitha kanë qenë në drejtim të turmës. Katër nga predhat e qitura kanë përfunduar në zyrat e UNHCR-së, që ndodhen përballë godinës së Kryeministrisë në Tiranë. Prokuroria ka deklaruar se në vendngjarje janë gjetur edhe 11 gëzhoja që i përkasin armës së Prendit.

TYTA
Gjatë hetimeve të saj në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, prokuroria ka konstatuar se arma që deklarohej se ishte e Ndrea Prendit nuk përputhej në tytë me predhat e gjetura në trupin e Faik Myrtajt. Pas kësaj ka lindur dyshimi për manipulimin e armëve dhe nga hetimi i prokurorisë është mësuar se Ndrea Prendi kishte hequr tytën e pistoletës së tij me të cilën dyshohet se ka vrarë Faik Myrtajn dhe tytën në fjalë ia ka vendosur armës së shoferit të tij, shtetasit Margarit Kume. Sipas Prokurorisë, predha e Faik Myrtajt i përputhej tytës së armës së Kumes, por në vendngjarje nuk gjendeshin gëzhoja të kësaj pistolete, çka zbuloi edhe anomalinë.

Avokati i Llupos merr në mbrojtje Prendin
TIRANE – Deri pak ditë më parë, avokati Genc Gjokutaj, i cili mbron komandantin e Gardës, ka qenë përfaqësues ligjor i gardistit Agim Llupo, i akuzuar për vrasje që nga shkurti i vitit 2011. Në momentin e caktimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Tiranës, avokati Genc Gjokutaj paraqiti prokurën e përfaqësimit të Ndrea Prendit në Prokurori. Organi i akuzës, pasi verifikoi çështjen, i deklaroi avokatit se nuk mund ta mbronte Prendin për sa kohë ishte përfaqësues ligjor i gardistit tjetër të akuzuar për 21 janarin, Agim Llupo (i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit). Sipas ligjit, një avokat nuk përfaqëson më tepër se një të akuzuar në një proces të përbashkët. Pas kësaj, avokati Gjokutaj deklaroi  dorëheqjen nga mbrojtja e Agim Llupos dhe u pajis me prokurë përfaqësimi vetëm për komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, i pezulluar tashmë nga detyra.

Hetimi: Edhe Prokuroria apelon arrestin e shtëpisë
Çështja e masave të sigurisë për të akuzuarit e 21 janarit duket se do të vazhdojë gjatë në gjykatat shqiptare. Pas deklaratës së avokatëve të Ndrea Prendit dhe dy të akuzuarve të tjerë se do të apelojnë masat e vendosura nga gjykata për arrest shtëpie, duket se ankimi ndaj Gjykatës së Tiranës do të jetë i dyanshëm. Edhe Prokuroria ka deklaruar se do të dërgojë në Apel masat e sigurisë me arrest shtëpie ndaj të akuzuarve, me argumentin se masa e sigurisë që duhej vendosur ndaj tyre ka qenë arrest me burg. Gjykata e Tiranës i ndryshoi tri masat e sigurisë për të dyshuarit, ndonëse organi i akuzës kërkoi arrest me burg.

Ekspertizat
Predhat e protestuesve Faik Myrtaj dhe Aleks Nika iu nënshtruan ekspertizave edhe në Policinë shkencore në Tiranë, por verifikimi nuk gjeti armët që kishin kryer qitjet në fjalë. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, Policia shkencore shqiptare nuk ishte në gjendje të përcaktonte armët që kryen vrasjet për shkak të pamundësive fizike. “Kaq ishin mundësitë tona, nuk shkojmë dot më tej”, kanë qenë argumentet e ekspertëve të Policisë shkencore. Për dy predhat në fjalë, FBI gjeti se njëra ishte e armës së Ndrea Prendit dhe tjetra kishte mbi 50 për qind ngjashmëri me armën e Agim Llupos.

“U provua fshirja e filmimeve të 21 janarit, por s‘e bëra unë”

Specialisti i Kryeministrisë në gjyq: S‘ka prova

Armando Kasa dje në gjyq

TIRANE – Armando Kasa, specialisti i IT-së në Kryeministri, i akuzuar për fshirjen e pamjeve të 21 janarit, mohoi dje akuzën në Gjykatën e Tiranës. Në seancën e njohjes me masën e sigurisë “arrest shtëpie” caktuar ndaj tij në mungesë, Kasa pretendoi se nuk kishte fshirë serverin e Kryeministrisë. Nëpërmjet mbrojtësit të tij ligjor, avokatit Ilir Murati, Kasa kërkoi lirimin e tij nga masa shtrënguese. “Rezulton se në vendimin e datës 22.01.2012 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie” për klientin tim, të dyshuarin Armando Kasa. Nga konsulta me të dyshuarin rezulton se detyra e tij në Kryeministri është mbikëqyrja e sistemit kompjuterik, mirëmbajtja e faqes elektronike e të tjera. Sipas ligjit, i dyshuari nuk ka pasur për detyrë të regjistrojë dhe kopjojë filmime”, u shpreh avokati. Sipas mbrojtësit, i dyshuari Kasa kishte kopjuar vetëm pamjet e një kamere. “Ai thotë se ka bërë kopjimin e një kamere dhe është larguar në orën 23:30 të darkës. Kasa nuk ka bërë ndërhyrje dhe nuk ka bërë fshirje”, tha avokati. Në vijim, mbrojtësi pretendoi se kërkesa e Prokurorisë për masën e sigurisë ndaj tij është haptazi në kundërshtim me ligjin. “Nuk mund të akuzohet për fshirjen. Prokuroria e provon fshirjen, por jo se kush e ka bërë atë. Nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm për të provuar se i ka fshirë ai. Fshirjet janë bërë në mëngjes, kur Kasa nuk ka qenë në institucion”, pretendoi avokati para gjyqtarit të çështjes. Në përfundim, ai kërkoi revokimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për klientin e tij Kasa dhe lënien e tij të lirë. Vetë i dyshuari Kasa nuk dha asnjë deklarim apo shpjegim para gjykatës. Ai vetëm u shpreh “jam dakord me çfarë tha avokati”. Nga ana e tij, prokurori i çështjes pohoi para gjykatës se organi i akuzës i qëndronte bindjes se masa e përshtatshme e sigurisë për Kasën ishte ajo e “arrestit me burg”. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, gjyqtari vendosi të linte të pandryshuar vendimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”, dhënë në mungesë për të dyshuarin Armando Kasa.                                ar.ba

TRAZHGIM SOKOLAJ & ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura