Prokuroria: Dy vjet burg për Metën, avokatët: Pafajësi

Jan 7, 2012 | 12:51

Sekuenca nga videoja Meta-Prifti

Konkluzionet e akuzës: Zv.kryeministri bisedoi 192 herë në telefon me Bekim Halilajn.

“Humb” videoja, pretenca bazuar mbi dëshminë e Priftit.

Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi dje Gjykatës së Lartë të dënojë me 2 vjet burg dhe 1 milion lekë gjobë Ilir Metën, ish-zv.kryeministrin e akuzuar për “korrupsion”. Sipas Prokurorisë, Ilir Meta duhet të deklarohet fajtor për “korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, akuzë e ngritur ndaj tij pas publikimit të një video-përgjimi mes tij dhe ish-ministrit Dritan Prifti.
“I pandehuri Ilir Meta e ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar”, u shpreh prokurori Bujar Sheshi para Kolegjit Penal, teksa lexonte materialin prej 21 faqesh të konkluzioneve përfundimtare. Në vijim paraqiten momentet kryesore të pretencës së lexuar dje në Gjykatën e Lartë. Në pretencën e Prokurorisë u vu re hedhja e dyshimeve mbi ekspertizën e videos, por vetë videoja, nuk u përmend në asnjë rast si provë direkte, pasi gjykata e ka rrëzuar atë gjatë procesit.
ARGUMENTIMI I AKUZËS
Më datë 13.01.2011, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë është paraqitur me vullnetin e tij shtetasi Dritan Prifti, i cili me cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për qëllimet të hetimit, ka sqaruar se regjistrimi audio-viziv i materialit të transmetuar në emisionin “Fiks Fare”, të televizionit “Top-Channel” ishte realizuar prej tij dhe ka shpjeguar faktet dhe rrethanat që e çuan në realizimin e këtij regjistrimi. Deklarimet e detajuara të tij në këtë procesverbal përputhen plotësisht me dëshminë e dhënë nga ky shtetas në seancë gjyqësore. Kështu, në dëshminë e tij, të dhënë para gjykatës, më datën 21.11.2011, shtetasi Dritan Prifti shpjegoi në mënyrë të hollësishme marrëdhëniet e tij me të pandehurin Ilir Meta, gjatë kohës që ai ushtronte detyrën e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Siç u shpreh ai, marrëdhëniet me të pandehurin Ilir Meta ishin problematike sepse: “Zoti Meta filloi të bënte kërkesa të ndryshme që duhet të plotësoheshin prej meje me detyrën dhe funksionin që kisha. Kërkesat kishin të bënin me punësime të ndryshme, që kërkoheshin që unë t’i bëja në Ministri apo në dikasteret të cilat mbuloja dhe drejtoja në kuadrin e detyrës së ministrit, kërkesat për të ndihmuar individë, persona apo subjekte të ndryshëm për privatizime të ndryshme në Ministrinë e Ekonomisë për koncesione, për tenderë, për ankande apo licenca të natyrave të ndryshme që jepeshin nga kjo Ministri. Sigurisht për rastet që unë nuk kisha mundësi që t’i zgjidhja zoti Meta tregonte në fillim pakënaqësi, bënte kritika, pastaj më vonë çështja filloi deri në presione, kërcënime, shpërndarje thashethemesh për largimin tim nga detyra e të tjera gjëra si kjo”. Më datën 1 mars të vitit 2010, rreth orës 13:00 në zyrën e Dritan Priftit ka shkuar i pandehuri Ilir Meta, i cili në atë kohë mbante funksionet e zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe gjatë bisedës së zhvilluar, ky i fundit i ka propozuar të favorizojë në garën koncensionare që zhvillohej për ndërtimin e hidrocentraleve “Egnatia-Shushicë”, bashkimin e përkohshëm të shoqërive “Vëllezërit Tola” sh.p.k., (investim ky që kapte vlerën e 65 milionë eurove), duke i premtuar si shpërblim të kundërligjshëm shumën 700 mijë euro dhe 7 për qind të aksioneve, si dhe ndërhyrjen për të favorizuar shoqërinë “Halilaj Holding Group” sh.a., në ankandin për “shitje të një sasie prej 30 mijë tonë naftë bruto të prodhuar nga shoqëria ‘Albpetrol’ sha”. Për këtë të fundit, sipas dëshmitarit, nga i pandehuri Ilir Meta i është ofruar një përfitim i paligjshëm deri në 1 milion dollarë që do të ndaheshin mes tyre. Konkretisht, në dëshminë e tij shtetasi Dritan Prifti është shprehur se: “Për sa i përket koncesionit dhe ky është një koncesion për të cili zoti Meta më kishte porositur që duhet ta fitonte bashkimi i kompanive që drejtohej nga vëllezërit Tola. Më tha dhe për këtë ‘merre vendimin shpejt, jepja shpejt’, në fakt unë e dija që kjo çështje ishte në gjyq, e dija që ishte duke u gjykuar në Gjykatën e Apelit. Këtë gjë ia kam thënë dhe zotit Meta gjatë kësaj bisede. Është fituar në Shkallën e Parë nga pala tjetër, por është çështja në Apel. Zoti Meta më informon gjatë këtij takimi që në Apel çështja ka përfunduar, pra është fituar nga ky Bashkim, prandaj mbaroje këtë punë menjëherë sot. Gjatë bisedës i telefonon një person që quhet Agim Rrapaj dhe ma jep edhe mua që t’i flas për të më sqaruar dhe ai në lidhje me procesin gjyqësor. E merr nga telefoni i vet zotin Agim Rrapaj. Ai është paraqitur si një konsulent për këtë koncesion, por mesa mbaj mend unë, djali i tij ka qenë administrator i kësaj kompanie, “Vëllezërit Tola”. Mesa mbaj mend, fola me atë dhe ai në telefon më tha të njëjtën gjë, që ka mbaruar procesi gjyqësor. I kërkova të dërgonin në Ministri me shkrim vendimin e gjykatës pas të cilit unë, ashtu siç ma kërkonte detyra dhe ligji, do të rimblidhja Komisionin e Vlerësimit të Ofertave për të vlerësuar atë koncesion. Në një moment, zoti Meta më thotë që unë nuk e di se si e ke në plan ti të hysh në këtë koncesion, por ky Gimi më thotë mua afërsisht për ty ka 7 për qind dhe në një moment tjetër janë dhe 700 mijë euro që jepen për këtë gjë. Kjo është ajo që mbaj mend nga biseda”. Ndërsa për episodin e ankandit për shitjen e naftës bruto nga shoqëria “Albpetrol” sh.a., ky dëshmitar shpjegoi se: “Zoti Meta, gjatë takimit në zyrën time më kujtoi që të zbatoja ato që kishim biseduar në lidhje me ankandin e naftës në lidhje me fitimin e këtij ankandi nga miku i tij Bekim Halilaj. Unë mesa mbaj mend, ai kërkonte anulimin e ankandit për atë periudhë, sepse mendohej që zoti Halilaj nuk ishte i sigurt për fitoren e këtij ankandi dhe kërkonte shtyrjen e ankandit. Unë për të mos qenë kundërshtues dhe për të mos lënë hapësira që ai ta kuptonte që ishte duke u regjistruar, thashë ‘Po, do ta bëj’. Ai nguli këmbë, tha: Mbaroje, pse nuk e mbaron? Anuloje, pse nuk e anulon? Për ankandin e naftës, gjatë bisedës në zyrën time, nuk kam pasur ndonjë ofertë nga zoti Meta. Por dua të sqaroj se kjo bisedë mund të jetë bërë me dhjetëra herë dhe ofertën prej zotit Meta e kam pasur një herë në zyrën e tij në Ministrinë e Jashtme dhe një herë gjatë një dreke në hotel “Rogner”. Është ofruar 1 milion dollarë për t’u ndarë në fakt mes meje dhe zotit Meta, jo drejtpërdrejt për mua nga kjo punë”.
TABULATET TELEFONIKE
Ndonëse në dëshminë e tij, të dhënë para gjykatës në datën 21.11.2011, shtetasi Bekim Halilaj tha se ai ka biseduar me Ilir Metën për problemin e ankandit, vetëm në muajin qershor 2010, pra nuk pranon interesimin e tij të vazhdueshëm për të fituar ankandin, dëshmia e tij nuk është e besueshme, sepse ai u shpreh se nuk kishte pasur komunikime telefonike të shpeshta me Ilir Metën, duke pretenduar se mik kishte vetë Dritan Priftin. Analiza e tabulateve telefonike të numrit celular nga ky shtetas tregon të kundërtën. Me Dritan Priftin ai ka biseduar për periudhën nga data 01.02.2010 deri më 01.02.2011, gjithsej 13 herë, ndërsa me të pandehurin Ilir Meta ai ka pasur gjatë po kësaj periudhe 192 telekomunikime. Vetëm në ditët që është shtyrë dhe do të zhvillohej ankandi ai ka biseduar 3 herë në datën 26.2.2010 dhe 12 herë në datën 10.3.2010. Pra, pretendon se dëshmitarin e ka mik dhe për një vit ka biseduar vetëm 13 herë, ndërsa me Ilir Metën, që e ka takuar rastësisht, ka biseduar plot 192 herë. Gjithashtu, analiza e detajuar e tabulateve të datës 10 mars 2010, kur është anuluar ankandi vërteton më së miri me interesimin e të pandehurit Ilir Meta për këtë ankand dhe pabesueshmërinë e deklarimeve të Bekim Halilajt. Ja si paraqitet tabela e komunikimeve telefonike. Në datën 10 mars 2010, në orën 08:34, Meta ka marrë në telefon Halilajn; në 10:11 (vetëm 11 minuta pas orës së ankandit) Halilaj ka telefonuar Metën; në 10:13, Meta ka marrë në telefon Halilajn; në 10:24, Halilaj ka marrë në telefon Metën. Në orën 10:56, në 11:00 07’’ dhe më 11:00’ 29’’ Meta ka marrë në telefon Halilajn. Në orën 11:02, Meta ka marrë në telefon Dritan Priftin. Në 11:17, Prifti ka marrë në telefon Halilajn dhe menjëherë, në 11:23, Halilaj ka komunikuar me Metën. Në 12:49 dhe në 13:51 Meta ka marrë në telefon Bekimin. Në orën 15:13 dhe në 15:14 Halilaj ka telefonuar Metën. Në orën 17:59 Meta ka marrë përsëri në telefon Priftin dhe në orën 20:42 Halilaj i ka telefonuar Priftit. Në fund, pas mesnatës, të datës 10 mars duke gdhirë 11 mars, në orën 00:31’41’’ Bekim Halilaj i ka telefonuar Ilir Metës. Kjo dinamikë e telekomunikimeve të të sipërpërmendurve flet qartë dhe mbështet me fakte të pakundërshtueshme dëshminë e Dritan Priftit për interesimin e vazhdueshëm të të pandehurit Ilir Meta, që ankandi të fitohej nga shoqëria në pronësi të shtetasit Bekim Halili.

MARRËVESHJA
“Dokumentacioni i dorëzuar nga ana jonë si mbrojtje në cilësinë e provës shkresore vërteton një fakt shumë të rëndësishëm, që është realizimi i marrëveshjes ndërmjet ndërmarrjes Albpetrol, ARMO-s dhe firmës ‘Tea Construction & Petrol’, të nënshkruar më 10.02.2010, pra para takimit të video-përgjuar mes Priftit dhe Metës. Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje Albpetroli përfitoi 5 milionë dollarë të lëvruara, dhe çështja e përfolur nga Prifti ishte tashmë e ‘zgjidhur’ po prej tij. Për më tej, pohojmë në këto konkluzione që siç vërtetohet nga dokumentacioni i marrë në QKR, dy nga ortaket e firmës përftuese, ‘Tea Construction’, janë përkatësisht bashkëshortja dhe vëllai i nënës së Priftit”, u shprehën mbrojtësit.

Avokatët: Meta të shpallet i pafajshëm

Pretenca e mbrojtjes: Fakti i pretenduar nga akuza s‘ekziston
Avokatët mbrojtës të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta kërkuan dje pafajësinë e klientit të tyre, duke i cilësuar pretendimet e Prokurorisë të pabazuara në prova.
Sipas avokatëve Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja, “Ilir Meta nuk ka kryer veprën penale që i atribuon padrejtësisht akuza”. “Kërkojmë deklarimin të pafajshëm të z.Ilir Meta, sepse fakti nuk ekziston”, pretenduan përfundimisht avokatët, pasi paraqitën para gjykatës argumentet e tyre mbrojtëse. Në lidhje me video-regjistrimin “Meta- Prifti”, avokatët pohuan se vlera potenciale provuese në lidhje me akuzën kundër klientit të tyre Ilir Meta ishte “zero absolute”. Sipas tyre, ky konkluzion dilte pas konstatimeve që kishin të bënin me: “mungesën e provës origjinale regjistruese; mundësinë e madhe të ndërhyrjes edhe në materialin jo-origjinal të ruajtur në laptop; deformimin bisedëtranskriptit, veçanërisht në materialin bazë të regjistrimit, kryesisht të procedimit, të realizuar në emisionin “Fiks Fare” të televizionit “Top Channel”; ruajtjen dhe administrimin e paligjshëm (në rastin më të mirë neglizhent) nga organi i akuzës (të materialit teknik “provues”) dhe realizimin e akteve të paligjshme të ekspertimit përkatës.
VIDEOJA
Referuar përfundimeve të tre ekspertëve shkencorë, të pranuara nga Gjykata, avokatët pretenduan dje se mungesa e videos “Meta- Prifti” në orën me të cilën pretendohet të jetë bërë regjistrimi “e bën këtë filmim objekt ekspertimi të padobishëm për mbarëvajtjen e këtij gjykimi në kuptimin procedural penal”. “Gjatë realizimit të ekspertimit u konstatua se në orën e tavolinës objekt ekspertimi nuk u evidentuan gjurmë të regjistrimit të bisedës “Meta-Prifti”. Në këtë orë, grupi i eksperteve arriti të rikuperojë një video tjetër, e cila ishte fshirë më parë. Kjo video përmbante një bisedë mes shtetasit Leonard Beqiri dhe dëshmitarit Dritan Prifti. Në konsiderim të kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, për heqjen e imunitetit të z.Dritan Prifti, çmojmë që filmimi i fshehtë i ruajtur në orën-kamera, përmban bisedë dhe transfertën fizike të një shume të konsiderueshme parash (70 000 euro), me dhënës Leonard Beqirin dhe marrës Dritan Priftin. Pra, për sa i përket çështjes sonë, në orën provë materiale dhe të pretenduar se me të ishte realizuar videoja e fshehtë “Meta-Prifti”, nuk u gjetën gjurmë relevante”, pretenduan avokatët.
PUSHTETI
Sipas avokatëve të Metës, në kohën e lindjes së konfliktit mes Metës dhe Priftit, klienti i tyre ishte me këtë të fundit në kushtet e një superioriteti politik e institucional dhe në kohën e publikimit të videos, “Prifti e kishte humbur (sipas tij padrejtësisht), postin e ministrit”. “Pohojmë logjikshëm se qëllimi themelor dhe madje i vetëm i përgjimbërjes nga z.Prifti është realizimi në çdo mënyrë i një mjeti shtrëngues për eproret e tij në qeveri, ku përfshihet zoti Meta, me synim marrjen peng të tyre dhe ruajtjen e një vendi pune të rëndësishëm në shtet, që siç provon edhe vetë procedimi penal i Prokurorisë së Përgjithshme ndaj zotit Prifti, është përdorur për përfitime të paligjshme. Ky është konkluzion logjik i mbështetur në veprimet dhe mënyrën e sjelljes së zotit Prifti në këtë kazus dhe është thelbësisht i kundërt, nga sa është pretenduar publikisht edhe në këtë sallë të nderuar gjyqi prej tij. Nëse do të ishte i vërtetë pretendimi i Priftit, oferta “korruptuese” e zotit Meta do të duhet të ndeshte në rezistencën e menjëhershme të Priftit, gjë që nuk ka ndodhur, apo në kallëzimin e njëkohshëm në Prokurori, siç disiplinon neni 281/1 i K.Pr.P të Republikës së Shqipërisë. Të ashtuquajturin kallëzim, Prifti e ka bërë pas afro 10 muajsh dhe vetëm pasi ka shantazhuar zv.kryemi-nistrin Meta për të mos e lëvizur nga pozicioni i ministrit të Ekonomisë”, argumentuan mbrojtësit e Metës.

PRECEDENTI
“Prifti ka një precedent penal mbi afera korruptive e të lidhura këto ekzaktësisht me detyrën e tij të parë publike si drejtues i Korporatës Elektroenergjetike të Shqipërisë. Ky procedim penal i regjistruar ndaj tij është pushuar vetëm në sajë të mbrojtjes politike që i është ofruar z.Prifti, nëpërmjet mos-heqjes se imunitetit kushtetues si deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, pretenduan avokatët.

DËGJIMI
Avokatët përmendën edhe cilësinë jo të mirë të dëgjimit të Priftit, për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale në vitin 2002. Sipas mbrojtësve, “ai nga njeri vesh, siç pohon dhe vetë shkresërisht para dy ish-kryetarëve të Kuvendit, ka humbur përgjithmonë dëgjimin dhe nga tjetri ka një cilësi të ulët dëgjimi (rreth 30%). E theksojmë këtë fakt në kushtet kur ai pohon se ka dëgjuar gjatë bisedës fjalë të cilat as aparatura përgjuese e aktivizuar prej tij nuk ka arritur t’i kapë!”

AGRESIVITETI
Sipas avokatëve, shtrembërimi i fakteve dhe agresiviteti publik ndaj figurave të ndryshme politike është karakteristike e sjelljes së Priftit. “Kujtojmë akuzat publike të bëra nga Prifti mbi gjoja pastrimin kriminal të afro 1 miliard USD, atribuuar ishkryeministrit të asaj kohe, Fatos Nano, apo pretendimin mbi konsumimin ditorë nga z. Rama, ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës, të një sasie prej 3 000 eurosh lënde narkotike të llojit kokainë”, kujtuan avokatët.

Braho: Meta i pafajshëm, Prifti mashtruesi i vitit
TIRANE – Pas përfundimit të seancës së djeshme, Spartak Braho akuzoi ish-ministrin Dritan Prifti, duke e cilësuar si “mashtruesin e vitit”. Duke pretenduar pafajësinë e Metës, Braho pretendoi se Prokurorisë iu rrëzua çdo argument. “Prokuroria me kërkesën e saj sot tregoi se mbeti në mjerim të thellë profesional dhe ligjor për argumentet dhe  pseudoprovat ku ajo u mbështet. E shtrënguar nga mungesa e tyre, por edhe paaftësia, ne pamë se si asaj gjatë gjithë
procesit gjyqësor iu rrëzuan të gjitha pseudoargumentet, prej të cilave ajo u detyrua të hiqte dorë edhe vetë gjatë procesit gjyqësor, duke parashembur kalanë prej rëre të ndërtuar me pasion kriminal. Ajo që pamë dhe dëgjuam sot në këtë seancë në të cilën shpresonim se organi i Prokurorisë të reflektonte ishte që për të shpëtuar nga mbytja e saj, ajo u kap me dhëmbë pas kamerdares së shpuar të mashtruesit të vitit. Fatkeqësi për këtë institucion, i cili na u shfaq edhe njëherë si kollovar dhe shërbëtor i politikës së rrugës. Mund të themi pa më të voglin dyshim se pafajësia e Ilir Metës, e kërkuar nga mbrojtja në seancën e sotme, është evidente, pasi e tillë është edhe e vërteta”, u shpreh Braho. Në lidhje me hapat që do të ndërmerren në rast se Gjykata do të pranojë kërkesën e Prokurorisë, Braho u shpreh se: “Ne do të respektojmë çdo vendim që do të jepet nga organi suprem që është Gjykata e Lartë”.

Gjykata e Lartë, vendimi për Metën në datën 16 janar
TIRANE – “Fati” i ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, nëse do të shpallet fajtor apo jo nga Gjykata e Lartë, për akuzën e “korrupsionit”, pritet të mësohet më 16 janar në orën 13:00. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i dha fund dje gjykimit të dosjes me të pandehur ish-zv.kryeministrin Ilir Meta, duke caktuar këtë datë si datë përmbyllëse të këtij gjykimi. Në harkun kohor të dhjetë ditëve, trupa gjykuese do të përgatisë qëndrimin e saj përfundimtar, pasi të ketë analizuar tërësinë e të gjitha provave të administruara gjatë gjykimit. Bashkë me këto prova, Kolegji Penal ka “mbi tavolinë” edhe dy kërkesat përfundimtare të bëra dje nga palët, kërkesën e Prokurorisë për deklarimin fajtor të të pandehurit Ilir Meta dhe dënimin e tij me 2 vjet burg e 1 milion lekë gjobë, si edhe kërkesën e avokatëve për deklarimin e Metës të pafajshëm. Në seancën e djeshme gjykata u njoh me konkluzionet përfundimtare të palëve në proces. Pas përfundimit të leximit të pretencës së Prokurorisë, Kolegji Penal u njoh edhe me konkluzionet përfundimtare të avokatëve mbrojtës të të pandehurit Meta. Vetë i pandehuri Meta nuk ishte i pranishëm në seancë. Në vijim, Kolegji u tërhoq në dhomën e këshillimit për t’u konsultuar nëse do ta shpallnin të mbyllur shqyrtimin gjyqësor apo jo. Pas dy orësh në dhomën e këshillimit, Kolegji Penal vendosi deklarimin e mbyllur të shqyrtimit gjyqësor dhe që shpallja e vendimit të bëhet pas 10 ditësh. “Nisur nga volumi i dosjes dhe i numrit të madh të provave materiale të administruara, si edhe nga kompleksiteti i çështjes, vendimi përfundimtar do të shpallet më 16 janar”, u shpreh relatori Ardian Dvorani. ar.ba

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura