Me një përkushtim të madh e të hapur, studiues të apasionuar dhe të talentuar, si Valentini, Shuflaj, Jereçeku, Nopca, Hani, Hekard, Ami Bue, Maltebruni, Faverial, Kordinjano, Baldaci, Falmerajeri, Çabej, Benlou Dorsa etj. etj. e kërkuan dhe e gjetën Shqipërinë nëpër arkivat dhe bibliotekat më të vjetra të botës, nëpër vendbanimet e saj të vjetra, në banimet e saj të reja dhe mesjetare, në kujtesën e në jetën e popullit, në manifestimet e lashtësisë së tij fisnike, që siç thotë edhe Ernest Koliqi, e bën të denjë popullin shqiptar me virtytet e tij etnike për me pas një vend të vet në gjirin e kombeve më të përparuara europiane. Kjo është në të vërtetë sinteza e së shkuarës sonë të largët, të mesme dhe të afërt, që ne duhet medoemos ta publikojmë. Duke u nisur nga destinacioni që duhej të kishin vlerësime të tilla të trajtuara me një objektivitet të konfirmuar shkencor nga borde të Akademisë, institute dhe qendra me autoritet të veçantë studimor, na takon sot, të gjithëve ne, të zgjohemi dhe t’u japim vlerën funksionale e denstinacionin që u përket, siç kanë vepruar edhe fqinjët tanë me historinë dhe kulturën e tyre të trashëguar. Brezi ynë, por dhe çdo brez i ri që do vijë, për arsye të orientimit të qartë perëndimor që ne kemi si popull, për shkak të objektivave politikë, kulturorë dhe ekonomikë që kemi, për shkak të ballafaqimeve integruese europiane, të cilat sigurisht do jenë sfida të mëdha, më konkurruese dhe më ballafaquese në vitet që po vijnë, duhet patjetër të zotërojmë mjete të tilla argumentuese, po kaq të përsosura në këtë përballje. Dhe, midis tyre është një, që lidhet në mënyrën më të qartë me përparimin e qytetërimit tonë, pra që ka të bëjë me të shkuarën tonë. Një mjet ky, që zotëron në vetvete një masë të madhe eksperience dhe dijesh. Ka ardhur koha shumë e përshtatshme, që albanologjinë ta projektojmë si një shkencë të çmuar, si një instrument ndihmës për politikë dhe diplomaci, si një faktor që mund të shprehim dinjitet kombëtar. Dhe, për ta shprehur më qartë këtë, ne duhet t’i themi qartë dhe me objektivitet vetes sonë, por sidomos të tjerëve, për atë që kemi në të vërtetë si trashëgimi dhe jo për atë që nuk e kemi dhe nuk na përket neve. Ne duhet të investojmë përkundrejt perceptimit të të tjerëve një imazh të qartë të historisë qytetëruese të shqiptarëve, që në shekujt më të hershëm, madje që posa ra mesjeta, por dhe më parë, e të mos lejojmë që në çdo përballje apo veprim negativ, sidomos me të huajt dhe fqinjët (që sigurisht janë të pranishme në shoqëri), të gëlojnë legjendat intriguese për një popull instiktiv, primitiv dhe pa vetëdije shoqërore e kombëtare. Ne duhet të investojmë për fëmijët tanë, për brezat që do vijnë, qoftë për ata që rriten në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, apo në diasporë, sa njerëzorë kemi qenë, si jemi sjellë, si kemi menduar, si kemi luftuar për liri, si kemi jetuar, si kemi krijuar; Kjo me qëllim që të mos bëhen burra e gra me komplekse inferioriteti për vendin e tyre. Dhe për këtë duhet që albanologjia e mundësisht gjithë literatura e saj për pasojë të promovohet më mirë dhe në mënyrë më të organizuar ajo që është botuar, por duhet përpjekur për t’u botuar ajo që ndodhet nëpër arkivat tanë apo arkivat e botës. Në librin “A ka nevojë Amerika për një politikë të jashtme”, autor i të cilit është diplomati prestigjioz Henri Kizingeri, për Kosovën e pas luftës me status ende të papërcaktuar në libër ka një pjesë, ku thuhet afërsisht kështu: “Ne bëmë një luftë tashmë aty në Ballkan dhe nuk mund të mos ua japim pavarësinë shqiptarëve myslimanë të Kosovës”. Në mungesë të informacionit të plotë, ku me sa duket lëvizin shumë gjëra, edhe për patriarkun e diplomacisë amerikane ndihet një përfytyrim jo i plotë i historisë së shqiptarëve, me pasoja paragjykuese. Po ashtu, në numrin e së martës 01.02.2011, gazeta gjermane “Frankfurter Rundschau”, nën titullin “Një sistem i besës dhe i tradhtisë”, boton një analizë për Shqipërinë me autor Norbert Mappes-Niediek. Në fokus janë ngjarjet e 21 janarit, ku në Shqipëri mbizotëron klima armiqësore. Sipas autorit, ashpërsia e grindjes nuk është një problem personal i Ramës dhe i Berishës, madje ajo nuk është as specifika e skenës politike. Kundërshtitë e ashpra mes mikut dhe armikut, imazhi i besës dhe i tradhtisë kanë rrënjë shumë më të thella në shoqërinë shqiptare. Realisht, edhe pse merr shkas nga problematika që klasa jonë politike u ka krijuar edhe vetë institucioneve politike e administrative të Bashkimit Europian me konfliktualitetin e saj ekstrem, autori duket qartë se në këtë analizë historiko-politike ka udhëtuar më shumë me historinë e tymnajave të shekujve kundër shqiptareve (sidomos me gojëdhënat cinike të fqinjëve sesa me historinë e vërtetë qytetëruese, njerëzore dhe emancipuese të shqiptarëve). Po ashtu duhet të konsiderojmë, për ta vënë në përballje reale me të vërtetën historike vënien së fundi në diskutim të identitetit të heroit tonë kombëtar Skënderbeu, nëpërmjet botimit të disa librave, por dhe disa botime studiuesish të veçantë, shqiptarë apo të huaj, mbi dualitetin e identitetit tonë midis Lindjes dhe Perëndimit. Për të gjitha këto devijime lipset patjetër të rivendikojmë historinë dhe traditat tona në mënyrën më të mirë. Ndonëse përvijohet një ide e përgjithshme se era globale do t’i shkrijë kufijtë dhe dallimet midis kombeve, kulturave, njëlloj si tregjet dhe monedhat, është pikërisht e kundërta ajo që na mësojnë mendimtarët modernë. Identitetet kulturore, në kushtet e globalitetit, nëse janë të forta e të thellë-rrënjosura, e veçanërisht nëse arrijnë të kultivohen, spikasin dhe kanë shumë më tepër mundësi të dalin në pah, sesa më parë. Shqipëria, qoftë me historinë, kulturën fetare, juridiko-zakonore, me krijuesit dhe heronjtë e saj, i ka të gjitha mundësitë ta lulëzojë identitetin e vet të spikatur edhe në këtë epokë të “fluiditetit” të shumë gjërave.
© Panorama.al












