TIRANË- Diskutimi i projekt buxhetit të bashkisë së Tiranës për vitin 2012 ka vijuar sot me banorët e Njësisë Bashkiake numër 11. Kreu i bashkisë, Lulzim Basha ka thënë për banorët se kjo njësi përfiton investime në buxhetin e vitit 2012 sa në 10 vitet e fundit të marra së bashku.
Ai ka bërë me dije se projektbuxheti parashikon; rikualifikimin urban të infrastrukturës rrugore, ujësjellës kanalizime, rikonstruksion dhe ndërtim shkollash, kopshte e çerdhe, ndërtimin e një qendre sociale etj, duke kthyer kështu vëmendjen e Bashkisë edhe ndaj kësaj njësie bashkiake.
Basha ka njohur banorët se për këtë Njësi Bashkiake janë planifikuar fonde të mjaftueshme të ndërtimit të Unazës në Kodër-Kamëz me një gjatësi prej 1300 metrash, ndërtimin e rrugës që lidh rrugën Don Bosko me rrugën Egnatia, rehabilitimin total të bllokut mbi shinat në një sipërfaqe prej 30 hektarësh, ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza në kufi me Komunën e Paskuqanit, ndërtimin e kanalizimit të ujërave të zeza në bregun e Lumit.
“Këto 5 investime të mëdha infrastrukturore janë rezultat i një konsultimi paraprak me të zgjedhur të njësisë vendore 11, me kryetarin Haki Mustafa por edhe përfaqësues të tjerë të zërit të komunitetit të kësaj njësie vendore”- tha Basha, duke shtuar se në buxhetin e vitit 2012 rikonstruksionin e dy kopshteve, në rrugën Gjergj Legisi dhe në Kodër-Kamëz po kështu do të bëhet instalimi i pajisjeve të ngrohjes në kopshtin e Bregut të Lumit, objekt që është në vazhdim.
Në plan është ndërtimi i një komponenti shtesë në shkollën Isa Boletini dhe ndërtimi tërësisht i shkollës 9 vjeçare “Ahmet Gashi”.
Ndërkaq, banorët e njësisë bashkiake numër 11 janë përfituesit kryesore të një sërë projektesh strategjike që marrin jetë gjatë vitit 2012, siç është ndërtimi i terminalit të ri të trenit dhe autobusëve urbane dhe interurbanë. Kjo do të mundësojë edhe zhvendosjen e shinave të trenit, një problem tejet shqetësues për banorët e Laprakës.
Po kështu Linja e Tramit, Laprakë- sheshi Nënë Tereza, rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërhyrja në rrethrrotullimin e Doganës dhe mbikalimet që parashikohen të ndërtohen përgjatë rrugës së Durrësit, janë projekte që kanë impakt mbi këtë zonë si përsa i përket zhvillimit ekonomik por edhe punësimit.
© Panorama.al











