Lajmi për ndarjen tragjike nga jeta të gazetarit të News24, Enrik Mehmeti, në një aksident rrugor, ka tronditur jo vetëm familjen e tij, por edhe komunitetin e gazetarëve shqiptarë.
Me largimin e tij, media humbet një reporter terreni që për më shumë se dy dekada e ndërtoi karrierën mes ngjarjeve, kronikës dhe raportimeve të drejtpërdrejta, duke qenë gjithmonë aty ku zhvillohej lajmi.
Për publikun, Enrik Mehmeti ishte fytyra e News24 në Vlorë. Për kolegët, ai ishte gazetari që nuk i shmangej asnjë sfide, që nuk priste që lajmi t’i vinte në redaksi, por shkonte ta gjente vetë në terren. Në një profesion ku koha matet me sekonda, ai ishte ndër të parët që mbërrinte në vendngjarje, duke sjellë informacion të verifikuar dhe raportime të drejtpërdrejta nga zhvillimet më të rëndësishme.
Rrugëtimi i tij me gazetarinë nisi shumë herët. Vetë Mehmeti ka treguar se kontakti i parë me ngjarjet e vështira erdhi që në vitin 1997, kur, vetëm fare i ri ai shërbente si përkthyes në kampin humanitar “Alba”, ku u përball me dhimbjen e të plagosurve të asaj periudhe. Ato përjetime, siç rrëfente ai më vonë, e formësuan si njeri dhe i forcuan bindjen se gazetaria ishte misioni i jetës së tij.
Karriera e tij u karakterizua nga raportimi në vijën e parë të ngjarjeve. Ai mbuloi për vite me radhë kronikën, aksidentet, operacionet policore, ngjarjet kriminale, fatkeqësitë natyrore dhe zhvillimet më të rëndësishme në jug të vendit, duke fituar besimin e publikut falë seriozitetit dhe profesionalizmit.
Një nga momentet më të spikatura të karrierës së tij ishte raportimi i grabitjes së armatosur të një argjendarie në Vlorë, në vitin 2021. Ndërsa qytetarët largoheshin nga vendi i ngjarjes, Mehmeti iu afrua autorit të armatosur për të raportuar drejtpërdrejt dhe njëkohësisht për të ndihmuar në shmangien e një tragjedie. Grabitësi madje drejtoi armën në drejtim të tij, por ai nuk u tërhoq, duke vazhduar raportimin deri në përfundim të ngjarjes. Më vonë do të shprehej se kishte bërë njëkohësisht “detyrën si gazetar dhe si qytetar”.
Për kontributin e tij në gazetari dhe angazhimin në çështje sociale, Enrik Mehmeti u vlerësua ndër vite me çmime dhe mirënjohje, mes tyre edhe titulli “Personazhi i Vitit Vlorë 2015”. Ai u dallua jo vetëm për ekskluzivitetet gazetareske, por edhe për ndjeshmërinë ndaj problemeve të komunitetit dhe gatishmërinë për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Për më shumë se 20 vite ai mbeti besnik logos së News24, duke e konsideruar gazetarinë jo thjesht një profesion, por një mënyrë jetese. Në një intervistë kishte thënë se motoja e tij ishte: “Nëse ka diçka që nuk bëhet, atë do ta bëj patjetër”, një fjali që përmbledh më së miri karakterin e tij të vendosur dhe pasionin për profesionin.
Sot, Enrik Mehmeti largohet para kohe, por pas lë një trashëgimi profesionale të ndërtuar mbi guximin, përkushtimin dhe respektin për të vërtetën. Ai do të kujtohet si një reporter që nuk e braktisi kurrë terrenin, që e jetoi gazetarinë çdo ditë dhe që e vendosi misionin e informimit të publikut mbi çdo vështirësi.
Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë te familja, miqtë, kolegët dhe te mijëra shikues që për vite me radhë e ndoqën në ekranin e News24, aty ku ai e ndërtoi me dinjitet emrin e tij.
© Panorama.al












