“Shqipëria kërkon revolucion!” – Qytetarët ‘zbarkuan’ në shesh për të 49-tën ditë kundër qeverisë: Rama jepe dorëheqjen! Ju erdhi fundi

Jul 18, 2026 | 22:58

Qytetarët u mblodhën këtë të shtunë, në ditën e 49-të të revoltës masive, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Ashtu sikurse ditët e tjera, protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe vijuan më pas drejt Kryeministrisë, ku shumë u ngjitën në podium për të artikuluar korrupsionin dhe keqqeverisjen e partisë në pushtet.

Ata ripërsëritën sërish kërkesat e tyre të panegociueshme, duke nisur nga dorëheqja e Edi Ramës, krijimi i një qeverie tranzitore me afat 12 mujor, ndryshimet kushtetuese dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Po ashtu, ata kërkuan edhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, të Paketës së Maleve si dhe të ligjit për investimet strategjike.

Aktivisti Edison Lika, që në hapje të protestës, deklaroi se përfaqësuesit e vërtetë të protestës janë qytetarët që dalin çdo ditë në shesh, duke iu referuar një mbledhjeje të një Kuvendi Kombëtar të mbajtur më herët.

“Çdokush që pretendon se me këtë protestë mund të negociojnë nëpër zyra e kanë gabim. Me këtë protestë negociohet vetëm në shesh. Kush mendon se mund ta përfaqësojë këtë protestë, e ka gabim sepse përfaqësuesit e kësaj proteste janë në shesh.”, deklaroi ai.

Protestuesit, krahas kërkesës për largimin e Edi Ramës, ripërsëritën thirrjet edhe ndaj drejtësisë për të arrestuar atë dhe ish vartësen e tij Belinda Balluku.

“Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Arrestoni Ramën dhe Belindën”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi”, ishin disa nga thirrjet e protestuesve në shesh dhe në marshim në Tiranë.

1 2

© Panorama.al

Te lidhura