Pedagogu Lush Susaj mbajti një fjalim gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku kritikoi qeverinë për situatën në arsim, emigracionin dhe gjendjen ekonomike e sociale në vend.
Në fjalën e tij, Susaj tha se protesta përfaqëson qytetarët dhe nuk mund të ndalet nga propaganda apo presioni politik.
“Kjo është protesta e popullit dhe nuk futet në xhep. Janë 7 milionë shqiptarë në protestë dhe nuk e duan këtë qeveri. Puna e ndyrë që po bëjnë me intimidim dhe propagandën e fëlliqur të qeverisë më të korruptuar të Europës do të marrë fund. Mos dëgjoni propagandën! Na kanë vjedhur fondet dhe jemi copë-copë me infrastrukturë, edhe pse Europa ka dhënë miliarda”, u shpreh ai.
Pedagogu u ndal edhe te gjendja e arsimit, duke deklaruar se numri i studentëve dhe nxënësve ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
“Na kanë goditur në zemër dhe në palcë kurrizore, na kanë goditur në shkollat shqiptare. Sot kemi vetëm 115 mijë studentë. Numri i tyre ka rënë me 35%. Ka rënë edhe numri i nxënësve në shkolla, ndërsa maturantët janë përgjysmuar krahasuar me 13 vite më parë. Kjo ka ndodhur sepse kjo qeverisje masakroi familjen shqiptare në prona, në të drejtat gjyqësore, në shërbimin shëndetësor, në standardet mjedisore dhe në siguri”, deklaroi Susaj.
© Panorama.al












